5-fishohet instalimi i kasave fiskale

 

Aksioni antiinformalitet, i nisur në fillim të shtatorit, nxiti bizneset e vogla të mbanin radhë për t’u pajisur me kasa fiskale, si kurrë ndonjëherë.

Të dhënat e tatimeve tregojnë se vetëm në shtator të këtij viti janë instaluar 4830 kasa fiskale, duke u pesëfishuar në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, ku ishin instaliar më pak se 1000 kasa të reja. Numri i tyre pritët të rritet më tej në muajt në vijim, pasi shumë biznese kanë bërë kërkesën dhe janë ende të prirje të mbërritjes së kasës.

Në shtator 2014 kishte mesatarisht 40-42 mijë pajisje fiskale që transmetonin të dhëna, nga 20-25 mijë që ishin mesatarisht të njëjtën periudhë të një viti më pare, sipas të dhënave operative nga tatimet.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të përdorimit dhe instalimit të kasave fiskale të ardhurat në buxhet në shtator ishin minimale. Ndonëse bizneset e kanë përdorur më shpesh kasën, ata kanë prerë fatura me vlerë më të ulët. Sipas të dhënave ende operative, në shtator janë lëshuar mbi 39.300 kuponë, ose 2.2 herë më shumë se shtatori i një viti më parë.

Po nga të njëjtat të dhëna, rezulton se vlera mesatare e një kuponi tatimor ka zbritur nga 3400 lekë në shtatorin e dy viteve më parë, në më pak se 1500 lekë aktualisht. Në shtatorin e 2014-s, vlera mesatare e kuponit tatimor ishte 2200 lekë.

Ndërkohë, sipas të dhënave operative, vlera e xhiros për shtatorin ishte gati 51.6 miliardë lekë, nga 31.6 miliardë lekë në shtatorin e 2014-s, me një rritje prej 34%. Kjo rritje e lartë e xhiros nuk i ka ndihmuar shumë tatimet, që kanë sjellë në buxhet rreth 1.5 miliardë lekë të ardhura më shumë (rritje 11%), duke arritur të realizojnë në 99.8% vetëm planin e rishikuar në ulje të të ardhurave.

SHKARKO APP