5 Maji, dita e atyre që e deshën kombin më shumë se politikanët
Nga Safet Ramolli
Mesi i shek. XX, përballi drejtpërsëdrejti edhe popullin shqiptar me pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës II Botërore, të cilët rezultojnë nga më të egrit dhe gjaksorët në historinë e njerëzimit. Gati 50 milionë jetë njerëzish u sakrifikuan pa asnjë motiv pozitiv në këtë luftë. Kjo tragjedi u luajt në harkun e 2077 ditëve, (1 shtator 1939 – 9 maj 1945 S.R). Në fakt ajo kishte filluar më 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë në Kinë, për të vijuar më 1935 kur Italia “kafshon“ territoret e Abisinisë përtej Mesdheut, ashtu si në harkun e tre viteve (1936-1939 S.R) u sulmuan Spanja dhe Kina, Austria dhe Çekosllovakia, dhe të “Premten e Zezë“ më 7 prill 1939 edhe Shqipëria, çka për studiuesin amerikan Bernard Fisher, një ndër njohësit më kompetentë të problematikës shqiptare midis dy luftërave botërore, “ … shënon ndërkombëtarizimin e Luftës II Botërore ….”.
Në luftën e tij 6-vjeçare (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944 S.R), përkrah aleatëve të mëdhenj dhe popujve të tjerë liridashës, populli ynë i vogël dha një kontribut të çmuar, gjithsesi i bindur se luftonte për lirinë e atdheut të tij, për demokraci dhe progres shoqëror. Gjaku i derdhur për të mbrojtur lirinë daton pikërisht me agun e 7 prillit 1939, kur Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 40-50 mijë forca ushtarake italiane, të mbështetura nga 400 aeroplanë lufte dhe 12 luftanije. Dëshmori i parë rezulton Mujo Ulqinaku (Cakuli) kur ishte 43 vjeç. Edhe pse nënoficer i karrierës me shërbim në Durrës, u vu menjëherë në krye të detarëve dhe organizoi me ata dhe me vullnetarë të tjerë, qëndresën e armatosur, deri në çastet e fundit të jetës. Humanizmin, trimërinë, guximin, qëndrueshmërinë, shpirtin e sakrificës të Heroit, por edhe dhembjen e thellë për humbjen e tij, populli e skalit edhe përmes vargjeve që vijojnë: “… Kush lufton ashtu në këmbë ?/ Kush ha hekurin me dhëmbë? /… / Është Mujua një kapter / Që lufton e vdes me nder! / Dhe u mbyt trimi në gjak!/ për një truall, për një prag …!/… “.
Në Vlorë po këtë ditë bie për lirinë e Vatanit, Hamit Vishko, djalë nga Gumenica …. Ishte vetëm 23 vjeç kur mbeti Lapidar i Bardhë pasi kishte vrarë disa pushtues, midis tyre edhe një oficer. Mitro Dhimërtika ishte nga fshati Nivicë i rrethit Sarandë. Edhe pse fare i ri, vetëm 23 vjeç, pa pritur urdhër nga askush, bashkë me shokë shkoi në bregun e detit për të pritur sipas zakonit të kahershëm shqiptar – me zjarr – pushtuesin e huaj. Mbeti trimi sarandiot lapidar në atë pjesë bregdeti, duke u lënë prindërve amanetin sa të dhimbshëm aqë edhe heroik: “Mos më qani; unë bëra detyrën si atdhetar …”. Hamit Dollani ishte nga fshati Jançe i Gramshit. Më 1928 pati rastin e mirë të njihej me M. Ulqinakun. Fillim prilli 1939 e gjeti në fshatin Bërzhitë të Tiranës. Më 6 prill me mitralozin hedhur supit, u nis për në Durrës. Zuri një pozicion përkrah Mujos, luftoi me trimëri dhe vdiq si trimat mbështetur mbi trupin e pajetë të M. Ulqinakut, duke mbetur kështu shokë e miq në këtë dhe atë botë… Më 7 prill 1939, në këtë të “Premte të Zezë“, të tjerë bij të Shqipërisë edhe në Shëngjin, Milot, Bahçallëk e Shkodër, kudo ku shkeli këmba e pushtuesit, do të derdhnin gjakun pakursim, duke vënë kështu në themelet e Atdheut jetën e tyre … Studiuesi amerikan Bernard Fisher pohon se në Durrës u vranë mëse 200 italianë, dhe ndoshta më shumë shqiptarë. Mandej radhët e Dëshmorëve të Lirisë do të shtohen …Ata janë shumë!!!. Janë shumë për një popull kaq të pakët në numër!!! 28. 000 është numri i tyre i derdhur në mermerët e bardhë të përjetësisë, por edhe i ngulitur në ndërgjegjen e kombit tonë. (Çuditërisht edhe me gjakun e tyre politika shqiptare duket sikur do të kalojë kohën, kur merret me numrin e të rënëve dhe datën e çlirimit S.R). Por, gjithsesi, janë të gjithë idhuj, të cilëve duhet falur me nderim e respekt nga çdo shqiptar që pretendon se kanë gjak të përbashkët, sepse ata me idealin për të çliruar atdheun dhe popullin e tyre, bënë sakrificën sublime për Atdhe e Popull!
Për të nderuar veprën e shenjtë të tyre është përzgjedhur dhe veçuar një datë përkujtimore: 5 Maji. Është data kur për Liri, Atdhe dhe Nder, dha jetën një nga dëshmorët më në zë të popullit shqiptar, Qemal Stafa. Ishte vetëm 21 vjeç, si shumica e dëshmorëve të tjerë të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjikë Kuqali, një nga bashkëshokët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Qemalit, dëshmor edhe ky në të pastajmen, për Qemalin formulon vlerësimet që vijojnë: “… vetëm tri herë e pashë. E njoha, e kuptova. … Rronte me ne, punonte me ne, na udhëhiqte, na përgatitëse për luftë, na ndizte me zjarr. Na deshte siç e deshëm. Zemërhapur, i zgjuar, pa fjalë, i thjeshtë, punëtor i palodhur …. Një vullent i pathyer, një guxim i madh dhe një vendosmëri e hekurt i qëndron rreth zemërbardhësisë së tij. Shok i të gjithëve …”.
Portreti i të gjithë Dëshmorëve që në fillesat e historisë sonë rezulton i ngërthyer me cilësitë e rralla të karakterit dhe formimit shpirtëror të popullit tonë. Trimëria, guximi, besa, fisnikëria, dashuria për njëri-tjetrin, stoicizmi në përballimin e vështirësive, këmbëngulja, vullneti i pathyer, ndjenja e sakrificës deri në sublimitet, e të tjera, i vesh Ata me aureolën e lavdisë së Kombit të tyre.
Për herë të parë 5 maji, me atributet e “Ditës së Dëshmorëve“ është kremtuar më 1945. Në çdo 5 maj në të pastajmen populli, me detyrimin moral, qytetar e atdhetar, me obligimin e shenjtë, përkulej me respekt në Lapidarët e Bardhë, në Lapidarët e Nderit të Kombit…Ledhatonte me nderim, obligim, mirënjohje, mallëngjim dhe dhembje mermerin e bardhë; vendoste mbi pllakën e mermertë tufa me lule… Në familjet e Dëshmorëve nga bashkëluftëtarët, bashkëshokët dhe drejtuesit e shtetit përkujtohej me respekt jeta e tyre e re, ashtu sikurse çmohej dhe vlerësohej sakrifica e tyre sublime. Pesë maji mbetet një ditë e veçantë në jetën e çdo vatre shqiptare, në kujtesën e të gjithëve dhe në historinë tonë. Me Pesë Majin mund të krenohen jo vetëm ata që i falën Atdheut dhe Lirisë pjesë nga thelbi i zemrës së tyre, por edhe çdo shqiptar, i cili gjen në Altarin e Lirisë dhe në Themelet e Kombit jo vetëm genin e tij Ilirian por edhe një gurrë jetësore në vijimësi !!!
Gjaku i 28 mijë Dëshmorëve të rënë në emër të Lirisë është i shenjtë dhe i shtrenjtë. Ai u derdh në Sarandë, në Vlorë, në Durrës, në Shëngjin, në Milot e Bahçallëk më 7 prill 1939 … Mandej ai u derdh në Çamëri dhe Grykën e Mezhgoranit, në Tendën e Qypit e në Borovë, në Reç e Lumë, në Kukës e Vishegrad… Ai u derdh në Ishëm, në Mushqeta, në Pojskë, në Gramoz, në Konispol, në Gerhot, në Tepelenë, në Berat, në Mat, në Pukë, në Tropojë dhe në Vermosh…Kudo Ai u derdh nën thirrjen-apel: “Përpara, shokë partizanë!“, e cila pas humbjes së gjakut gradualisht por me jetë, vinte duke u venitur deri në belbëzim, por gjithsesi kumbuese, emocionuse…: “Rroftë Liria!“, “Rroftë Atdheu!“, “Rroftë Shqipëria!”…. Ishin ëndërrat, dëshirat dhe amanetet e qëllimit fisnik për të cilin kishin hedhur krahut një armë !!! Ishin amanete për ata që do të jetonin pas tyre… Një amanet në pafundësi fisnik, drithërues, emocionues, obligues për respekt !!!
Çdo i rënë për Atdheun dhe Lirinë e meriton një lapidar! Secili prej tyre meriton disa vargje në këngë dhe mjaft rreshta në histori. Gjithkush nga ata meriton të kujtohet me respekt, por edhe me dhembje. Respekt për veprën heroike dhe trimërore që treguan; dhembje për jetën e tyre fare të re, për prindër, motrat, vëllezërit, bashkëshortet dhe fëmijët që lanë pas!!!
Ishin zemra të të gjitha moshave. Pati 13-vjeçarë, që e ndjenin veten të burrëruar para kohe!!!! Pati 18-25 vjeçarë, të cilët përbënin shumicën e tyre, që quheshin “të pjekur”!!! Pati 25-60 vjeçarë, që me të drejtë quheshin të mirëformuar!!! Por pati edhe 80-vjeçarë, që shoqëronin breznitë!!! …Ishin gonxhet në lulëzim që prisnin të shihnin atdheun të lirë, e në të cilin të kontribuonin për mbrothësi e përparim!!! Ishin lulja dhe fisnikëria e kombit, të etshëm për të parë popullin të lirë dhe për të punuar për përparimin e tij ekonomik, kulturor e shoqëror!!! Ishte pjekuria dhe përvoja në histori, që drejtonte me mençuri dhe vullnetplotë më të rinjtë!!! Ishin guximi dhe kurajua, për të gjithë pavarësisht nga mosha!!! Ishte fisnikëria dhe bujaria, që ëndërronte të bëheshin lapidar këto vyrtyte!!! Të gjithë ëndërronin Atdheun të lirë!!! Një Atdhe të vetëm ku i thuhet bukës-bukë; nënës-nënë; gjakut-gjak; lules-lule; jetës-jetë; fëmijës-fëmijë; nderit-nder; Flamurit-Flamur… Ky motiv i nxiti!!! Për këtë motiv e qëllim ishin gati të jepnin jetën, ashtu sikurse edhe ia dhanë!!! Me këtë motiv mbyllën sytë përjetësisht!!! Me këtë motiv belbëzuan fjalët e fundit: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Liria! Rroftë Atdheu! Rroftë Populli!“.
Për këtë datë të përzgjedhur si “Dita e Dëshmorëve të Atdheut” ka patur mjaft debate. Natyrisht historia e të rënëve për atdhe e komb nuk fillon këtu. Historianët kanë gjithë hapësirën e duhur të përzgjedhin një datë më në thellësi të historisë sonë. Mund të jetë njëri nga simbolet e periudhës së Rilindjes Kombëtare ose pararilindësit. Për N. Veqilharxhin, për Petro Nini Luarasin, për Th. Gërmenjin, dhe për shumë të tjerë, që janë evidentuar qartësisht si të rënë për Liri, për Gjuhë shqipe, për Prosperitet e të tjera ëndrra të mira, besoj se mund të bihet në dakortësi data e rënies së tyre si “Dita e Dëshmorëve të Atdheut”.