55 vjet nga vdekja e Mbretit Zog
Sot mbushen 55 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut, mbret i Shqipërisë.
Ai lindi në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895 dhe vdiq më 9 prill 1961, në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16:00 në moshën 65 vjeçare.
Zogu ka qenë lider qysh në moshë të re. Pas vdekjes së babait të tij Xhemal Pasha Zogu, ai në moshën 13- vjeçare u bë shef i krahinës së Matit. Duke vazhduar të jetë aktiv në mbrojtjen e Shqipërisë duke luftuar që nga viti i pavarësisë 1912-a.
Zogu edhe pse ishte shkolluar në Turqi, ai hoqi nga mbiemri i tij prapashtesën “olli”, duke e bërë mbiemrin nga Zogolli në Zogu. Në këtë rrafsh ai u mundua që të drejtonte Shqipërinë nga bota perëndimore duke e hequr edhe ferexhenë te femrat me ligj.
Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.
Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 Gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.
Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy.
Ai u betua (Formula e betimit):
“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.
Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 Prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi. Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 Maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët. Më 30 Qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 Maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilet pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët. Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi. Më 2 Korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 Gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 Qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në Hotelin Ritz dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 Mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.
Në pasluftë, më 29 Gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës.