”60% e Këshillit Kombëtar të PD janë të rinj dhe gra”, Berisha: Lëvizja qytetare në shesh vijon e pamposhtur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku ka komentuar protestën që po zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, si dhe zhvillimet e fundit brenda forcës që drejton.
Berisha u bëri thirrje mbështetësve demokratë që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si një lëvizje qytetare dhe rinore. Sipas tij, protesta ka vijuar pavarësisht presioneve dhe pengesave nga ana e qeverisë, ndërsa ka marrë edhe mbështetje ndërkombëtare.
“Çdo demokrate dhe demokrat duhet të marrë pjesë në frymën e saj si qytetar dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj”, u shpreh Berisha, duke vlerësuar rolin e të rinjve në këtë proces. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së foli edhe për zgjedhjet e reja në forumet drejtuese të partisë, duke theksuar se procesi synon një ripërtëritje të strukturave politike. Ai deklaroi se pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj të zgjedhur janë të rinj dhe gra, ndërsa shumica e drejtuesve të rinj marrin për herë të parë një funksion në strukturat drejtuese.
Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e votës së anëtarësisë në vendimmarrjen e partisë dhe falënderoi bashkëpunëtorët që nuk u zgjodhën, duke thënë se kontributi i tyre do të vijojë në role të tjera brenda PD-së dhe në proceset reformuese.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha komentoi edhe raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke pretenduar se dokumenti përbën një kritikë të fortë ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

