7 arsyet pse ligji i ri për arsimin e lartë falimenton dhe fundos universitetin publik,
Nga Artan Fuga
1. Nuk ka asistencë të huaj
Jam kritik dhe kundër projektligjit që po qarkullon lidhur me arsimin e lartë, sepse është i pamenduar dhe i pastudiuar fare. Është shumë i dëmshëm madje. Nuk na jep asnjë model konkret ku mbështetet, nuk ka asistencë të huaj dhe përbën një kapërcim krejt të kundërt me atë që u shpall gjoja si strategji nga një grup pedagogësh pranë ministrisë muaj më parë, pra hidhet nga një model liberal anglez në një model lindor, shtetit. Ka guxim më njeri ta quajë këtë projektligj si i ardhur nga një model anglez? Çfarë ironie dhe cinizmi! Merrni pra specialistë anglezë ta certifikojnë këtë lloj autoritarizmi universitar që politika do të fishkëllejë mbi kokat tona! Mos merrni shqiptarë që janë anglezë ose anglezë që janë shqiptarë! Me këtë ligj, bindja ime është se merr fund koncepti i universitetit publik që kthehet në Universitetin Shtetëror të Tiranës themeluar në vitet '50. Këto hedhje sa nga njëra anë në tjetrën dëshmojnë për mungesën e seriozitetit tê hartuesve që mbesin anonimë, për një çështje që ndofta ka të bëjë me fatet e kombit në shekullin në vazhdim.
2. Ligji i hartuar pa diskutim publik
Dhe këtë çështje kaq serioze kërkojnë ta kalojnë pa diskutim, pa debat publik, brenda një jave a disa javësh. Guxim i madh dhe përgjegjësi e rëndë mbarëkombëtare. Unë e di që diktatura e kartonëve në Kuvend mund të kalojë këtë ligj ose çdo ligj tjetër, por kush nga deputetët, apo kryetari i Kuvendit zoti Iliri Meta, apo kryeministri zoti Edi Rama, ose Presidenti, zoti Bujar Nishani, do të mendonte qetësisht se legjislativi ka autoritetin dhe legjitimitetin moral që të bëjë të hyjë në fuqi me forcën e kartonëve një ligj kundër të cilit shprehen fort dhe me shqetësim qytetar dhe profesional organizma kapitalë për arsimin e lartë mbarëshqiptar si senati i Universitetit të Tiranës dhe këshillat e profesorëve të fakulteteve të tij, dhe jo vetëm! Mendoni se pas kësaj do të flitej për demokratizim të Kuvendit? A nuk do të ishte pikërisht kjo dhuna e ushtruar në Kuvend apo nga Kuvendi, për të cilën flitet aq shumë dhe janë marrë aq shumë angazhime ???
3. Ligji në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare
Pa i hyrë kritikave nen për nen, nen që duhet thënë se janë redaktuar në mënyrën më amatoreske të mundshme nga ana juridike dhe gramatikore, theksoj se në tërësinë e vet projektligji vjen në kundërshtim me të drejtat themelore qytetare dhe me Kushtetutën e Shqipërisë, sepse hapësirën e lirisë të shprehjes, më shumë akoma, hapësirën e mendimit dhe kërkimit shkencor, lirinë e edukimit, e vendos direkt në kontrollin e pushtetit, të administratës burokratike-partitokratike dhe politizon duke vendosur nën kontroll të vetmen hapësirë të lirë dhe autonome në Shqipëri që është ajo universitare.
4. Thjeshtë restaurohen universitetet moniste
Unë nuk e shoh çështjen aspak si thjesht tekniko-pedagogjike, as si çështje ca rregullimesh me pudër bërë nga hartuesit anonimë, që nuk marrin guximin qytetar të vijnë në debat publik në universitete, por si një dëmtim i rëndë i sistemit të lirive dhe të drejtave qytetare në Republikën e Shqipërisë. Unë shoh nga hartuesit një tentativë restaurimi të Universitetit Shtetëror të Tiranës të viteve ’80-të, nga i cili ka dalë shumica e klasës politike të sotme. Është një proces restaurues. Ne kalojmë me rrezik një fazë restaurimi me këtë tekst që na paraqitet. Unë nuk mund ta imagjinoj se kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, liberalizmin e shëndoshë të të cilit e kam njohur mirë kur ai ishte pjesë e arsimit të lartë, do ta pranojë pa e flakur tej duke u ngritur në këmbë me shqetësim këtë projekt-ligj që nuk dëmton vetëm kombin, por edhe vetë qeverinë, vetë atë.
5. Nuk adreson problemet e vërteta të arsimit
Nga ana tjetër, unë jam nga ata pedagogë që mendoj se gjendja e arsimit të lartë është në degjenerim e sipër dhe ka akumuluar shumë probleme për të cilat kam vite që flas. Sepse politika dhe burokracia nuk na lejon të veprojmë. Na pengojnë duke na vendosur pengesa politiko-administrative. Edhe një revistë universitare sot po të botosh, ligjet në fuqi na detyrojnë të shkruajmë artikujt dhe t'i bëjmë studimet në funksion të çmimit mizerabël të tenderit të fituar nuk e di se ku e nga kush, dhe jo të jepet buxheti në funksion të trajtimit shkencor të çështjes. Është njësoj si të shkosh në një restorant dhe të zgjedhësh gjellët duke parë vetëm kolonën çmime pa parë se çfarë ha. Kjo është gjendja, skandaloze. Pedagogët janë të pakënaqur, studentët po ashtu, familjet e shqetësuara. E si përgjigje ne kemi vetëm disa dalje mediatike dhe propagande boshe të personave që duhet ta shohin çështjen me përgjegjësi qytetare personale. Përgjegjësia është aty, nuk mund ta heqësh si pallto të vjetër dhe ta zhdukësh.
6. Fundos cilësinë e arsimit duke e kthyer në agjenci propagande
Por, dalja e universiteteve shqiptare nga kjo gjendje nuk bëhet dot me metoda menaxheriale të një stalinizmi latent, të një putinizmi lindor, sepse atë që mendon se nuk e bëjnë dot profesorët mos shpreso se do ta bëjnë nëpunësit e agjencive dhe bordeve shtetërore, politiko-administrative, me logjikë vertikale dhe perandorake. Ky ligj përfundimisht do ta vinte në gjumë demokratizimin e arsimit shqiptar, do ta fundoste përfundimisht cilësinë e tij dhe do ta kthente universitetin në një altoparlant propagande. Cilësia e mësimit dhe e kërkimit shkencor do të matej me përputhshmërinë e saj me programet politike të partive në pushtet që emërojnë nëpunësit jo të një ministrie a gjysmë ministrie që është sot, por të nja pesë a gjashtë ministriçkave të vogla, tentakula, thithëse, që supozohet se do të krijohen nesër.
7. Defekte të mëdha procedurale
E thashë edhe njëherë, nuk e shoh si çështje teknike, sikurse e ka parë senati i Universitetit të Tiranës, por si çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat politike të qytetarit. Për të mos thënë se edhe nga ana proceduriale ky projektligj është i parecevueshëm nga Kryesia e Kuvendit sepse në procesin e paraqitjes së tij që tani ka defekte madhore proceduriale, ai nuk është konsultuar paraprakisht me aktorët e fushës, me qendrat e interesit, ne jemi ndodhur nën presione, të kohës, nën sharje e akuza nga ana e grupit të gatshëm të pedagogëve të mobilizuar, me presione të ndryshme administrative, me presione mediatike dhe me pengesa që vijnë nga shërbyesit tanë, punonjësit e lartë civil. Ky është konsultimi me aktorët e interesit??? T'i mbash ata nën presion psikologjik dhe administrativ permanent? Ja përse jam kundër dëshirës për pozitivitet, tërësisht kritik ndaj projekt-ligjit në fjalë: Universitetet vihen nën komandën e partisë në pushtet. Edhe për sot edhe për mot!
Gazeta "Sot"