7 ide për qytetet, atyre që duan t’i marrin
Nga Alfred Lela
Lagjia e vjetër, lagjia e re
Përtej çdo nostalgjie për të shkuarën e para viteve ’90, fëmijët e asokohe e fillonin ‘jetën e lirë’, në lagje, në sheshet e brendshme të blloqeve të pallateve, ku pasditeve e deri në mbrëmje vonë, derdhej gjithë energjia e brezave dhe qyteteve. Nuk kishte asgjë madhështore te këto sheshpushime përveç një radhe pemësh, disa stolave e ndonjë këndi ku fëmijët, më shumë se i kishin, i shpiknin lojërat. Mungonin mjetet e lojës, por ekzistonte hapësira. Kaq duhej për imagjinatën dhe lirinë. Sot mjetet janë të shumta, por mungon hapësira. Imagjinata është ngushtuar aq sa për të skicuar arkëmortin e vet. A mund të kthehen ato lagje idilike të fëmijërive të shkuara? Paradoksale do të qe të thuhej ‘po’, sa kohë u përmend ‘zhdukja e hapësirës’. Megjithatë mund të luhet me atë që ka mbetur. Qytetet tona, sidomos të mëdhatë janë hepuar nën peshën e betonit dhe fillimit nga zero i ka ikur rasti. Por ndoshta një ‘zgjidhje skandinave’ mund të na shpëtojë. E kam fjalën për shfrytëzimin që skandinavët iu bëjnë hapësirave të vogla me anë të një arkitekture minimaliste. Në hapësira të vogla nuk mund të operosh veçse me minimalizëm. Ai pako vend që ka mbetur mund të ripaketohet e estetizohet: pak pemë, pak stola, një çezmë, një kosh basketbolli. Vullnet dhe imagjinatë duhet. Dëshirë për të bukurën, doemos.
Strehë ‘vorfnore’ për të gjithë ata që shesin
Njerëz që të këpusin shpirtin, fëmijë apo pleq, zënë çdo ditë, pa orar të caktuar, një cep diku në një rrugë, dhe me një stol e një banak sa një kuti shkrepëseje, shesin cikërrima. Ata nuk janë vetëm një thirrje për mëshirën, por edhe për praktikat sociale të derregulluara. Janë shenjë e varfërisë, por edhe e një epoke të fillimit të hapjes së Shqipërisë, viteve ’90, ku tregtia u bë gjuetia dhe pasioni i të gjithëve. Shumë prej atyre që shisnin fara e çokollata të skaduara ‘Hilal’ sot janë grosistë të mëdhenj. Ata që dalin sot në rrugë nuk e kanë kurrkund në sy këtë ëndërr. Jepen çdo ditë në mes të rrugës për bukën e tri herëve. Këtyre ‘pushtuesve të vegjël’ u shtohen zullumqarë të mesëm, ata që shesin në tregje informale të ngritura nëpër pika nevralgjike të qytetit. Nëse ua prish njëherë, ata e ngrenë prapë tendën e tyre ilegale. A thua është sak e vështirë që të gjitha këto tregtiza e tregje të inkorporohen në disa pika shitjeje të mëdha në të katër anët e qytetit, ku t’u vilet një taksë, por edhe t’u krijohen disa kushte? Të përqendruar diku, që të mund të kontrollohen jo vetëm për siguri shëndetësore, por edhe të jetës. Të mos jenë kërcënim as për konkurrencën, dhe të gjithë të marrin me qira një hapësirë sipas mundësive dhe shtrirjes së aktivitetit? Nuk duhet një nga ato sistemimet e pamundura; as një nga ato shpenzimet e mëdha. Sa hapësira nëpër qytete, dikur ndërmarrje apo fabrika të socializmit i bëjnë hije mizerjes së të resë me trishtimin e së vjetrës?
Mjedisi, kundër urrejtjes për gjelbërimin
Me mjedis të mos kuptojmë vetëm të gjelbrën me të cilën, duhet thënë, jemi një qytetërim në luftë. Kjo është shenja më e madhe e primitivizmit tonë. Kafshimet e mbinatyrshme që i kemi bërë natyrës, janë po aq niçeane sa skizofrenitë dhe gjenialiteti i Niçes bashkë. Atë që në rrethina ua kemi bërë masiveve pyjore apo kodrave të ulëta, në qytet ia kemi bërë hapësirës duke e ngushtuar e betonizuar. Në verë, natën, nëpër qytet, dritat e makinave përshkojnë një re tymi. Prodhuesve të makinave ndoshta u duhet ky opsion për tregjet e vendeve si Shqipëria, India etj: jo drita antimjegull, por antipluhur. Një moratorium i ndërtimeve, një sprovë e Bashës që dha rezultate në mjedisin e Tiranës duke i ulur ndjeshëm treguesit e ndotjes është një fillim i mirë. Por, pa rregulluar lagjet e brendshme, çdo përpjekje në rrugët kryesore është si makijazh mbi një grua që rri në shi. Pemë, sa më shumë pemë, pemë deri në monotoni do të qe hapi i tretë. Tirana dhe qytete të tjera të mëdha e të vogla janë përballur me një koncept idiotesk të parqeve. Hapësira që i quajnë sheshe janë në fakt qindra metra katror me beton e tulla dhe ndonjë pemë aty-këtu. Tullishte në vend të lulishteve, i thonë kësaj. (Një e tillë te Xhamlliku është ilustrimi më i mirë).
Çfarë do rinia?
Një anketim i javëve të fundit kryer nga Olof Palme International Center me të rinj të disa qyteteve në jug dhe në veri të Shqipërisë, zbulonte disa fakte interesante në lidhje me atë se çfarë do rinia e qyteteve. Nuk kishte në kërkesat e të rinjve asnjë ‘ëndërr të madhe’, por sëmbime të thjeshta si një kinema aty ku mungon, një qendër polifunksionale, vija të bardha, semaforë që punojnë, mjedis të pastër dhe pjesëmarrje në administrim. Më saktë përfshirje në demokraci, pra përfaqësim. Rinia shqiptare është minimaliste dhe nuk kërkon qiqra në hell, ndoshta edhe se është lodhur nga tregtarët me shumicë të qiqrës, dmth kandidatët e këtyre 25 viteve. Megjithatë, ky është një sinjal për një tipologji të re të ofertës. Jo më ‘zgjidhje të reja, zgjidhje të mëdha’, por ‘zgjidhje të reja, zgjidhje të vogla’. Premtimi i Eldorados ndoshta është edhe kushtëzim i ‘të nxehtit’ të fushatës më shumë sesa mashtrim i hapur, por mbetet gjithsesi një rëndesë në fjalorin politik.
Qytete të jetës/ qytete të parasë?
Qytetet tona, që u dhanë në kapërcyell të shekullit me brinjë të dalë nga ai skamnim i gjatë dhe i lodhshëm i socializmit utopik shqiptar, adaptuan një kapitalizëm ku bashkohej çarturia e wild west-it amerikan me një laissez faire ballkanas. Kuptimi i jetës u bë paraja dhe rrugët që të çonin te pasurimi ishin të vetmet rrugë. Piramidat financiare të mesviteve ‘90 ishin lythat e dëshirës mbarëkombëtare për pasurim të shpejtë. Trafikimi i vajzave shqiptare e të huaja ishte, përveç simptomë e ethes së arit, një hiperseksualitet shqiposh trysnuar nga familja dhe nga mungesa e lirisë seksuale. Ndoshta më shumë kjo e fundit: hakmarrja për pritjen e gjatë në brigjet e çmendura të seksit të pakonsumuar. Këto dy devijime i dhanë formë qytetit shqiptar. I cili është fallusik në arkitektonikën e vet dhe hiperseksual në sjellje. E gjitha dëshmi e mosdjegies së plotë të dëshirës seksuale. Shoqëria është si makina: motori i saj me djegie të brendshme do katalizatorë. Kur ata mungojnë, nuk mund të gjeni tjetër përveçse Tiranës dhe Durrësit. Shëmbëlltyrave të Ramës dhe Dakos. Kontrasti në gjatësi mes të dyve nuk e çmonton frojdizmin e përkufizimit. Betoni është sperma që ata kanë derdhur mbi trupat e qyteteve.
Qyteti që nuk parkon dot veten
As trafiku, as lagjet, as mjedisi, as koncepti i qytetit, nuk ngrihen e as rregullohen pa parkingjet. Pa to qytetet e mëdha, e sidomos Tirana, nuk do bëhen hapësira të një jete cilësore. Nistoret e Tiranës, Sauku, Dajti, Kthesa e Kamzës, Kombinati janë piketat ku ende ka hapësirë dhe jemi prapë në kohë për superparkingjet. Terminali multimodal i skicuar nga administrata e Bashës është një tjetër alternativë. Sidoqoftë, parkingjet duhet të jenë të shoqëruara me një terminal të transportit urban. Kjo do e shfrynte trafikun e qytetit, por edhe do krijonte mundësinë e administrimit të hapësirave të brendshme për parkim duke futur konceptin e ‘parkimit për rezidentët’. Parkimet me pagesë në të gjithë qytetin nuk janë këmbë në fyt por çlirim. Kjo do ta dekurajonte shqiptarin e motorizuar vonë, që edhe për të pirë një kafe 500 metra më tej t’i hipte makinës. Ndoshta një ‘kafe’ që do i duhej t’i paguante taksë bashkisë do e frenonte. Bashkive u duhet të bëjnë një pakt me ndërtuesit, të cilët ‘mbajnë peng’ katet e nëndheshme duke subvencionuar një ulje të çmimit për garazhet. Kjo do të mundësonte që rezidentët të mund të çlironin lagjet, duke u gjetur strehë makinave nën ngrehinat ku banojnë.
Integriteti, joqesëndi për burrat e mirë
Figura e kryebashkiakut dhe kryekomunarit,është futur tashmë, me të drejtë në shumicën e rasteve, brenda tipologjisë së dallkaukut, mashtruesit, hajdutit, barkderrit e me radhë. Qytetet tona janë në fakt dëshmi terrorizuese e mungesës së vizionit, vullnetit, dëshirës apo dijes në fushë të menaxhimit apo në lëmë të humanes. Dy gjëra kanë munguar në ditarin e administratorëve të qyteteve: transparenca dhe integriteti. Transparencë për punët publike, projektet e zhvillimit, pse kjo zgjidhje e jo një tjetër, apo edhe pse asnjë zgjidhje. Integriteti ose mungesa e tij është pasqyruar thekshëm te raporti i zhdrejtë mes statusit social në fillim dhe atij pas lënies së zyrës. Shumë barktharë janë parë të shndërrohen, si në fabula, në kreatura të shpërpjesëtuara. Në shpërpjesëtim me të ardhurat zyrtare kanë patur edhe pushimet, vilat, makinat e me radhë. Dëgjon shumë premtime në fushata elektorale, por ende nuk ta zënë veshët atë të ndershmërisë. Madje kur ka ndonjë kandidat të ndershëm dhe burrë të mirë fillon qesëndisja. Edhe vetë kryeministri Rama e ka guxuar një shpoti të tillë. “Nuk kam motër për t’i dhënë në është burrë i mirë”, ishte pak a shumë batuta e tij për kandidatin kundërshtar të Tiranës.
Kur kemi prova se burrat jo të mirë nuk kanë qullosur gjë në administrim, pse të mos provojmë një burrë të mirë? Të paktën nuk do të vjedhë.
MAPO