7 tipologjitë e kandidatëve për 61 bashkitë e vendit
Nga Alfred Lela
‘Të fortët’ ose mesatarët e të gjitha mesatareve
Me ‘të fortë’ mund të kuptosh dy tipologji të kandidatëve të paraqitur nga partitë politike në garën e zgjedhjeve vendore. I pari lloj është ai që e ka kapur skenën me anë pasurish të vëna nëpërmjet trafikut, vjedhjes, përdorimit të forcës apo çdo forme tjetër të kundraligjshme. Të tillë i gjen në Parlament, por edhe si stolisës në listat e saposhpallura të kandidatëve për bashkitë e vendit. Lloji i dytë i ‘të fortit’ është ai që mund të etiketohet simesatarja e të gjitha mesatareve. Domethënë dikush që nuk spikat në asgjë, por është ngapak në të gjitha. Pak kodosh, pak trim, pak i zgjuar, pak i njohur, pak i paturp, pakgentleman, e me radhë. Këto tipare në pakicë, të gërshetuara, përbëjnë të preferuarin e partive politike. Këta i bëjnë të mundura fitoret aty ku ngjajnë të pamundura edhe humbjet me nder. Ata u sigurojnë partive akses lokal dhe burime financiare që në kushte normale kërkojnë vite për t’u akumuluar. Provinca e re e Shqipërisë, ajo e dalë nga tranzicioni, përshtatet me këtë tip kandidati. Ai është fitimtari në një varg ditësh që ofrojnë kryesisht humbje, monotoni dhe mizerje. Partitë, gjithashtu të mjera, e kanë kapur këtë antropologji.
Të pavarurit ose ish-partiakët e pakënaqur
Të pavarurit janë, në masën më të madhe, ish-partiakë të pakënaqur me partitë e tyre. Tirana ofron dy raste ilustruese: Gjergj Bojaxhiun dhe Arben Tafajn, që të dy buzëvarur me partinë Demokratike. I treti, Sazan Guri është një Don Kishot i së gjelbrës, por nëse origjinali kërkonte shkatërrimin e mullinjve të erës, dytësi ynë është në ethen e ngritjes së tyre dhe të kauzës Go green. Të pakënaqurit e dalë më vete nuk duhen parë megjithatë me paragjykim. Ata i shtojnë dhe jo i heqin demokracisë. Nëse dëmtojnë dikë, kjo është njëra nga palët e mëdha politike, por jo elektoratin. Ata janë një shtysë që të pakënaqurit në opinion, ata që përndryshe do të abstenonin të mos e djegin votën e tyre. Një valvul shkarkuese pra që kongjestioni i pakënaqësive ndaj sistemit të mos shndërrohej në revolucion. Kësisoj ata janë bij të evolucionit dhe mbrojtës të tij.
Ish-kryekomunarët: me formulën e re si rishpiken rrotat?
Komuna është ‘fshirë’ si njësi administrative pas ndarjes së re territoriale. E ç’mund të ndodhte me ata qindra kryekomunarë të Shqipërisë, të cilët sundonin në pothuajse çifligjet e tyre duke hequr osh ndjesinë e gjithëpushtetshmërisë? Një pjesë e tyre, ata më të shkathëtit, ata mesatarët e të gjitha mesatareve iu bënë liane idesë se mund të shndërroheshin në kryetarë bashkish. Disa prej tyre iu është besuar kjo sfidë. Disave ndër këta disa do t’u buzëqeshë fati sepse bashkitë që kërkojnë janë qytete të mpakura që nuk kanë më shumë banorë se komunat, e shtrira në disa fshatra, që ata drejtonin. Të drejtën e paragjykimit nuk do t’ia heqin dot megjithatë asaj grigjës qytetëse, votën e së cilës do të kërkojnë. Do të jetë një eksperiment i hatashëm social përimtimi i pranimit dhe i refuzimit të këtyre bajraktarëve të vegjël, të cilët bien në çarshi pa shumë dijeni për urbi et orbi. Por, me galdimin e zakonshëm që i jep syrit mundësia për plaçkë e territore të reja e të zgjeruara.
Gratë, Hirushet në kërkim të këpucës politike
Dymbëdhjetë, sa apostujt, është numri i grave në garë për 61 vende në krye të bashkive të vendit. Vetëm 2 u përkasin Demokratëve të qendrës së djathtë, Grida Duma për Durrësin dhe Voltana Ademi për Shkodrën. Dhjetë të tjerat janë të së majtës, përfshi këtu edhe një të PDIU, parti që kaloi nga e djathta në anën tjetër. Më e spikatura ndër to është Grida Duma e PD, një grua me pak vite angazhim politik, por që i kanë mjaftuar për të qenë ylli i ri i së djathtës. Spikama e garave, edhe atyre që përfshijnë burrat, i shkon Shkodrës. Aty dy gra, Voltana Ademi deputete e PD dhe Keti Bazhdari biznesmene që konkurron nën shenjën e PS, do të kërkojnë skeptrin e bashkisë më të rëndësishme të veriut dhe një prej qendrave të mëdha urbane të vendit. Të tjerat janë pothuajse të panjohura për publikun kombëtar, përjashto një njohje me pakicë të Adelina Faricit, kryebashkiakes socialiste të Burrelit, që garon për herën e saj të dytë në bash të punëve të qytetit verior. Aktualisht vetëm një qytet, Burreli, qeveriset nga një grua. Një qytet tjetër, sërish verior, do të jetë nën patronazhin e një gruaje sidoqë të shkojnë punët: Shkodra.
Deputetët, a po bëhet periferia qendra e re?
Fakti që disa deputetë kanë preferuar t’i largohen qendrës për t’iu afruar periferisë, tregon shumë për natyrën e pushtetit. Ai kërkon të vetëshprehet me anë të mjeteve të cilat të çojnë te synimet. Këto të fundit mund të jenë disa, por ekonomiket janë sundueset. As thjesht e as bukur nuk është, por jetojmë në epokën e babëzisë. Ndarja administrative e vitit të kaluar u ka dhënë bashkive të reja, pjesës më të madhe, më shumë burime e fonde. Më shumë territor dhe rrjedhimisht edhe më shumë peshë politike. Për këto arsye kryebashkiakët e ardhshëm mund të shihen edhe si guvernatorë apo kryeministra në miniaturë. Një tjetër motiv që i shtyn deputetët të lënë mandatin për bastin e një gare lokale së cilës nuk i dihet rezultati, është edhe largësia e tyre me aulat ku merren vendimet. Vetëm pak deputetë në të dy krahët janë afër me qendrat e pushtetit. Të tjerët janë një ndër 5 apo 6 deputetë të zonës së tyre apo një ndër 140 anëtarët e Kuvendit. Të parët e fshatit, në kushte të tilla, merr vlerë.
Renegatët, tregtarë flamujsh me pakicë
Tregtar flamujsh, për të cituar Ernest Koliqin, mund të quhen ata kandidatë që kjo garë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit i gjen nën ngjyrën e dytë apo të tretë partiake. Dy janë mundësitë: ose ata nuk bëjnë dot pa pushtetin, ose zgjedhësit nuk bëjnë dot pa ta dhe partitë nuk i kuptojnë. Në kësi kushtesh ata, tribunë të vegjël të vegjëlisë, për hir të interesit publik ndërrojnë parti, por kurrë dashurinë për popullin (!). Këta personazhe, të njëqind flamujve e të asnjë bese, janë më piktoreskët ndër tipat e kandidatëve. Ata i mbështjell ajri i kopukëve dhe përunjësia e shenjtorëve të rremë; janë të leshtë për të kuptuar shumë gjëra, por e nuhasin aromën e hollë të forcës dhe pushtetit edhe në një dhomë ku sundon duhma e djersës; ata janë parapolitikë, por në të njëjtën kohë zanatçinj dhe për këtë nuk u duhet asnjë profesion apo art. Mbi të gjitha, e dinë se renegatët e paguajnë një ditë, por paguhen më shtrenjtë se të gjithë.
Intelektualët; edhe listat peticione janë?
Në fillim është e ndershme të shtrohet pyetja: a ka intelektualë në listat e partive për zgjedhjet e 21 qershorit? Nëse marrim si masë paradigmën sockomuniste, sipas së cilës kush mbaron një shkollë të lartë është intelektual, përgjigja është afirmative. Nëse na prin një prej formulave të fjalorit Merriam-Webster në lidhje me konceptin intelektual, na del se i tillë është dikush i përfshirë në veprimtari që kërkojnë përdorim krijues të intelektit. Të këtillë kemi pak ose aspak. Partitë politike në Shqipëri kanë futur në punë një koncept shumë efemer për intelektualin, duke konsideruar më së shumti paradigmën sockomuniste të para viteve ’90. Kjo mendësi (totalitariste) ka prodhuar një dramë në raportet inteligentsia-politikë në vend. E shpreh këtë më së miri anekdota se kryeministrat shqiptarë i marrin në punë këshilltarët për t’i këshilluar. Apo rasti tjetër fatkeq: ai i peticioneve politike për të cilat gjenden gjithmonë intelektualë të grupit të gatshëm në të dyja anët?
Gazeta "Mapo"