70 vjet OKB, Posta emëton një pullë të posaçme

 

Posta Shqiptare me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të emetoje një pullë postare të posaçme, e cila do të dalë në qarkullim me datën 24 tetor 2015.

Emisioni i kësaj pullë përbëhet nga një se ri me një pamje, një tabak të përbërë prej nëntë pullash, si dhe nga zarfi i ditës së parë.

Dizanji i bocetit është realizuar nga autori Spiro Vllahu dhe ka një vlerë prej 180 lekësh. Tirazhi i kësaj pulle postare është 105000 pulla si dhe 300 copë FDC ( Zarfi i ditës së parë).

Posta Shqiptare ka ekskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, deklaroi se Posta Shqiptare shpreh kënaqësinë e emetimit të kësaj pulle me rastin e e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen nëpërmjet pullës postare shqiptare të pasqyrohen ngjarje të tjera të rëndësishme historike, kulturore, sportive, etj, të vendit tonë dhe ato ndërkombëtare.

Organizata e Kombeve të Bashkuara

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizata më e madhe në botë, e cila u themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në 24 tetor 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore (ShBA, Kina, Anglia, B. Sovjetik dhe Franca), me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë. Ajo përbëhet nga 193 shtete.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol të madh në uljen e tensioneve në një botë të polarizuar. Pas rënies së Murit të Berlinit, OKB-ja ka mundur të ruajë autoritetin e vet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në rendin botëror. Pranimi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara më 14 dhjetor 1955, përbën padyshim një nga ngjarjet e shënuara në historinë e vendit. Menjëherë pas anëtarësimit, Shqipëria mori pjesë në mënyrë aktive në punimet e organeve dhe agjencive të specializuara të OKB-së. Shqipëria mban misione të përhershme diplomatike pranë selisë të OKB-së në Nju Jork dhe zyrave të OKB-së në Gjenevë dhe në Vjenë. Gjatë aktivitetit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria u ka kushtuar rëndësi të veçantë çështjeve që lidhen me ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zbutjen e problemeve ekonomiko- sociale, të mbrojtjes së mjedisit etj.

Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2015-2017 dhe kandidon për anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023 si dhe për Zëvendëspresident i Asamblesë së Përgjithshme të OKB për Sesionin e 75-të të saj.

SHKARKO APP