8 Marsi, Ajkunat dhe Rozafat
Nga Namik Selmani- Bashkë me botën prej shumë vitesh bëmë një festë për vajzat, nënat, motrat e gjyshet tona që është 8 Marsi. Ia gjetëm një ditë në prag të një pranvere shqiptare që vjen me lule me shpërthim blerimi me mugëllimën e filizëve të bimëve.
Me fytyrëkuqjen që jo gjithmonë e kemi dashur për të na ka ardhur deri në ditët tona një urti dashakeqe gati vrastare popullore: “Kur lindnin vajzat, qanin dhe trarët e shtëpisë”.
Besojmë se ka ikur ajo kohë. Mbase nuk do te vijë më kurrë.
Kemi bërë kuvendet, po nuk i kemi thirrur t;i dëgjojmë. Ato kanë qenë larg. Rrinin diku te kuzhina, mes tymit që lëshonte zjarri, në grykën e furrave ku piqeshin bukët, ku përgatitnin bukën ku ndiznin furrat ku mbusheshin e zbrazeshin gotat e rakisë që rrufiteshin me shumicë në odat e burrave.
Ato ujdisnin zahiretë e dimrit. Dikur në disa vende ( besoje, o njeri!) për hir të mikpritjes, gruaja e shtëpisë do të vinin të lanin dhe këmbët e mikut edhe pa e njohur fare atë. Mjaft që kishte ardhur në kulmin e shtëpisë.
I besuam lindjen e fëimjës dhe për shumë vite i vlerësuam virgjërinë femërore. Aq sa dhe në sofra tryeza mund të besoheshim nëse do të betoheshim
“Për nder të familjes!”
I besuam natën e fundit të të vdekurit. Të atij të dashuri që ikte mes lotëve të grave të veshura me rroba të zeza si pendët e korbit aq sa dhe leksiku u shtua me një fjalë të tillë “korbëzeza”.
I besuam ninullat mbi djepe e fjalëëmblat e tyre. E ka qenë dhe mbeten ligjërimet më të rralla të lirikës popullore.
I besuam furkën e leshit dhe gjilpërën e qepjes dhe të qëndisjes . Trikot e leshta që viheshin në trupat tanë të djersitur apo dhe të çorapeve që visheshin para se të merrnin udhë të largëta.
I besuarm tavolinën e bukës. Atje ku urimi ulet këmbëkryq.
I besuam urimin e dasmës, të synetit, të bekimit, të Emrit të një fëmije të lindur..
I besuam, rrobat për t’i larë qoftë dhe me hirin e vatrës që vihej në ujë për ta përgatitur pas disa ditëve.
Dhe ata u kërrusën bukurisht në peshën e furkës dhe të govatës. U kërrusën para fëmijëve tek u jepnin sharmin hyjnor për t;i rritur ata sa më të shëndetshëm
Dhe ato më të pagjumat e shekujve kalonin netët mbi një fytyrë fëmije.
Bëmë pajtimet e gjakut pa i futur në pjesë të mençurisë sonë. Ato duhet të ishin në gatishmëri për të na bërë Drekën e Pajtimit.
I besuam Filxhanin e falltores e në kohët moderne atë të orakujve të së nesërmes
U befasuam me mirësinë e tyre.
E morëm nusen nga larg. Herë të hipur mbi kuaj ku nuk harruam që të vinim dhe një shami dasme me lule. Herë i hipëm dhe në qerre. Në kohët moderne i hipëm në makinat më luksoze të kohës.
Bëmë pushtet aq sa mundëm, por gati asnjëherë nuk I vumë në rolin e krpepakiut . Edhe snë nuk ishte në karriken e kryeplakut. Jo, nuk ia besuam atë detyrë.
Madje dhe në kohët moderne kur ajo, vajza, gruaja, kishte e ka një mençuri dhe arsim më të plotë se burri , sërish nuk e vumë. Bëmë bashkitë, por prapë me gishta numurojmë gra-krypleq me një vulë fshati në një zyrë apo në një xhep.
Me gishta numurohen sot dhe kryetarët e bashkisë.
Të gjithë ia pranojmë forcën, hiret, mençurinë finesën, por prapë shpesh atë e shohim si kukull në ditënetët e jetës sonë.
U ulëm në gjunjë para tyre si nënë. Kur nxitojmë udhëve të kurbetit, të fundit që na mbetet në sy dhe në buzët e dridhura nga ai emocion i madh është ajo e nënës, e motrës, e gruas. Në valixhet tona që dikur ishin kuleçët e ngrohtë disa petulla, me djathë që na rrinin në to për t’i ngrënë në urinë e madhe që të japin rrugët e largëta/.
Me lotët e nënave shqipe bëmë AJKUNAT, ROZAFAT, DHOQINAT. A ka
Dhimbje më të madhe se ajo e Ajkunës në eposin botëror?A ka pabesi më të madhe dhe një forcë kaq e madhe shpirtërore se ajo e Rozafës?
Dikur i veshëm rrobat e ushtarit. Për një luftë që kurrë nuk erdhi. O, sa energji morën udhët e stërvitjes ushtarake ku ato mund të rrinin në auditore universitetesh.
Ia pamë ehon e shpirtit në poezi, në dramë në roman. Një letërsi feministe mbetet sa e virgjër aq dhe borxhlinj ndaj jetës së saj dhe shoqërisë.
E prapëtë gjithë artistët tanë nuk e kursyen vargun e tingullin, ngjyrën e daltën. Mirë bëmë. Mirë duhet të bëjmë dhe më tej.
Sërish 8 Mars. Dikur në lokalet e mbushur me lule pije çokollata me hire të shumta festohet.
Mes kësaj lumturie që na jep prania e një vajze, e një gruaje , e një nëne, e një gjysheje sikur e harrojmë kurorën që asaj i takon jo vetëm në këtë ditë të fillimit të pranverës, por në të gjithë ditët e vitit. E ne, të gjithë, por dhe ata që vijnë më pas, duhet të themi me plot zë se çdo ditë e vitit duhet të ketë Monumentin e urimet për nënat, motrat, vajzat tona.
Gëzuaaaar!
Tiranë, 8 Mars 2016