80-vjetori i lindjes, pa Artistin e Popullit Skënder Sallaku

Nga Zenepe Luka

 

Kishte bërë plane, listën e të ftuarve, për ta shndërruar në një dasëm ditëlindjen e 80-të të jetës së tij. Por Skënderi nuk është më. Është familja, janë miqtë e kolegët, por edhe Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, pjesë e të cilit ai ishte, që do ta kremtojnë  ditëlindjen jubilare pa Skënderin, ku nuk do të mungojë as humori i tij, përcjellë në një dokumentar enkas për këtë ditë të shënuar. Kështu, më 25 janar, në orën 11.00. në sallën e Teatrit “Metropol”, drejtoria e këtij Teatri, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, organizojnë aktivitetin në nderim dhe kujtim të Artistit të Popullit, Skënder Sallaku. Dhe disa orë para këtij eventi, kanë folur ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë” …

 

Nderi i Kombit, Margarita Xhepa

 

“Ai la pas buzëqeshjen…”

 

“Talenti ka lindur me Skënder Sallakun. Sigurisht talenti lind, por ky artist i madh e zhvilloi, e përsosi me punën e tij, me kërkesat e mëdha që kishte. Ai është shfrytëzuar edhe nga artdashësi që e ka duatrokitur nxehtësisht, sepse Skëndër Sallaku ka realizuar me mjeshtërinë e tij në përsosmëri rolet e veçanta që ka sjellë në skenën e Estradës së Shtetit gjatë gjithë karierës së tij. Nuk e them vetëm unë, karakteret që ka interpretuar ai janë të qëndisura. Siç ishte një fshatar, nuk ishte një tjetër, ashtu edhe qytetar. Skënder Sallaku, përveç talentit, kishte një plastikë shumë të veçantë, një vështrim i syve të tij ishte i jashtëzakonshëm, fliste me sy. Përveç një game karakteresh, ai ka bërë edhe shpoti, ironi, duke vënë në lojë personazhet. Kush tjetër solli këtë humor kaq të këndshëm sa Skënder Sallaku? Jo vetëm ne kolegët e tij, miqtë, por edhe çdo qytetar, kur kujton Skënder Sallakun, buzëqesh. Ai dhuroi buzëqeshje, dashuri e mirësi, jo vetëm si artist i kalibrit të lartë në fushën e humorit, por edhe si njeri. Janë këto shkaqet që  njerëzit ndiejnë dhimbje, që ka krijuar boshllëku pas ndarjes së  tij nga jeta”.

 

 

Regjisori Mihallaq Luarasi

 

“Ai është produkti im dhe pikë”

 

“Në vitin 1960, u emërova regjisor në Estradën e Shtetit. Megjithëse isha në Teatrin Popullor. Më çuan atje për të vënë në vijë problemet që kishte Estrada. Në atë kohë, Skënder Sallaku ishte akrobat, jo aktor. Telat Agolli ishte seriozi, ndërsa Skënderi ishte shakaxhiu. Kujtoj batutën e tij të përhershme: Telat, e pat. Me nuhatjen time, zbulova tek Skënderi se ai kishte talent për aktor. Bisedoj me të, duke i shfaqur mendimin tim, mirëpo konstatoj që ai kish difekte me gojën, çka përbënte një mangësi, pasi aktori duhet të jetë perfekt për gjithçka. E dërgova tek dentisti, që vuri re anomalinë e cila ndikonte në paqartësinë e fjalës. Atëherë shkova në Bankën e Shtetit shqiptar për të kërkuar flori, që të rregullonim dhëmbët e Skënderit dhe për pak kohë, ai u bë me dhëmbë floriri, çka bëri që t’i rregullohet edhe i foluri. Dhe filloi të marrë vlera të tjera në trupën e teatrit të Estradës.  Shfaqja më e madhe që kam bërë unë si regjisor me Skënder Sallakun ishte  ajo me titullin “Biografia”, që merrej me jetën e një personi deri në qelizë, shfaqja më e suksesshme në ato kohë, që u shfaq pa pushuar për një gjysëm viti. Skënder Sallaku u bë një aktor me talent dhe ishte shumë punëtor. Në Estradë ishte edhe një tjetër artiste brilante, artiste e cirkut, një akrobate e famshme,Vitore Rasha, që më pas u bë bashkëshortja e Skënderit. Ai vazhdoi të ishte dhe siç mbeti, një nga aktorët më të fuqishëm, aktor i vërtetë, që u bë dhe sikurse mbeti një personazh shumë popullor dhe mjaft i pëlqyer nga  artdashësit. U bënë shfaqje të veçanta, që ndërtoheshin mbi Skënderin dhe suksesi i tij, bënte që të tejmbusheshin sallat dhe të shfaqeshin për muaj të tërë. Skënder Sallaku ishte dhe mbeti një As i humorit në Shqipëri dhe fatkeqësisht, ishte e parakohshme ndarja e tij nga jeta, duke i shkaktuar një humbje të madhe artit. Unë e ndjej humbjen e tij, pse ishim miq të vjetër dhe e donim shumë njëri-tjetrin, gjë që e ka shprehur në shtyp. Kujtoj që më telefononte e më thosh: “Mihal e more gazetën? Kam shkruar për ty, lexoje”.

 

 

Regjisori Bujar Kapexhiu

 

“Duhet të derdhet në

një shtatore bronxi”

 

“Jam protoganist i këtij eventi, pasi kam detyrim moral, jo vetëm, pse kontaktin e parë si regjisor në teatrin e Estradës e kam pasur me Skënderin, të cilin e kam vlerësuar si një shkollë të humorit dhe kjo i ka shërbyer mjaft karierës sime. Nga ana tjetër, ne kemi pasur një miqësi të ngushtë familjare, duke kaluar bashkë ngjarje të bukura dhe të hidhura. Ishte dhe mbetet jo vetëm një aktor i madh, por edhe një njeri i madh, jo vetëm për mua e shoqërinë tonë, por edhe për artdashësin, që e priste dhe përcillte në skenë me ovacione. Skënderi nuk është midis nesh, por ne të gjithë në këtë ditë të 80-vjetorit të lindjes së tij, do ta kemi pranë me humorin e patutat e tij, që e bën atë të pavdekshëm. Dhe e kam një peng .Më vjen keq, që nuk arrita që në krijimtarinë time artistike në kinematografi, të kisha në qendër të një skenari Skënder Sallakun. Talenti i tij brilant në fushën e humorit, ka mbetur vetëm tek skena, mungon në kinematografi. Ai është ndër të rrallët aktor në vendin tonë, që i ka dhënë një entuziazëm të jashtëzakonshëm spektatorit. Po, ne si shoqatë ia kemi bërë kërkesë Bashkisë së Tiranës për ti vendosur emrin “Skënder Sallaku” teatrit Metropol, por janë burokracitë që pengojnë, pse jo edhe pakujdesia që të shfrytëzohej dita e 80-vjetorit të lindjes. Këto mund të jenë arsyet, pse vlerat janë të pamohueshmë për këtë aktor të humorit. Unë do të shkoja edhe më tej. Pse të mos jetë “Nderi i Kombit” Skënder Sallaku? Për vlerat dhe kontributet e tij si artist i humorit, duhet të derdhet në një shtatore bronxi.

 

Vitore Sallaku, Mjeshtre e Madhe

 

“Iku nga kjo botë, duke qeshur”

 

“Ditëlindja e Skënderit, do të festohet, ashtu si ai e kish menduar.  Mes miqsh, kolegësh, artdashësish dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Fondacionit “Nermin Vlora”, pjesë e të cilit ishim bashkë. Nuk u arrit që në këtë ditë të shënuar të jetës së tij të promovohej edhe libri autobiografik për të, që ai nuk e mori vesh kurrë se po shkruaja për të. Nuk munda, kaloj një periudhë të vështirë pa Skënderin, por do të vijë dita të mblidhemi sërish. Për Skënderin tim të shtrenjtë, që më dhuroi vetëm buzëqeshje në jetë. Bashkëshorti i mrekullueshëm, babai i devotshëm, miku i të gjithëve edhe vdekjen e priti duke qeshur”.

 

 

KUJTESË

 

Biseda me Artistin në ditën e 79-vjetorit të lindjes

 

“Dua të jetoj 99 vjet.

Jam '99-sh ii humorit”

 

Kujtoj bisedën e një viti më parë, në ditën që ai mbushi 79 vjeç dhe qesh … edhe pse humoristi brilant, nuk është më…

 

Mban mend kur ke lindur, Skënder?

Mos përfito nga konfidenca, më thuaj shoku apo zoti Skënder. Unë nuk mbaj mënd se si dhe kur kam lindur, atë e di nëna ime e ndjerë, por kam kartën në gjendje civile që shënon: Skënder Sallaku ka lindur më 25 janar 1935. Asnjë ndryshim, jo një vit, por as 5 vjet më pas. Ndjehem njësoj, me shëndet, humor. Kaloj ditën me një plan që e miratoj që në mëngjes tek Vitorja dhe vetëm kur vjen ora për të shkuar në krevat, këtu është pika më e dobët. Nuk mundem më fizikisht. Nëna më lindi për t’u bërë 99-shi i humorit. Jam bërë bozë duke thënë për veten: Kam qenë kështu e ashtu…mjafton të them që kam nisur si kampion në mundjen klasike dhe vazhdoj të jem aktor i humorit. Jam specializuar në Kinë dhe kam punuar tërë jetën në Estradën e Shtetit, që tashmë është shndërruar në brengë. Mos harroj të them se jam “Artist i Popullit” me kartë dhe me dashurinë që më falin artdashësit. 

 
Pse e keni brengë Estradën e shtetit?

Brengë, peng, thuaje si të duash ti, por për mua janë të dyja bashkë. U prish Estrada e Shtetit në kryeqytet, ndërsa funksionojnë në shumë qytete të tjera. Ishte shtëpia jonë, ku kemi kaluar jetën dhe më besoni, nëse do të dëgjoni që Skënder Sallaku ka derdhur lot, kjo ndodh vetëm një herë: Kur kaloj pranë ish-Estradës.

Sa vjet do të dëshironte të jetonte Skënder Sallaku?

Deri më 99 vjet, nuk dëshiroj të mbush 100. Dua të mbetem 99-tsh, kuptohet i humorit….

(RIBOTIM)

SHKARKO APP