83% e shqiptarëve janë dakord për hapjen e dosjeve
Nga Eduard Zaloshnja
Në zbatim të një kontrate me Fondacionin Konrad Adenaur, dega Tiranë, dhe me Institutin për Integrimin e Ish të Përndjekurve Politikë në Tiranë, zhvillova një vrojtim statistikor në periudhën 13 – 23 janar 2015, mbi opinionin e shqiptarëve rreth hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe, në vecanti, mbi opinionin e shtresave të ndryshme të ish-të përndjekurve politikë. Për këtë, u ndërtua një pyetësor me 15 pyetje, i cili u administrua me telefonata fikse dhe celulare. Gjithsej u anketuan 1200 shtetas shqiptarë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë. U anketuan vetëm shtetas që kanë qenë në moshën 16 vjeç e sipër në janar 1991, të cilët presupozohet të kenë njohuri më të sakta rreth çështjeve për të cilat u krye vrojtimi. Numri i telefonatave fikse e celulare në çdo qark u përcaktua në përpjestim me popullsinë e tyre urbane e rurale. Në përfundim të anketimit dhe hedhjes së të dhënave në bazën e të dhënave, u krye ripeshimi statistikor i kampionit, në mënyrë që ai të përfaqësonte sa më afërsisht popullsinë banuese në Shqipëri nga pikpamja gjeografike, demogrfike, dhe politike. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor rezultoi +/-3%.
Profili biografik i të anketuarve
Ndër të anketuarit, 30% deklaruan se rrjedhin nga familje të përndjekura/diskiminuara politikish para vitit 1991 (Figura 1). 1/4 e ish-të përndjekurve deklaruan se e kanë patur familjen në pozita të mira në pushtet ose parti para fillimit të përndjekjes/diskriminimit. Ndër të gjithë të anketuarit, rreth 12% kanë patur të paktën një të afërm të pushkatuar politikisht (baba, nënë, burrë, grua, vëlla, motër, gjysh, gjyshe, vjehrri, vjehrra, kunat, kunatë, xhaxha, dajë, hallë, ose teze). Rreth 16% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të burgosur politikisht. Rreth 10% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të arratisur. Rreth 21% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të internuar/dëbuar/shpërngulur politikisht. Rreth 18% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të shapllur “kulak” ose “të deklasuar”. Rreth 11% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të përjashtuar nga PPSH-ja.
Opinioni i të anketuarve mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe mbi Lustracionin
Rreth 83% e të gjithë të anketuarve mendojnë se dosjet e Sigurimit të Shtetit duhet të hapen. Në veçanti, 84% e të anketuarve me prejardhje nga familje ish-të përndjekura janë pro hapjes së dosjeve të Sigurimit (Figura 2). Rreth 71% e të gjithë të anketuarve mendojnë se, nëse bëhet hapja e dosjeve, duhet bërë edhe spastrimi i institucioneve publike nga ish punonjësit & bashkëpuntorët e Sigurimit (edhe për lustracionin). Të të njëjtit mendim janë rreth 79% e të anketuarve me prejardhje nga familje ish-të përndjekura (Figura 3). Nëse bëhet lustracioni, 57% e të gjithë të anketuarve janë për spastrimin e të gjithë punonjësve aktualë të institucioneve publike, ndërsa 35% janë vetëm për spastrimin e drejtuesve të lartë të institucioneve aktuale. Tek të anketuarit me prejardhje nga familje ish të përndjekura, këto dy opinione janë në raportin 61% me 30%.