A do të mund t’i fitonte Erdogani, zgjedhjet e 7 qershorit?
Nga Xhengis Çandar*
“Çdo ngritje e ka një rënie. Yjet që shkëlqejnë, një ditë shndërrohen në të zakonshëm. Dikur një lider karizmatik, ai sot me shpejtësi po shndërrohet në një njeri të zakonshëm… Erdogani tashmë i ka asgjësuar të gjithë kundërshtarët (armiqtë) e tij. Ushtria është mundur. Trashëgimia e administratës shtetërore ka marrë fund. Personat e njohur si “xhemat” janë larguar nga administrata. Në të vërtetë Rexhep Tajip Erdogan po përjeton krizën më të madhe në karrierën e tij politike. Po përjeton një krizë, e cila është e lidhur ngusht vetëm me një çështje; problemi i mungesës së një kundërshtari.
Vetëm dy ditë na ndajnë nga data 7 qershor, ditë në të cilën në Turqi do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat për shumë njerëz konsiderohen si tejet të rëndësishme për fatin e tyre dhe të vendit.
Deri nga mesi i javës së ardhshme, me shpalljen e rezultateve përfundimtare do të mësohet se kush do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve. Por pavarësisht rezultatit që do të prodhojnë zgjedhjet e datës 7 qershor në Turqi, që tani një rezultat është mëse i qartë; Presidenti Erdogan, një vit pas zgjedhjes së tij si President i Republikës, ka zhvlerësuar të gjithë respektin që gëzon posti i presidentit dhe në një farë kuptimi, ka ezauruar vetveten.
Nëse zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 7 qeshor në Turqi do të ishin zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të Turqisë, atëherë Rexhep Tajip Erdogan, presidenti aktual, me performancën dhe qëndrimet e tij të javëve të fundit dhe veçanërisht të ditëve të fundit, nuk do të kishte asnjë mundësi që të rizgjidhej për një mandat tjetër.
Për shkak të rezultateve të arritura në disa zgjedhje të njëpasnjëshme, në opinionin publik është forcuar bindja se Erdogan arrin të mbledhë më shumë vota se partia e tij, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP]. Dhe në të fakt, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në asnjë moment që nga krijimi i saj, nuk ka arritur që të marrë 52 për qind të votave, aq sa Presidenti Erdogan arriti të fitojë në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara rreth një vit më parë. Në fakt, në këto zgjedhje shkak për një humbje kaq të madhe të mbështetjes së elektoratit, deri në atë nivel sa të shihet me dyshim dhe arritja e një shumice të mjaftueshme për të krijuar e vetme qeverinë e ardhshme, rezulton që të jetë pikësëpari vetë Presidenti Erdogan.
Rexhep Tajip Erdogan bashkë me veten po tërheq drejt humbjes dhe Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim. Ai po tërheq drejt rënies në pikiatë jo vetëm veten e tij, por dhe kryeministrin aktual Ahmet Davutoglu. Ndërsa deri para disa vitesh Ahmet Davutoglu gëzonte popullaritetin dhe reputacionin e një akademiku të suksesshëm që ia doli mbanë të krijonte profilin e tij në arenën politike të Turqisë. Ai për hir të së vërtetës gëzonte respekt edhe nga personalitete politike dhe intelektuale që nuk ndanin mendime të njëjta me të! Por pas zvetënimit dhe ‘klonimit’ të figurës së tij nga Erdogan, ai është bërë një kopje e shëmtuar e vetes, me përpjekjet qesharake për t’u njësuar me figurën e Erdoganit. Çdo ditë e më shumë, ai po shndërrohet në një ‘karikaturë politike” që ka humbur si fuqinë, dhe po ashtu edhe prestigjin. Në këto kushte, është e pamundur që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP], të mos duket si një akullore që shkrihet nën rrezet e diellit përvëlues të këtij fillim qershori.
Përveç përdorimit të medotave hileqare, mashtrimeve dhe provokimeve, nuk ekziston asnjë ‘magji’ tjetër që të mund të ndalojë rënien pikiatë të mbështetjes së elektoratit për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP].
Gjithsesi deri më datë 7 qershor, do të kemi mundësinë të shohim nëse do të futen në përdorim skenarët e mashtrimeve dhe provokimet nga partia në pushtet. Pavarësisht rezultatit që do të prodhojnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 7 qershor, një pyetje do të jetë e vlefshme për një periudhë të gjatë kohore pas zgjedhjeve. A do të jetë e mundur që një Turqi e cila nuk gëzon mbështetjen e shumicës së popullit të saj dhe që nuk rikonfirmon mbështetjen për Presidentin e saj, pas një periudhe ku “prestigji i postit të Presidentit të Republikës nuk ekziston më”, të mund të zbatojë “sistemin presidencial” të kërkuar me aq ngulm nga vetë Erdogan?
Jo vetëm që nuk do të mund të aplikojë “sistemin presidencial” aq të dëshiruar prej tij, por pas deklaratave dhe qëndrimeve të ditëve të fundit të Erdogan, është e vënë në dyshim dhe legjitimiteti i tij si Presidenti i Republikës.
Si mundet që ndaj një grupi femrash që protestuan ndaj tij, ai të përdorë një fjalor të tillë si: “Të më falni, pasi edukata ime nuk ma lejon që ta them shkoqur. Ato duke më kthyer shpinën bëjnë një gjest që është e kuptueshme, por edukata ime nuk më lejon që ta shqiptoj se çfarë nënkupton një veprim i tillë”.
Kush është ai person që mund të tregojë respekt ndaj një presidenti që përdor një gjuhë të tillë kaq të ulët dhe sidomos ndaj femrave?
A mundet të gëzojë respekt një president, që fton në presidencë, liderin kryesor të opozitës dhe merr prej tij këtë përgjigje: ‘Nuk vij në rezidencën tënde jolegjitime”?
A mundet që një president, të bëjë kallëzim penal ndaj liderit kryesor të opozitës për një çështje aq të rëndomtë, sa ‘kapakët e bideve të pallatit presidencial’? A është e llogjikshme që të kërkojë100 mijë Lira (rreth 40 mijë dollarë) dëmshpërblim nga lideri kryesor i opozitës për një çështje kaq të rëndomtë?
Ku është parë që një president, i cili përfaqëson unitetin e gjithë popullit, të përdorë një gjuhë nënçmuese ndaj liderit të opozitës, duke e cilësuar atë si një “këngëtar kabareje”, ndërsa i referohej faktit të rëndomtë, që lideri opozitës këndon apo i bie një vegle muzikore?
Si mundet që një president të polemizojë me liderin e opozitës, në përgjigje të deklaratave të këtij të fundit, i cili për rastin e mësipërm shprehej se “sidoqoftë të paktën ne e themi hapur se cilave vegla muzikore u biem. Po ai mund ta thojë?”
Ashtu sikundër një president nuk mund të polemizojë me liderin e opozitës me një zhargon kaq të ulët, për shkak të respektit ndaj postit që ai mban, ai asesi nuk mund të polemizojë me drejtorin e përgjithshëm të një mediumi.
Aq më tepër në kushtet kur ai ka dalë i humbur në përballjen me Selahattin Demirtash (lideri i HDP, partisë së tretë më të madhe opozitare në vend).
Ai (presidenti) adresoi akuza tepër të rënda ndaj Xhan Dyndar [Can Dündar] (një ndër gazetarët opozitarë dhe drejtuesit më me peshë në median turke). Si përgjigje ndaj detyrës të mirëfilltë gazetareske të Xhan Dyndar, ai u hakërrye duke u shprehur se “nuk do e lëmë me kaq këtë çështje”.
Si mundet që një President, të grindet kaq ashpër me drejtuesin e një mediaje të rëndësishme të vendit të tij?
Ndërkohë vetë gazetari Xhan Dyndar, vetëm sa i adresoi Presidentit Erdogan 20 pyetje, për të cilat ai kërkonte përgjigje nga presidenti? Ishin 20 pyetje shumë logjike. Dhe si përgjigje ndaj këtyre 20 pyetjeve, Presidenti Erdogan zgjodhi të bëntë një kallëzim penal ndaj gazetarit Xhan Dyndar, ku kërkonte 2 dënime me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 42 vite burg.
Dhe kjo do të thotë që ai, që në krye të herës e ka humbur polemikën me gazetarin Xhan Dyndar. Nuk mundet të shpëtohet reputacioni i postit të Presidentit të Republikës duke kërkuar 2 dënime me burgim të përjetshëm dhe një dënim me 42 vite burg për gazetarin Xhan Dyndar, të cilat në fakt shënjestrojnë përfaqësues të tjerë të medias. Është e pamundur që të vihet në vend reputacioni dhe prestigji i postit të Presidentit të Republikës pas gjithë këtyre rasteve.
Opinionisti Muxhahit Bilixhi në numrin e datës 30 maj të së përfitshmes “Taraf” ka bërë një përshkrim të spikatur për presidentin Erdogan. Mjafton të kujtojmë vetëm një pjesë të përshkrimit të tij:
“Çdo ngritje e ka një rënie. Yjet që shkëlqejnë, një ditë shndërrohen në të zakonshëm. Dhe Rexhep Tajip Erdogan, dikur një lider karizmatik, sot me shpejtësi po shndërrohet në një njeri të zakonshëm… Erdogan tashmë i ka asgjësuar të gjithë kundërshtarët (armiqtë) e tij. Ushtria është mundur. Trashëgimia e administratës shtetërore ka marrë fund. Prezenca e personave të njohur si “xhemat” janë larguar nga administrata. Tashmë askush nuk i merr seriozisht qëndrimet paranojake, të cilësuara prej tij si “struktura paralele”. Në të vërtetë Rexhep Tajip Erdogan po përjeton krizën më të madhe në karrierën e tij politike. Po përjeton një krizë, e cila është e lidhur ngusht vetëm me një çështje; problemi i mungesës së një kundërshtari. Duhet me patjetër që nga ndonjë vend të shfaqet një rrezik për grusht shteti, pra nevojitet një armik me të cilin të përballet dhe të ndeshet. Por në fakt, Erdogan i ka asgjësuar të gjithë armiqtë. E ndërsa nuk ka ngelur më asnjë armik, sytë tashmë janë kthyer nga Erdogani. Në kushtet kur Erdogani nuk ka lënë më asnjë armik të cilin ta luftojë, atëherë ai ka krijuar vetveten e tij. Vendin e një luftëtari të viktimizuar dhe një figure shpëtimtare për të tjerët, e ka zënë një person i vetmuar i pallatit, i dhënë pas luksit, dhe që ka shndërruar në asgjë partinë dhe njerëzit e tij…
Për shkak se sot nuk ka mbetur më asnjë armik që të mund t’u kërcasë dhëmbët, tashmë duken qartë kufinjtë dhe cilësia e Erdoganit si lider…
E thënë me pak fjalë; ndërsa deti mbaroi, në horizont u duk saraji i tij. Dhe, saraji nxori në pah lakuriqësinë e mbretit. U shfaq në dritë të diellit egoja, ambicia materialiste dhe u konkretizua natyra e tij e vrazhdë, e cila u duartrokit nga kllounët që i dinin më së miri punët e tij. Pavarësisht se pjesa egoiste mund ta mohojë një gjë të tillë, pjesa tjetër e ndërgjegjshme e popullit arriti të fotografojë mbretin. Në fillim nuk u besoi dot syve. Ndërsa tani ka nisur të mos i besojë fotografisë dhe sarajit”.
Sentenca e gjithë kësaj do të ishte kjo: Erdogani që ende nuk përshkruhej siç është në të vërtetë, është shndërruar pikësëpari në një barrë të rëndë për vetë Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, por dhe për të gjithë Turqinë. Tashmë Erdogani është një pengesë reale për të ardhmen e Turqisë.
Pikërisht për këtë arsye, zgjedhjet e 7 qershorit mbartin një rëndësi të veçantë. Nëse partia e tretë opozitare, HDP arrin të kalojë pragun elektoral prej 10 %, çka do të rriste përqindjen e votave për të gjitha partitë opozitare (për shkak të sistemit elektoral të aplikuar) dhe nëse Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] humb një përqindje të madhe të votave, kjo jo vetëm që do ta përballte Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim me vështirësinë për të krijuar e vetme qeverinë e ardhshme, por në të njëjtën kohë do të vinte në dyshim presidencën e Erdoganit.
Nëse zgjedhjet do të prodhonin një rezultat të tillë, atëherë në vend të kalimit në një proces të shumëdëshiruar nga Erdogani, atë të drejtimit të shtetit nga “një person” ose siç ai preferon ta quajë “sistemi presidencial”, do të niste një tjetër proces, ai i diskutimit të presidencës së Erdoganit.
Duke dëmtuar kredibilitetin e tij, Erdogani për rrjedhojë ka nëpërkëmbur dhe reputacionin e postit të Presidentit të Republikës.
Dhe ndreqja e një dëmi të tillë duket se do të marrë shumë kohë…
Gazeta Radikal*. Përktheu bota.al