A duhet të besojmë më tek politika?
Nga Sadedin Çeliku
Në mijëvjeçarin e ri vërehen probleme të mëdha që lidhen me unitetin global, paqen dhe stabilitetin gjithashtu. Vendin e tyre e kanë zënë krizat ekonomike, financiare, varfëria dhe plagët e tjera që gati po bëhen të pashërueshme. Kjo sigurisht ka nxitur eksodet e emigracionit drejt vendeve perëndimore dhe sidomos nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia aq sa po vihet në dyshim liberalizimi i vizave. Tashmë popujt nuk duken sa janë shumë optimistë, madje gjithnjë e më shumë po binden se ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe paqësore, jo vetëm se është e pamundur por është dhe e paarritshme.
Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050, popullsia në botë parashikohet të shkojë në rreth 9 miliardë njerëz nga 7, 2 miliardë që janë sot, që do të thotë më shumë probleme e përballje me krizat e ardhshme. Rritja e shpejtë e popullsisë mendohet të vijë nga Nigeria, India, Pakistani, Afganistani, Indonezia, Tajlanda, Bangladeshi, Palestina, etj, pra kryesisht nga vendet e varfra. Është e natyrshme se kriza ekonomiko-financiare në Amerikë dhe disa vende në Europë lanë një shije të hidhur aq sa dhe vetë sistemi u vu në diskutim. Pas luftës së dytë botërore dhe sidomos në dy dekadat e fundit janë shfaqur shumë fenomene negative që janë përfaqësues të regresit.
Kështu u shfaq trafiku i drogës, terrorizmi ndërkombëtar me vizion e përmasa të tjera në formë e përmbajtje, trafiku i qenieve njerëzore e cila erdhi si rezultat i evolucionit të mjekësisë dhe operacioneve të organeve apo siç i thonë ndryshe ai i transplanteve, bixhozi ose i fjalës moderuar i lotosportit, lojërat e fatit, pushtimi dhe ekspansioni ekonomik në emër të bashkëpunimit ekonomik , trafiku i klandestinëve, trafiku i prostuticionit e mjaft trafiqe të tjera që në thelb kanë vetëm një përmbajtje. Sigurisht që një pjesë e shoqërisë madje një grup i vogël njerëzish që nuk përfaqësojnë më shumë se 5 përqind të popullsisë në glob kontrollojnë miliarda dollarë ku fitimi nuk është produkt prodhimi, konkurrence, kostosh dhe as djerse. Kësisoj këta trafiqe që janë ndërkombëtare dhe krerët e tyre kanë akumuluar shumë para në pak duar. Si është e mundur që mjekësia ecën dhe transplantet dhe organet gjenden në rrugë të gabuara e të paligjshme? Si është e mundur që një futbollist shitet e blihet sa një uzinë e fabrikë dhe një artist i vërtetë merr vetëm një rrogë? Vetëm në një javë luhen miliarda dollarë dhe lëre në një vit kur gjysma e globit vuan urie, pa bukë dhe pa medikamente. A funksionon sistemi kapitalist si model, apo i ka ardhur fundi dhe nuk kontrollohet dot ? Vetëm dy futbollistëve të Barcelonës dhe Realit ju ofrohen më shumë se 500 milionë euro, por të tërë sa kushtojnë dhe ku gjenden kaq shumë para ? Pse dhe si duhet të luftohen këto fenomene kriminale që po ju ofron fundin njerëzimit ? A funksionojnë modelet ekonomike sot në botë ? Vetëm në Itali të ardhurat vetëm nga lojërat e fatit shkojnë në rreth 100 miliardë euro, po në të gjithë botën?
Po në Shqipëri si paraqitet situata dhe a ekzistojnë fenomenet e sipërpërmendura? Ekspertët e Bankës Botërore, vërejnë se familjet shqiptare janë më të pambrojturat në rajon nga krizat e çmimeve, sidomos për artikujt ushqimorë. Kjo dhe sepse qeveritë njëra pas tjetrës nuk i kontrollon çmimet, por mungojnë dhe institucionet e kontrollit çmimeve në tregjet si dhe infrastruktura e nevojshme për këtë qëllim. Studimi thotë se çdo rritje me pesë përqind e çmimit të ushqimeve, rrit me 40 mij njerëz numrin e të varfërve që jetojnë me më pak se 2, 5 dollarë në ditë. Në Shqipëri varfëria mendohet se është mbi nivelin e 60 përqind të popullsisë sipas Bankës Botërore. Ndërkaq kemi një raport negative në trajtimin e njerëzve në nevojë, pra në se në vitin 2005 trajtoheshin me ndihmë ekonomike 150 mijë familje, në vitin që sapo lamë pas, trajtohen më pak se 85 mijë familje ose 65 mijë familje më pak. Sipas indeksit botuar nga Instituti i shoqërisë së hapur në Sofie, Shqipëria renditet e parafundit në 35 shtete europiane. Indeksi i konvergjencës merr parasysh katër kolona kryesore, që janë ekonomia, demokracia, cilësia e jetës qytetare dhe mirëqeverisja. Pikërisht atëherë kur ishte piku i krizës ekonomike, merret një borxh prej afro 300 milionë euro me afat maturimi një vit, hiqet kujdesi i shëndetit në reaminacione, u rritën çmimet, dhe i bëhet thirrje konsumatorëve të blejnë në tregjet alternative që do të thotë të shkojnë tek tregu i sulltanëve në autostradë, privatizohen katër hidrocentralet për një çapë bukë etj. Unë jam ekspert në ekonomi por sinqerisht nuk e di dhe nuk jam i aftë të them se si e llogarisin ekspertët dhe si e nxjerrin Shqipërinë me rritje ekonomike kur qeveria ju kishte borxh milionë dollarë sipërmarrësve private, si del me rritje kur kreditë kanë marrë dhenë, shpenzimet qeveritare rriten çdo ditë dhe të ardhurat nuk realizoheshin ? Si del me rritje me këtë deficit buxhetor dhe me një bilanc tregtar negative? Vendin e kishte pushtuar kriza morale, anarkia, informaliteti, korrupsioni, varfëria, papunësia, krimi i organizuar, trafiqet, grabitja e pasurisë kombëtare dhe shpërdorimi i fondeve publike. Shqipëria është bërë ferr për shqiptarët të cilët për shkak të mungesës besimit, keqqeverisjes dhe shpresës vrarë po largohet nga vëndi me bindjen se ky vend nuk ka gjasa të bëhet. Ndërkaq, Presidenti i Eurogrupit jep alarmin për rrezikun që i kanoset Europës nga papunësia, plagë kjo vështirë se kalon pa angazhimin serioz e të gjitha vendeve europiane. Politikat e dyerve të mbyllura, masat e rrepta të emigracionit nuk do ti bëjnë mirë vendeve që e kundërshtojnë këto masa. Ndërkohë u krijua një handikap dhe shije e hidhur me politikat e privatizimit të cilat ju servireshin popullit si reforma e mirëqenie, dhe gati gati me veprimet dhe mosveprimet e veta qeveria po bëhesh armik me popullin e vet. Tashmë ato ndjehen të tradhtuar sepse djersa e tyre u shit, u tjetërsua dhe e maron një dorë njerëzish të pamoralshëm.
Ish-kryeministri me heqjen e tavanit të borxhit publik synoi ta dorëzojë pushtetin sipas skenarit grek me idenë që opozita në qeveri pas zgjedhjeve të mos e menaxhojë dot situatën dhe kështu veproi tek borxhin e la 75% të Prodhimit Përgjithshëm Bruto. Ky veprim ishte i gabuar dhe është mjaft i dënueshëm. Pra shkurt shteti u ç’bë, ligjet nuk i zbatonte njeri dhe vendi gati kaloi në anarki. Është për tu theksuar se Shqipëria pak burra ka për mos thënë se s’ka fare, sepse janë mësuar të flasin vetëm keq edhe kur punohet mirë, ushqejnë urrejtjen dhe vëllavrasjen dhe kësisoj s’ka se si bëhet ky vend. Qeveria post zgjedhore e filloi punën me vendosjen e ligjit dhe shtetit ligjor. I vetmi vend në botë ku emigrantët e ardhur nga prurjet e sulltanit nuk paguanin dritat qysh 1992 e më pas, nuk paguajnë ende ujin e pijshëm dhe asnjë taksë tjetër pasurie ndërkohë që kanë ndërtuar në trojet e huaja dhe pa leje ndërtimi. Një qytetar i duhet të paguajë ujin e pijshëm dhe atë të përdorur sipas klasifikimit të ujësjellësit, ndërsa zotërinjtë që kanë bërë vila me paratë debitore e të shtetit vadisin tokat me ujin e pijshëm. Rezultati, rriten çmimet dhe tarifat sepse ato nuk paguajnë. E pra ky ishte fundi i tyre, dhe ato duhet të mësojnë se si duhet të bëhen qytetarë. Prishjet e ndërtimeve pa leje, kthimi i godinave në identitet edhe pse duket si masë e rreptë shumë shpejt do të kuptohet se qyteteve dhe zonave bregdetare dhe bregliqenore po ju vjen fytyra në vend. Kjo në përmbajtje është zhvillim ekonomik mbi baza ligjore dhe jo zhvillim informal, zhvillim i turizmit me qytetarë europianë dhe jo duke numëruar fëmijët tanë për turistë. Harta e re territoriale do ti japë shtysë të re ekonomive dhe do reduktojë diferencat zhvillimore midis qytetit dhe fshatit. Duke shfletuar librin “Nous Avons Raison D’Esperer “e autores franceze Clementine Autaine, duhet të arrijmë në përfundimin se nuk ka rrugë tjetër përveç shpresës. Ne kemi të drejtë të shpresojmë thotë ajo në librin e saj të sapo promovuar pak ditë më parë. Ajo gjithashtu këshillon se duhet besuar ende tek politika. Duke marrë parasysh se qeveria ka vetëm 18 muaj që qeveris, problemet e mëdha që trashëgoi, na duhet besojmë se ndryshimi do prekë çdo familje dhe se rruga që ka nisur nuk ka kthim prapa, sigurisht që politika ka rol të patjetërsueshëm, ndaj ne duhet të vazhdojmë të besojmë.