A e ka mbushur “kupën” Sali Berisha?

Nga Zef Shtjefni

Duke i hedhur një sy rrjeteve sociale dhe mediave të ditës, nuk është aspak e vështirë të kuptosh se afro 90% e shqiptarëve e kanë drejtuar gishtin drejt Sali Berishës, duke e etiketuar atë si shkaktari kryesor i nxitjes dhe frymëzimit të krimit, të destabilitetit, kontrastit dhe urrejtjes politike në vend. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, që prononcohen me emër apo pa emër, mendojnë se Sali Berisha, i ka futur marshin makinës së destabilitetit, për rimarrjen e pushtetit të humbur përmes dhunës, duke sabotuar dhe zgjedhjet lokale. Duke parë paaftësinë, mungesën e guximit e të kurajos, pavendosmërinë apo dhe dilemën e mazhorancës qeverisëse, si dhe duke pasur të emëruarit e tij në Prokurori, SHISH, Presidencë dhe në gjithë merimangën e mafias së Drejtësisë, Berisha ka të drejtë të besojë se këtij qëllimi mund t’ia arrijë me lehtësi. Ajo që po ndodh sot anë e mbanë vendit me terrorin e tritolit sa herë Berisha bën thirrje që të ngrihemi të rrëzojmë Qeverinë e Ramës, apo sa herë i vërsulet Ministrin e Brendshëm, apo sa herë Qeveria kalon një situatë të vështirë, siç ishte ajo e përmbytjeve në Jug, shpërthen tritoli në vend. Janë si të lidhura online gjërat që ndodhin dhe asgjë kot e vetvetiu nuk ndodh gjëkundi.

Është për t’u përshëndetur përpjekja e gjatë e Kryeministrit Rama për të bashkëpunuar me Presidentin, më Visho Ajazin, me Llallën, por dhe me Opozitën. Është për t’u admiruar gjithashtu edhe durimi e sjellja e urtë dhe plot ekuilibër e Ilir Metës në Parlament. Por durimi ka një kufi dhe votat që ata kanë marrë as nuk janë pronë e përhershme e tyre dhe, as nuk u janë dhënë pa kushte nga sovrani popull. Mbase do ta linin të qetë të gëzonte pensionin e vet Sali Berishën, edhe pse i ka bërë zullume të mëdha këtij vendi me apo pa dashje, me apo pa dije. Mbase do ta linin të fliste sa herë të donte e çfarë të donte dhe në Parlament. Por ai vete po e kërkon sherrin e dhunën tash sa kohë dhe me të gjitha mjetet. Kështu që kemi mbërritur në një pikë tolerimi e durimi të skajshëm, sa është futur në vallë stabiliteti i vendit, shthurja e shembja e regjimit kushtetues, devijimi nga demokracitë perëndimore në oligarki ruso-arabe etj. Kështu, o veprohet shpejt, o i lëshohet vendi atyre që janë më të zotët të realizojnë vullnetin e 2/3 të shqiptarëve, o vendi po shkon drejtë rrokullimës. Është e qartë se institucionet e sigurisë: SHISH, Prokuroria dhe Drejtësia nuk ecin asgjëkundi me hapin e reformave jetike të zhvillimit europian të vendit dhe vendosjes së shtetit ligjor, që ka ndërmarrë Qeveria. Madje, shpesh ato e sabotojnë punën e saj. Gjithë Opozita ngjan me një organizate armike të Ramës, të Tahirit, të Qeverisë dhe shtetit të vet, duke nxirë, duke kundërshtuar e sabotuar çdo reformë jetike të saj dhe më e patolerushmja, duke u vënë përkrah vjedhësve të energjisë, anarkistëve të ndërtimeve, drogaxhinjëve të Lazaratit e Dukagjinit dhe sot edhe përkrah terroristëve të tritolit! Një Opozitë hipokrite në palcë, e cila për çfarë bën vete natën, akuzon se e bën Qeveria ditën. Kjo është sjellje tipike e një opozitë arabe, që nuk ka kurrë farë lidhje me kulturën perëndimore të opozitarizmit. I mungonin vetëm armët dhe aksionet e armatosura, që të ngjanin me xhihadistët apo ISIS-in. Por me sa shihet edhe ato po dalin tashmë në skenë dhe po tronditin seriozisht rëndin kushtetues, pronën dhe jetën e çdo shqiptari. Kupa është mbushur thonë më mijëra shqiptar në rrjetet sociale e në sondazhet e mediave të ndryshme. Lexoni e binduni. Është mbushur me tolerimin dhe durimin e tepruar ndaj provokimeve të PD-së private të Sali Berishës. Por është mbushur dhe me prova të krimeve që nuk kanë as të numëruar e as të sosur, të cilët fatkeqësisht Prokuroria e Gjykatat tona presin të vetëdeklarohen apo vetëdorëzohen! Ndaj, kush nuk vepron sot në mbrojte të ligjshmërisë, të jetës e pronës së njerëzve, të sistemit demokratik, të shtetit dhe Qeverisë se ligjshme të shqiptarëve, është i paaftë ose është bashkëpunëtor e bashkëfajtor në krim. Nëse nuk kemi njerëz të zot sot, që ta fillojnë këtë gjyq, nesër është vonë, sepse vendin Berisha po e qon buzë të njëjtës greminë, që ka përfshirë botën arabe.

Swiss Digital Desktop Reklama

 

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?