A e prishi e majta klimën e biznesit në vend?

Nga Zef Shtjefni/Dëgjova këto ditë, në një takim të organizuar në Durrës, ministrin e ri të Financave, Ahmetaj tek fliste dhe tek premtonte se nuk do të kishte më rritje taksash e as masa të tjera shtrënguese për biznesin.  Mendova se mbase e kanë kuptuar se e kanë shkelur keq me biznesin dhe po përpiqen të korrigjojnë ndonjë gabim të bërë.  Nuk e kam aspak fjalën për biznesin e parregullt, i cili nuk paguan taksat dhe është mësuar me evazion fiskal të madh gjithë jetën.  Por haraçin më të madh në gjithë këto masa shtrënguese të Qeverisë Rama nuk e ka paguar biznesi abuzues.  Përkundrazi, e ka pësuar ai që paguan rregullisht detyrimet tatimore ndaj shtetit.  Ai është goditur më shumë, kur i rritën tatim fitimin nga 20%, në 30% brenda një nate dhe jo siç bëjnë qeveritë e mençura, të cilat e rrisin maksimalisht 1-2% në vit.  Biznesi i shëndoshë u godit më shumë jo kur u ndaluan vjedhjet e energjisë elektrike, sepse ata nuk e kanë vjedhur kurrë atë, por kur u rrit çmimi i energjisë elektrike, sepse kostot e larta të prodhimit nuk i lejojnë më ata të jenë kompetitivë në tregun rajonal. Kur ua premtojnë kthimin e akcizave të lëndëve djegëse, “ua nxjerrin qumështin e nënës nga hundët”, për të marrë vetëm ato pak akciza të solarit që bënin sikur ua kthenin e tani po ua heqin fare. Kur për një sebep të vogël, kanë urdhër ti godasin me gjoba marramendëse, sa herë krijohen gropa në buxhet nga keqqeverisja apo nga keqplanifikimi buxhetor.

Një nga këto ditë asistova në mbledhjen përfaqësuesve të afro 10 fabrikave të ndryshme në vend, të cilët po diskutonin se si të shkonin të qanin hallet me Qeverinë për gjobitjet e fundit masive me gjoba mbi 100 milionëshe nga Doganat. Sepse jo vetëm mënyrën e gobëvënies e kanë sajuar abuzive, por dhe mënyrën e ankimimit e kanë bërë me hile, që të mos ketë mundësi njeri ti shmanget pagesës së gjobës. Kështu, para se të fillosh të ankohesh, duhet të paguash më parë gjobën e pastaj mund të fillosh paçavuren e gjatë të rrugës së apelimeve e të korrupsionit. Si pasojë, rikuperimi i atyre parave të paguara kot bëhët i pamundur, ose humb të paktën gjysmën rrugëve. Mbërrijnë deri në Strasburg subjektet dhe po çudisim botën me abuzimet e padrejtësitë e administratës sonë shtetërore kundër pronës private e biznesit. Pra sistemi që ka krijuar e po mban në këmbë Qeveria, me dijeninë apo pa dijeninë e Ramës dhe Ahmetajt sot, një herë u zhvat bizneseve paratë e gjobave marramendëse abuzive dhe pastaj i fut në gojën e ujqërve të korrupsionit nëpër dogana e zyrat tatimore, të cilat jo vetëm nuk janë përmirësuar, por janë egërsuar më keq. Kjo klimë është bërë mbytëse për industrinë dhe biznesin dhe më e keqja është se nuk ka shpresë, pasi nuk ke se ku të ankohesh e të zgjidhësh padrejtësitë. E kanë stërholluar aq shumë strategjinë e zhvatjes së biznesit, sa i kanë bërë të pavlefshme edhe garancitë bankare, për të cilat biznesi bëri një luftë të gjatë me Qeverinë, pikërisht që të mos abuzohej me gjobëmarrjen. Të mos flasim pastaj për kalvarin e burokracive të licencave, të cilat janë dhjetëfishuar në emër të shtetformimit. Njësoj siç abuzonin më parë policët në rrugë, kur vilnin në dorë paratë e gjobave, ashtu po abuzojnë tatimet e doganat sot me biznesin, sepse ua zhvatin paratë me të drejtë a pa të drejë, para se tu japin mundësinë të ankohen, apo gjykohen. . ! Edhe garancitë bankare që lëshojnë bankat, me arsye absurde, nuk ua pranojnë bizneseve, sepse duan para të thata në llogari. Përndryshe të bllokojnë, të sekuestrojnë e të falimentojnë biznesin.

Një popull që del nga komunizmi do kohë që ta kuptojë e respektojë pronën private e biznesin, apo të kuptojë më kryesoren, se ushqehet vetëm prej tij. Shpesh vërejmë se kalojmë në urrejtje të përgjithshme kundër biznesit, duke futur në një thes “barin e njomë me të thatin”, me atë që bën biznes vetëm me piramidën politike. Pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri, janë krijuar nga hiçi, nga talenti dhe puna e madhe e njerëzve të talentuar të punës krijuese, që nuk pushojnë ditë e natë. Por kur inaugurohet një vepër publike, a keni vënë re se nuk bën vaki ndonjëherë të shohim ato që i realizojnë këto vepra madhështore. . ! Por shohim veç fytyrat e shpifura të politikanëve, që mburrën e marrin për vete gjithë meritat e punës së të tjerëve. Qeveritë e djathta të Rrumpallës vërtetë e patën katandisur vendin keq, në një kaos anarkie pa rregulla e pa perspektivë. Por dhe e majta këto tre vite qeverisje, duket se veç e ka përkeqësuar klimën e biznesit në vend, pasi rregullin e plagët e korrupsionit pak kush mund të thotë se janë përmirësuar.

SHKARKO APP