A e shkaktuan helmimin te mitingu i PD projektorët? Ja ç’thotë Prokuroria

Prokuroria dërgon një letërporosi në Gjermani në lidhje me hetimin për helmimin e 146 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në kryeqytet. Ditën e djeshme, Prokuroria ka bërë me dije se Mjekësia Ligjore në Tiranë ka kthyer përgjigje me shkrim se e ka të pamundur të kryejë ekspertimet e kërkuara për 146 mbështetësit e PD-së të paraqitur në spital me shenja helmimi menjëherë pas mitingut të hapjes së fushatës.

Mjekësia Ligjore në Tiranë ka thënë se duhet të analizohen 32 mijë elementë për përcaktimin e lëndës që ka sjellë pasojat dhe për këtë arsye, ekspertimi është jashtë mundësive të saj ekonomike e njerëzore.

Pas marrjes së përgjigjes me shkrim, organi i akuzës i është drejtuar me letërporosi Gjermanisë ku ka nisur për ekzaminimin e gjakut, urinës dhe rrobat e 20 prej personave më të prekur nga komplikacionet shëndetësore gjashtë orë pas mitingut hapës të fushatës.

Nga ana tjetër, në Tiranë, pritet që brenda 48 orëve të dalin edhe përgjigjet nëse janë apo jo projektorët shkaktarët e shqetësimeve. Në saje të një eksperimenti të zhvilluar në kushtet dhe me projektorët që është mbajtur mitingu i PD, ekspertët kanë dalë në konkluzionin përfundimtar, i cili pritet t’i dërgohet Prokurorisë.

Mësohet se konkluzioni ka qenë që projektorët nuk e shkaktojnë problemin shëndetësor në formën dhe në masën që u është shfaqur më se 146 personave pjesëmarrës në mitingun e PD. Pikërisht bazuar në këtë përfundim që pritet t’i shkojë edhe me shkrim Prokurorisë, grupi i hetimit ka administruar analizat e gjakut të personave të dëmtuar, për të kuptuar se me çfarë janë helmuar të dëmtuarit.

Një tjetër ekspertim do të ketë për rrobat e personave të helmuar. Në dosjen e referuar në Prokurorinë e Tiranës, policia evidentonte se në përfundim të aktivitetit elektoral të PD për zgjedhjet parlamentare 2017, disa pjesëmarrës në të u regjistruan në kartela për ndihmë mjekësore, me simptomat e skuqjes së fytyrës, syve dhe qafës.

Të tjerët janë paraqitur në spital për këshillim mjekësor, duke e çuar numrin e të dëmtuarve në 146. Policia referoi në dosje si shkaktarë të dëmeve në shëndetin e njerëzve projektorët e përdorur për ndriçim.

Por nga ana tjetër, Prokuroria nuk ka pasur këtë qëndrim, duke e regjistruar dosjen për veprën penale “pengim i tubimeve zgjedhore”. Në hetime në lidhje me këtë çështje më- sohet se është përfshirë edhe Antiterrori, ndërsa Policia ka sekuestruar dy projektorë të kompanisë që siguronte ndriçimin e mitingut me të cilët është kryer edhe eksperimenti./Panorama/

SHKARKO APP