A është keqinformuar Papa në Shqipëri?
Opinion
Nga Irfan Rama
Hipoteza. Në një emision televiziv këto ditë ku përhidhej pyetja nëse toleranca fetare është realitet apo mit, një analist i njohur për të analizuar këtë pyetje dhe argumentuar idenë, sipas mendësisë së tij të pavarur, tha ndër të tjera se Papa është keqinformuar për gjykimin që ai e shprehu në Shqipëri për marrëdhëniet midis shqiptarëve të feve të ndryshme. D.m.th marrëdhëniet midis njerëzve të feve të ndryshme në Shqipëri ai i quajti vëllazërore dhe jo tolerante. Pra toleranca që është përfolur gjerësisht nga vetë shqiptarët, nëpërmjet të vepruarit historikisht të vetë qenies së tyre të përbashkët dhe nga të huajt besimtarë apo ateist njerëz të thjeshtë, të mesëm të lartë e shumë të lartë nga koncepti klasifikor i dijes-sepse klasifikimi i dijes nuk ka kufij numërorësh-Papa Françesku, ky njeri i Zotit që njeh jo pak arsyen dhe arsyen e arsyes-të paktën për ato që kam dëgjuar nga artikulimet e ndryshme për problemet që shqetësojnë njerëzimin-për herë të parë si një i huaj i lartë nga hierarkia botërore politike e religjioze shprehu në mënyrë besimplote se shqiptarët kanë jo tolerancë por vëllazëri në marrëdhëniet ndërfetare.
Hipoteza dhe e vërteta. A është e vërtetë se Papa Françesku është keqinformuar nga shqiptarët liderë për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis shqiptarëve të feve të ndryshme në Shqipëri? A thua Papa e hodhi si një shashkë ashtu kot se koti, pa u menduar mirë apo për ti shërbyer politikisht, togëfjalëshin e vëllazërimit midis shqiptarëve religjionant të ndryshëm? Papa Françesku e kishte në kokë vëllazërimin para se të vinte në Shqipëri, apo e “shpiku” në Shqipëri, për t’i hedh hi syve të milionave njerëz të gangrenizuar në botë, që kacafyten e vriten ndërmjet tyre si rrufe vetëm për prioritet fesh? A lexon Papa para se të shkojë nëpër vendet nëpër të cilat viziton? A ka këshilltarë, apo sugjerues të ditur njeriu me dritë të largët nga Vatikani? Mijëra e mijëra shqiptarë të krishterë e muhamedanë dolën për të dëgjuar, prekur me sy, dorë e mendje Papën nga lajmërimi i pushtetarëve, politikanëve apo të parëve të tyre të feve “antagoniste” në Shqipëri? Pyetje me koherenca logjike apo jo mund të shtroja edhe më. Por ajo që mendoj unë edhe shumë të tjerë e shumë, është se askush nuk shtyu njeri në Shqipëri përveç dijes së ardhjes së Papës me 21 shtator 2014 për t’i dalë, përshëndetur me gëzim e shumë fëmijë, Atë Papën e madh të sotëm me prejardhje europiane. Unë kam qëndruar non stop nga mëngjesi deri natën e tejme, për të parë e dëgjuar nga Shqipëria, Papën nëpërmjet televizionit, dhe nga bota madje edhe të nesërmen “all day long”. Po kështu edhe pjesëtarë të familjes time. Papa kish dëgjuar, kish lexuar, duhet të jetë këshilluar e tutorizuar nga këshilltarë e shkencoditurit e tij para se të vinte në Shqipëri. Papa kundroi, dëgjoi, u informua nga shumë drejtime në Shqipëri e pastaj deklaroi para mediave vëllazërinë ndërfetare. Ndoshta mund t’ia kenë thënë Papës se në burgun e Shkodrës, një njeri i shkëlqyer me emrin Xhabir Dibra, nga Shkodra-e kam njohur shumë mirë këtë njeri të madh e të ndershëm, dentist në Lezhë- i besimit mysliman aktiv besimtar nga nëna e babai i tij, kish mbajtur me ushqime që i sillnin nga shtëpia, në mënyrë të barabartë e të njëllojtë në birucë At Zef Pllumin, klerikun e madh shqiptar, i cili e ka shkruar në librin miliona kopjesh në Itali “Rrno për me tregue”.
Vullneti për pushtet. Dëgjova një natë një analist, i cili ju hakërrua një po analisti tjetër, se ku e din ti se Amerika si kontinent ka më shumë katolikë se Europa. Tjetri iu përgjigj se e di. Kam dëgjuar shpesh në debate të ndryshme televizive-jo pak herë shterpë, e që për nga lartësia e tonit të përcjelljes së ideve nuk ka sonometër (tingullmatës) që t’i matë- që analistët apo politikanë përhedhin pyetjen se ku e din ti (e jo ju) për këtë apo atë dije, madje për shumëçgjë përdorin togfjalëshin ti mashtron, gënjen apo rren (?!) për të vërteta, gjysëm të vërteta apo jo. Etika më elementare e dijes është se dija është e pafund dhe një njeri sado i ditur qoftë, gjithmonë mëson nga leximi, dëgjimi i tjetrit, të parët, të jetuarit individual, kolektiv e global etj. Asteroidi 2004 BL86 do të kalojë pranë Tokës javën tjetër. Niçja thotë: “Bota është jetë dhe jeta është pushtet”. Në konceptin qoftë individual apo grupe kolektiv mendoj se sa më larg të shkojmë në drejtim të dijeve tona aq më afër të vërtetës apo të vërtetave shkojmë. Sa më tepër dije të marrin shqiptarët aq më mirë e më lehtë do t’i zgjidhin hallet e mëdha që ato kanë. Të lexosh është mirë; të lexosh e të dëgjosh është shumë mirë; ndërkohë të lexosh, të dëgjosh, të shikosh e të zgjidhësh një problem në unitet kuarteti, është shkëlqyer. Këtu nuk e kam fjalën për disa pushtete apo qeveri shqiptare, lidershipe politike, por për dijet që na duhen e na harmonizojnë. Na zhvillojnë. Jo se nuk e kam edhe për to…
Toleranca politike dhe toleranca fetare. Fjala tolerancë do të thotë durim, duresë, lejesë, butësi, përballesë etj. ndërkohë që tolerant shqipërohet për një njeri që është i duruar, i durueshëm, i butë, zemërgjerë, i përballueshëm, lejues etj. Dhe në këtë kontekst të tolerancës mund të them ose të mendoj të shpreh se nëse Enver Hoxha e shpura e tij politike diktoj, syrgjynosi e vrau shumë klerikë e njerëz të ndryshëm shqiptar kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk kanë patur e nuk kanë sot tolerancë fetare për hir të Njëshit. Shqiptarët jo të paktë edhe në kohën më të egër të diktaturës kanë festuar edhe Krishtlindjet edhe Bajramin. Ata kanë uruar njeri tjetrin edhe atëherë. Meqenëse perceptimi dhe historitë individuale janë pjesë e çdo njeriu edhe në konceptin e ekzistencës po kujtoj një ndodhi të vitit 1967: Konçidoi që festa e Bajramit dhe e Vitit të Ri të ishin me një datë. Sekretar i parë i Lezhës ishte Seit Bushati. Sapo hyri në shtëpi, bashkë me të shoqen, Drita Bushatin – një grua shumë e mirë, luftëtare e patriote e madhe për çështjen e madhe të çlirimit të Kosovës në vitin 1999-na tha: Ju fëmijëve ju uroj për shumë vjet Vitin e Ri ndërsa ty zotni Hamza (babës) të uroj për shumë vjet Bajramin”. Edhe nënës së tij, Seiti ia lejonte kryerjen e ramazanit dhe ëmbëlsirën për bajram. Ke patur jo pak komunistë të feve të ndryshme që i kanë ditur përmendsh pjesë të kuranit e biblës dhe i kanë shprehur në biseda familjare e shoqëri të afërta. Është tjetër pastaj politika e një diktatori apo grusht diktatorësh. Vërtet sot në Shqipëri dy grupimet kryesore politike luftojnë, bërtasin e trumbetojnë si të drejta platformat e tyre zhvillimore dhe kërkojnë me çdo kusht marrjen e pushtetit mundësisht krye një viti apo dy vjetësh –në 23 vjet krahas luftërave ndërmjet tyre kanë patur edhe disa marrëveshje- kjo nuk do të thotë se sipas disave në Shqipëri për shkak të mostolerancës nuk ekzistuaka toleranca fetare!!! Të paktën sipas shqipes dhe realitetit shqiptar toleranca të paktën midis feve ka ekzistuar, ekziston e do të ekzistojë duke u nisur gjithmonë nga trendi historik shumëshekukullor i shqiptarëve të bashkëlidhur. Tolerancë të kulluar apo epruvete nuk ka për të patur ndonjë herë. Dikush thotë: Kush i dërgoi klerikët tanë pako postale, kush i hupi në avion për Francë kush, kush, kush,..? Shkoi kryeministri për vrasjet e gazetarëve francezë e oficerëve të policisë, shkuan dhe klerikët tanë dhe u rrokën krahësh njëri me tjetrin e francezë të tërë me intelektualë, me punëtorë, me parizienë të ditur e të paditur duartrokitën fort këtë përformancë. E përcollën si kumt shumë media prestigjioze. Ndoshta ne shqiptarët jemi më filozofë se filozofitë e hershme e të sotme të botës. Ndoshta një pjesë e jona…
Vëllazëri, tolerancë apo bashkëpunim. Po ta kundrosh në konceptin e përgjithshëm unë mendoj se ky trinom ka ekzistuar gjithherë tek shqiptarët dhe ka qenë një stoli ose përkorë e shqiptarëve. Në përgjithësi shqiptarët e kanë patur vëllazërinë fetare. Sa përqind është ose në cilin nivel të lartësive të lartësive është ky vëllazërim fetar këtë nuk mund ta them ose themi sepse për numra e meritacione kërkohen studime jo me 100, 200, 300 apo 800 vetë por me mijëra vetë. Në një leksion që dëgjova në lidhje me një aspekt fiziologjik nga një profesor i huaj, ai kishte marrë për studim grupmosha të ndryshme me rreth 32 mijë veta në disa vende të Europës. Dyshimi që ekziston për këtë vëllazërim apo tolerancë përherë është pjesë e plotësisë përshkallëzore të së vërtetës.