A është Kosova shembull se si nuk do të duhej të bëhej shteti?!

Nga Behxhet Sh.Shala

“ Brenga “ e ndërkombëtarëve dhe grykësia e “ kombëtarëve “: Gjatë kohës së ngërçit politik që zgjati thuaja gjashtë muaj të plotë kishim një “ përplasje “ midis faktorit ndërkombëtar dhe atij vendorë që dikush gabimisht e quan edhe kombëtar! Vendorët ishin të interesuar , si pozita ashtu edhe opozita , ta fitonin pushtetin me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara. Qëllimi ishte i qartë; përmes pushtetit ta privatizojnë shtetin. Kurse ndërkombëtarëve as që u interesonte se kush do ta ketë pushtetin prandaj disa  u bënë zëdhënës dhe partizanë të VLAN-it ndërsa të tjerët përkrahës të koalicionit PDK – LDK apo koalicionit të numrave. Paradoksalisht koalicioni VLAN u quajtë koalicion i shpresës  ndonëse brenda tij ishin ata : “ të hurit dhe të konopit “ të cilët shpresën e kishin dhunuar me afera të mëdha korruptive dhe krim të organizuar të profilit të Al Kapones. Sikur edhe disa të pozitës.  Paradoksalisht dhe asessi aksidentalisht aty ishte edhe LVV e cila përkah orientimi e sidomos përmbajtja ishte krejtësisht e kundërta e partnerëve tjerë prandaj erdhi në situatë që në emër të marrëveshjes për parime i shkeli të gjitha parimet mbi të cilat ndërtoi deri atëherë ( me sukses ) , strategjinë e veprimit politik dhe kombëtar! Të tjerët, më herët ,  si pozita ashtu edhe opozita i kishin rënë bakllavasë së pushtetit dhe kjo bakllava  i kishte zënë . LVV –je realisht nuk i kishte mbetur shumë nga kjo ëmbëlsirë por nuk ishte arsye që të mos bëjë një mësymje për të marrë ate ]që kishte mbetur nga peshkaqenjt e mëdhenj. Fati ishte tragjik ( unë e them shpëtimtar ) për VLAN-in ndërsa shpëtimtar ( unë e them tragjik ) për koalicionin PDK- LDK apo koalicionin e numrave. Koalicioni që udhëhiqej nga ambasadori Cliff ( VLAN ) e shihte si mundësi për faktorizim , shpëtim nga ligji dhe sidomos si rast i jashtëzakonshëm për ta zhbërë nga skena politike PDK-në përmes mbushjes së burgjeve të Kosovës me udhëheqës dhe anëtarë të këtij subjekti që i kishte fituar zgjedhjet. Edhe për PDK ishte çështje mbijetese ; po të mbeteshin në opozitë do t’i merrte lumi . Në pozitën më të vështirë ishte Isa Mustafa dhe LDK . Po të mos bëhej Isa Mustafa kryeministër dhe po të mos e merrte udhëheqjen e qeverisë ky subjekt i plakur , Isaja sikur dikur Isusi do të kryqëzohej ndërsa LDK do të likuidohej si parti serioze politike. Përkohësisht u gjetë një zgjidhje  e cila në planin afatgjatë e rrezikon LDK-në e cila, po të reformohej duke angazhuar forca të reja dhe njëkohësisht duke dërguar në pension “ gardën “ e vjetër të cilët u shndërruan në parazitë dhe pengues të proceseve reformuese, në zgjedhjet e radhës do të dilte subjekti i parë politik me një lehtësi të admirueshme! Kështu , LDK –ë duke hyrë në shtrat me hamshorin e dëshmuar ( PDK) , pa dyshim se do të ndahet e qullur . Jo  nga pasioni apo epshi por nga frika dhe dhunimi që mund ta pësojë pas një kohe nga partneri me të cilin historikisht nuk mund të krenohet se ka qenë në marëdhënie dashurie ! NISMA për Kosovën do të shndërrohet në , e Kaluara e Kosovës duke u arkivuar në mesin e  subjekteve politike me jetëgjatësi parlamentare të një mandati . Aq ishte tregimi për NISMËN . AAK – ës ishte “pëforcuar “ shumë duke e angazhuar si përforcim “ ideologun “ i cili nuk kishte kurrfarë përgjegjësie kombëtare e shtetërore përveç se ishte shndërruar në kontabilist që menaxhonte me shumë sukses xhirollogaritë e mbushura me euro, dollarë, franga, denarë, dinarë dhe lekë shqiptare, pa e siguruar as edhe votën e tij për AAK-në! Lëre më vota të tjera! Rezultatet e zgjedhjeve të fundit e treguan “fuqinë “ e Blerimit dhe dështimin e Ramushit i cili mendonte se me ardhjen e Blerimit në AAK , kjo parti do të fisnikërohej intelektualisht dhe politikisht . Ai e përçau AAK-në dhe të vetmën përkrahje e kishte liderin e saj dhe po të mos ishte Ramush Haradinaj në AAK-ë, Blerim Shala , jo që do të pranohej në AAK por do të ndiqej si dikur Galileo Galileu . Kështu, e kemi një situatë kur Blerimi nuk është më në AAK ( për mua as që ka qenë ndonjëherë ) dhe AAK mund të këndellet i liruar nga një ideolog politik impotent . Edhe  Blerimi tash e tutje mund të vazhdojë punën që e ka bërë më së miri , mbushjen e xhirollogarive personale pa u ngarkuar me përgjegjësi. Në fund të fundit , ka përvojë të gjatë sepse ( në emër të shoqërisë civile , nuk e di cilës !!!) që nga koha e para luftës ka qenë pjesë e të gjitha proceseve politike me theks të veçantë i bisedimeve dhe ndërmjetësimeve ! Tash  në duet me Edita Tahirin e cila duket se do të pensionohet në aeroplanin që fluturon nga Prishtina në Bruksel apo, me gjasë të madhe në aeroplanin e linjës Prishtinë – Beograd ! Deri më sot gjë të hajrit nuk kanë bërë ! Subjektet politike, të pozitës dhe opozitës, kush më shumë e kush më pak premtuan luftë kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar , luftë kundër nepotizmit , zbutje të varfërisë, vende të reja të punës, projekte zhvillimore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Që,  nëse kemi parasysh kohën dhe ata që premtuan duket  të ketë qenë një mision  i pamundur!

Po ndërkombëtarët , ç’premtuan ata :  Ndërkombëtarët në Kosovë u treguan shumë më të sinqertë se burrat dhe gratë e vendit që mendojnë se merren me politikë. Ata nuk premtuan se do ta luftojnë korrupcionin dhe krimin e organizuar sepse një numër i tyre ishte pjesë atkive dhe vet truri i këtyre proceseve. Ata, jo që nuk i luftuan këto dukuri shkatërruese ndonëse kishin mandat të plotë për këtë por i morën në mbrojtje vendorët  që ndanin gjahun me ta! Tash, si Ponti Pilati po i lajnë duart nga përgjegjësia  duke u thënë vendorëve se është përgjegjësi e institucioneve të vendit ta luftojnë korrupcionin dhe krimin e organizuar . Faturë shfajësuese për krime të përbashkëta! Ndërkombëtarëve nuk u intereson papunësia dhe varfëria e madhe në Kosovë ndryshe do të investonin në zbutjen e tyre. Ata interesohen për të gjitha këto dukuri vetëm nëse rrezikohet siguria dhe statusi i tyre brenda kësaj sigurie! Në kohën e ngërçit politik ndërkombëtarët insistonin të formohen institucionet vetëm për dy arsye : 1) për shkak të vazhdimit të bisedimeve me Serbinë dhe 2) për formimin e Gjykatës Speciale për dënimin e shqiptarëve të dyshuar në raportin e senatorit të Beogradit në Këshillin e Evropës, gospodin Dik Marti. Sa për fillim.

Në të gjitha bisedimet , që nga bisedimet për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare midis Him  Govës dhe Vinçenco Palës nga Shën Exhidio e deri te bisedimet në Bruksel gjithmonë jemi ndarë të lagur dhe stërlagur sepse nuk kemi qenë partnerë por vetëm dëgjues dhe zbatues. Ishim jashtë Dejtonit dhe lordi Kar ington na futi deri në palcë sepse as që na ftoi në konferencën për ndarjen e pasurisë së ish Jugosllavisë . Na i la t’i paguakmë një pjesë të borxheve të Serbisë.  Në Rambuje shkuan ata që pranuan kushte dhe pika të panegociueshme ndërsa u përjashtuan ata që nuk i pranuan këto kushte. Në Rambuje na këcyen të gjithë me radhë e tash po detyrohemi ta rrisim kopilin në Veri të Kosovës i cili së shpejti do të bëhet entitet politik dhe etnik në vete ! Në Marrëveshjen e Kumanovës ishin ndërkombëtarët dhe ushtria e  Serbisë. Ne bënim parada , zaptonim lokale dhe banesa në emër të luftës dhe dorëzonim armët në ndërkohë që Serbia përfitoi nga heqja e embargos për shitje të armëve dhe armatoste me armatim të sofistikuar strukturat kriminale serbe në Veri të Kosovës dhe në enklava ! Në bisedimet e Vjenës  shumica e atyre që “ biseduan “ në emër të Kosovës u pasuruan me disa qindra mijra euro , na u caktuan kornizat e bisedimeve duke paragjykuar vet procesin dhe duke na përjashtuar nga vendimmarrja. Aty lindi kopili i dytë me emrin Pakoja e Ahtisarit i cili u bë më i fortë se vet shteti i Kosovës. Të  gjithë këta që e pranuan këtë pako monstruoze dhe kriminale në aspektin juridik , politik, strategjik dhe kushtetues bënin be dhe rrufe në këto pako duke e sforcuar me , Pakoja e Presidentit Marti Ahtisari. Iu dukej se sa më gjatë të jetë arsyetimi , më lehtë do të shfajësohen nga kjo pako kriminale. Pasojat po i ndjejmë sot dhe sigurisht në të ardhmën edhe më shumë! Bisedimet në Bruksel , mendermethënë bisedime e ndihmuan Serbinë ta përshpejtojë dinamikën e integrimit në BE ndërsa Kosovës i ndihmoi që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza përmes Serbisë dhe Hungarisë së Viktor Urbanit. Thuaja tash se nuk kemi përfituar nga këto bisedime ?! Pas  të gjitha këtyre dështimeve të ndërkombëtarëve , që nga UNMIK , OSBE dhe së fundi UNMIK i transformuar në EULESH prapë pala e kërcënuar dhe e dëmtuar jemi ne. Jo nuk do të keni liberalizim të vizave , jo nuk do të keni gjasa të integroheni as në Somali e jo në BE dhe të tjera. Thuaja se pak e kanë dëmtuar Kosovën duke e lënë të varur nga Serbia dhe duke e bërë shtet jofunksional. Më tregoni ndonjë rast kur në këto bisedime të panumërta dhe shterpe , pala kosovare ka qenë përcaktuese e ndonjë pike të rendit të ditës ?! Kurrë dhe asnjëherë! Kjo ishte sa i përket bisedimeve.

Ndërkombëtarët po insistojnë dhe nguten ta formojnë Gjykatën Speciale . Jo për t’i gjykuar krimet që nuk janë hetuar dhe gjykuar nga Tribunali i Hagës, gjykatat e UNMIK-ut dhe ato të EULESH-it por për t’i përmbushur paranojat e gospodin Dik Marti. Këso gjykate nuk është formuar kurrë në asnjë vend të botës kur numri i viktimave ka qenë disa milionë . Pse vetëm në Kosovë dhe pikërisht në këtë kohë shumë shpejt do ta shohim. Është fakt i pamohueshëm se do të jetë Gjykatë që do të dënojë ekskluzivisht në baza etnike duke dënuar vetëm shqiptarët në një luftë ku edhe viktimat por edhe kriminelët kanë qenë multietnik! Drejtësia selektive është padrejtësi  që pashmangshëm nxit konflikte tjera. E pabesueshme për njerëz normalë është se kinse kjo Gjykatë po formohet me kërkesën tonë dhe se është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Gënjeshtër e lakuriquar dhe e ulët. Madje, ka përpjekje të arsyetohet se nëse këtë nuk e bënë Brukseli atëherë këtë do ta bëjë Rusia dhe Kombet e Bashkuara në me krye Banin e ki Munit. Po i kujt na qenka UNMIK-u që ende dhunon në Kosovë apo pasardhësi i tij biologjik dhe politik , EULESH-i ?!  I kujt ishte Tribunali i Hagës . Të Kombeve të Bashkuara në me krye Banin e ki Munit . Këtë kërcënim e thonë ata që bartin poste të rëndësishme , janë pa koqe dhe kurrë nuk u ka interesuar kombi e as shteti . Në fund të fundit kjo gjykatë do të nxjerrë nga loja do luftëtarë të mëdhenj dhe disa luftëtar të mëdhenj dhe të vegjël që pas luftës janë shndërruar në plaçkitës dhe zhvatës ordinerë! Kjo Gjykatë nuk e ka për qëllim ta ndjek dhe gjykojë krimin sepse Serbia po mbetet jashtë ingjerencave të saj! Në fund të fundit , ata ( nëse do të ketë arrestime të peshqve të mëdhenj ) do ta gjejnë mënyrën ta blejnë me euro apo ndonjë valutë tjetër “ pafajësinë “ e tyre. Siç kanë bërë edhe në të kaluarën. “ Miqtë“  ndërkombëtarë më së miri e ndajnë “ drejtësinë “ kur i mbushin  xhepat me euro. Këtu , janë viktimat që do e pësojnë më së shumti . Sikur që e pësuan në Tribunalin e Hagës , në gjykatat e UNMIK- EULESH-it dhe ato të Serbisë !

A ishte qëllimi të bëhej Kosova shtet i pavarur dhe Sovran : Jo dhe përfundimisht jo. Po të donin ata që vendosin Rambujeja do të kishte tjetër format dhe përmbajtje. Nuk do të ndahej Mitrovica . Nuk do të formoheshin enklavat serbe. Ndërkombëtarët nuk do të lejonin të vriteshin dhe përndjekeshin serbët , romët dhe pakicat e tjera pas përfundimit të luftës sepse kishin detyrë t’i mbrojnë! Nuk do të lejonin vrasjen e shkurtit 2000 të shqiptarëve dhe joserbëve duke shpërngulur dhunshëm pa të drejtë kthimi mbi 13,000 shqiptarë dhe joserbë! Nuk do të lejonin organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Do të hetonin ngjarjet e marsit 2004 dhe nuk do t’i ndiqnin vetëm shqiptarët kur ishin tre fëmijë shqiptarë të mbytur në lumin Ibër në Çabër , 11 shqiptarëve të tjerë dhe 8 serbëve . Nuk do të lejonin mbytjen e pesë të burgosurve në Burgun  e Dubravës dhe mbytjen e dy protestuesve paqësorë në demonstratat e 10 shkurtit 2007. Nuk do të përndiqeshin aktivistët e VV sikur çifutët në luftën e dytë botërore. Pavarësia do të shpallej në qershor të vitit 1999 e jo në vitin 2008 vetëm pasi e krijuan një situatë të re në terren duke e lejuar forcimin e Serbisë në Kosovë ku Serbia mori rol vendimmarrës. Nuk do të lejonin strukturat kriminale në veri dhe policinë e Serbisë të bëhen struktura legale dhe partner i ndërkombëtarëve . Nuk do të lejonin barrikada ilegale dhe” Parkun e Paqes” të ngritur nga kriminelët serbë pikërisht mbi urën që e ndanë Mitrovicën në mënyrë që kjo të bëhet temë e bisedimeve në Bruksel. Dhe këtë pa fije turpi e kërkon pasagjerja mondane me paratë e tatimpaguesve kosovarë, shetitsja dhe shpotitsja Edita Tahiri! Merreni me mend për çka bisedohet në Bruksel ?! Për disa saksi me bredha që një shtet serioz do t’i eliminonte për 5 minuta! A dini ndonjë vend në Evropë apo Europë , ku një barrikadë e pëshurrët ngrihet në nivel të bisedimeve midis një shteti ( Serbia ) dhe një gjysmështeti ( Kosova )?! Pse duhet të bisedojmë për çështjet tona të brendshme me Serbinë që ka qëndrim skajshmërisht armiqësor ndaj Kosovës të cilën po e shkatërron politikisht dhe të cilën po e mjelë ekonomikisht! Prandaj, Kosova nuk mund të shërbejë në asnjë mënyrë si tregim suksesi si bëhet shteti por pikërisht si shembull eklatant si nuk duhet të bëhet shteti!

SHKARKO APP