A është pakësuar puna “në të zezë”?
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i personave kontribues në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore në vitin 2014 ishte 655 mijë, ose 94 mijë më shumë se në vitin 2013. Kjo rritje prej 17% e kontribuesve të skemës së detyrueshme lë të kuptohet se ka patur një ulje domethënëse të punës “në të zezë”.
Por a janë të sakta shifrat që ka publikuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore?
Një mënyrë sesi të verifikohen ato shifra është ajo e kryqëzimit me shifrat e Thesarit të Shtetit, ku pasqyrohen kontributet. Sipas këtyre shifrave, kontributet totale të sigurimeve shoqërore në 2014-ën ishin 61.4 miliardë lekë, ose 21% më shumë se në 2013-ën. Gjë që tregon se rritja e numrit të kontribuesve me 94 mijë, të deklaruar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, verifikohet nga rritja e kontributit total të regjistruar në Thesarin e Shtetit.
Për vitin 2015, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ende nuk ka publikuar numrin e kontribuesve të regjistruar në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, por të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se kontributet totale janë rritur vetëm 0.2 miliard lekë në krahasim me 2014-ën. Pra, duket se gjatë 2015-ës, nuk është shtuar numri kontribuesve të regjistruar në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, krahsuar me 2014-ën.