A ia vlen t’i depozitosh më paratë në bankë?

A ia vlen që t’i depozitosh më paratë në bankë? Kjo pyetje të lind vetvetiu si një klient që ruan disa kursime në bankë, teksa njihesh me vendimin më të fundit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit norma bazë e interesit për monedhën vendase, Lekun, është ulur në një nivel të ri rekord prej 2%. Njoftim ky i bërë me dije nga institucioni qendror bankar në vend. “Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.00%”, citojnë drejtuesit e saj. Kujtojmë sakaq, se vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen teksa inflacioni në dhjetor ishte 1.7%, poshtë objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%, duke i dhënë më shumë hapësira institucionit monetar qendror për të vepruar. Teksa kjo është plot hera e trembëdhjetë, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë të monedhës vendase, Lekut, duke nisur që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, e cila synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ndërsa ulja më e fundit u bë në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Dhe duke shkaktuar dukshëm një ndikim të madh tek niveli i depozitave të klientëve në bankat tregtare të nivelit të dytë në vend. Konkretisht, ai ka qenë gjatë kësaj periudhe edhe segmenti që ka reflektuar më shumë politikën lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, pasi interesat e tyre kanë zbritur në 1.6% në nëntor (maturimi 12-mujor), duke u ulur me 4.3 pikë përqindjeje në raport me shtatorin 2011. E thënë ndryshe, duke njohur një rënie mjaft të madhe dhe duke e bërë një klient të bankave të nivelit të dytë që t’i lindë vërtet dilema se a ia vlen më që ai t’i mbajë kursimet e tij pranë tyre, apo t’i nxjerrë jashtë për t’i investuar diku. Çka duket se është në të vërtetë edhe qëllimi i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, teksa kanë marrë për të trembëdhjetën herë vendimin e uljes së normës bazë të interesit për monedhën vendase, Lekun. E pikërisht ndoshta për një arsye të tillë, depozitat, sidomos ato me afat në lekë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes së tyre muajt e fundit. Kujtojmë sakaq, se ulja e normës bazë të monedhës vendase, Lekut, vjen në një kohë që interesi i letrave me vlerë afatshkurtër të qeverisë kishte filluar rritjen prej disa javësh, duke reflektuar tërheqjen e bankave në investimet në bono thesari dhe duke rritur kostone shërbimit të borxhit të qeverisë. Edhe në ankandin e fundit të zhvilluar dje, interesi i i bonove 12-mujore u rrit nga 3.51% në 3.54%.

 

 

REAGIMI

 

Ekspertët: Ulja e normës bazë

të interesit, nxitje për ekonominë

 

Vendimi i fundit i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë për të ulur në 2.00% normën bazë të interesit për Lekun, shihet me optimizëm nga ekspertët e fushës, si një lëvizje që do të nxisë ekonominë dhe stimulojë konsumin. Konkretisht, sipas tyre, ajo do të ulë koston e huasë që qytetarët kanë marrë në banka, do të rrisë kreditimin në ekonomi dhe do të shtojë konsumin. Ekspertët e ekonomisë shprehen gjithashtu se ulja e normës bazë synon që nga ana e bankës qendrore të jepet një stimul i mëtejshëm për t’i bërë fondet më të lira dhe të ndikojnë në kostot e huamarrësve, të cilët janë edhe bankat, individët dhe firmat private. Dhe pikërisht, ulja e kostos së fondeve ndikon në kostot e këtyre huamarrësve.

SHKARKO APP