A ishte mungesa e Obamës shenjë e ‘arrogancës’ amerikane?

Të dielën, më shumë se 1 milionë njerëz marshuan në rrugët e Parisit dhe 44 krerë shtetesh dolën krah për krah në bulevardin Voltaire. Por një mungesë ra në sy

Nga Anthony Zurcher, BBC

 

Të paktën, mungesa u vu re nga shumë kritikë të Barak Obamës, që kritikuan presidentin që nuk mori pjesë në demonstrimin e unitetit francez, pas sulmeve në revistën satirike Charlie Hebdo.

Jack Tapper i CNN tha se i vjen turp që Obama, zëvendëspresidenti Joe Biden dhe ndonjë zyrtar i nivelit të lartë të SHBA nuk ishin në krah të liderëve të Britanisë, Izraelit, Autoritetit Palestinez, Gjermanisë apo Jordanisë.

Të hënën pasdite në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Ernest tha se zoti Obama kishte dashur të merrte pjesë, por përgatitjet për sigurinë e një vizite presidenciale kërkojnë njoftim 36 orë përpara se të bëhet vizita.

Ai shtoi megjithatë se ‘është e ndershme të thuhet se ne duhet të dërgonim dikë të profilit më të lartë’.

Zoti Kerry, që ishte në Indi për një takim, tha: “SHBA kanë qenë thellësisht pranë popullit të Francës, që kur incidenti ndodhi”, duke shtuar se do të vizitojë Francën më vonë këtë javë.

Edward- Isaac Devore i Politico nuk është i sigurt nëse qëndron justifikimi për çështjet e sigurisë.

“Si rregull i përgjithshëm, Shërbimi Sekret nuk e lë as Obamën dhe as Biden që të jenë në një zonë të hapur që nuk ka pasur më parë një spastrim të plotë dhe Shtëpia e Bardhë ka tendencën që të jetë e ndërgjegjshme rreth faktit që të tilla masa sigurie krijojnë shpërqendrim nga ngjarja,” shkruan ai. “Por një president i fortë mund të shmangë të tilla shqetësime për një takim të tillë për terrorizmin”.

Përveç kësaj, shkruan në Twitter Borzou Daraghi i Financial Times, politikanët e botës vështirë se do kryesonin marshimin në një Paris që është i vështirë të ruhet, aq më shumë të bashkojnë krahët për një foto në një rrugë të zbrazur dhe të ruajtur.

Sipas analistit të Gateway, Jim Hoft, bëhet fjalë për çështje prioritetesh.

“Administrata Obama ka dërguar tre përfaqëses në funeralin e Michael Brown në Ferguson,” shkruan ai. “Por vetëm ambasadori në Francë ishte në marshimin historik anti- terror në Paris”.

New York Daily News doli me një editorial në kopertinë kundër presidentit. Aty lexohej: “Ti e zhgënjeve botën”.

“Kjo ishte një ditë për t’u shfaqur e për të qëndruar, për një lloj marshimi për lirinë dhe kurajon, parime për të cilat ky vend ka bërë shumë,” shkruan kolumnisti i Daily News, Mike Lupica.

“Kështu duhej të dukeshin marshimet tona më fisnike në Uashington”.

Lupico e vë theksin edhe tek marrëdhënia e komplikuar e SHBA me Francën.

“Sigurisht ka pasur raste kur udhëheqësit e Fancës mund të kishin bërë më mirë për ne,” shkruan. “Të dielën ne duhet të kishim bërë më mirë për ta”.

Me sa duket ishte një referencë e zhdrejtë për armiqësinë që nisi të ziejë në politikën dhe shtypin amerikan si rezultat i papajtueshmërisë së Francës përpara nisjes së Luftës në Irak në vitin 2003.

Shumë nga kritikët konservatorë, që sot janë duke fajësuar Obamën që nuk po tregon solidaritet me Francën, në atë kohë bënin shaka të hidhura në lidhje me “Francën frikacake”.

12 vjet më vonë është një përjetësi në politikë, natyrisht, dhe tani Obama është duke u përballur me një kor kritikash dhe jo vetëm nga zërat e zakonshëm nga e djathta.

“Kam qenë një mbështetës i vazhdueshëm i politikave të zotit Obama,” shkruan Rick Ungar i Forbes. “Megjithatë, mungesa e dëshirës së presidentit Obama për të marrë pjesë në marshimin e Parisit është një dështim personal nga ana e tij dhe besoj se e dëmton krenarinë dhe shpirtin e kombit që ai drejton”.

Jeffrey Goldberg i Atlantic shkruan: “Do ishte mirë që të shihje vendin, lindjen e të cilit e ka pritur një ‘mami’ si Franca, të dërgonte liderin e saj për të qëndruar në krah të Francës”.

Por ndërsa qëllimet e Shtëpisë së Bardhë mund të jenë të mira, shkraun Josh Rogin i Bloomberg, ky është një tjetër rast se si kjo administratë bën veshin e shurdhër kur bëhet fjala për “gjëra të vogla që mund të bëjnë ndryshimin e madh, kur bëhet fjala për të ruajtur marrëdhëniet dhe treguar respekt”.

“Shtëpia e Bardhë shpesh i humbet mundësitë dhe lejon që një optikë e varfër të hedhë hije mbi disa kontribute pozitive,” përfundon ai.

Në fakt shmangia e të tilla gabimeve të panevojshme është pak a shumë thelbi i diplomacisë.

SHKARKO APP