A janë më të këqijtë vërtet plot pasion?
Tani kur të gjithë jemi në gjendje shoku pas vrasjeve në zyrat e Charlie Hebdo-së, është momenti i duhur për të marrë guximin për të menduar. Ne, sigurisht, duhet të dënojmë pa ekuivokë vrasjet si sulm ndaj vetë substancës së lirive tona dhe t’i dënojmë pa spekulime e arsyetime të fshehura (në stilin e “Charlie Hebdo, megjithatë, i kishte provokuar dhe i kishte poshtëruar shumë myslimanët “). Por një patos i tillë solidariteti universal nuk është i mjaftueshëm – duhet të mendojmë më tej.
Ky mendim nuk ka të bëjë fare me relativizimin e pandershëm të krimit (Mantra se “kush jemi ne në Perëndim, autorë të masakrave të tmerrshme në botën e tretë, që të dënojmë akte të tilla?!”). Kjo ka të bëjë edhe më pak me frikën patologjike të shumë të të majtëve liberalë perëndimorë se mos akuzohen për islamofobi. Për të tillë majtistë të rremë çdo kritikë e Islamit shpallet si shprehje islamofobie perëndimore; Salman Rushdiu u akuzua për provokim të panevojshëm të myslimanëve dhe në këtë mënyrë (pjesërisht, të paktën), se ishte përgjegjës për fetvanë që e dënonte atë me vdekje etj. Nga kjo rrjedh ajo që pritet: sa më shumë kërkojnë majtistët liberalë perëndimore të zbulojnë fajësinë e tyre, aq më shumë akuzohen nga fundamentalistët myslimanë si hipokritë që përpiqen të fshehin urrejtjen e tyre ndaj Islamit. Kjo situatë riprodhon në mënyrë të përkryer paradoksin e mbiunit: sa më shumë t’i bindeni asaj ç’kërkon Tjetri nga ju, aq më fajtor jeni. Ose sa më shumë ta toleroni Islamin, aq më i fortë do të jetë presioni i tij mbi ju…
Prandaj janë të pamjaftueshme edhe thirrjet për moderim, si ajo e Simon Jenkins-it (në The Guardian më 7 janar), se detyra jonë është “të mos reagojmë jashtë mase, të mos i publikojmë pasojat. Duhet ta trajtomë çdo ngjarje si një aksident të tmerrshëm jetëshkurtër “- mirëpo sulmi mbi Charlie Hebdo-në nuk ishte thjesht “aksident jetëshkurtër”. Ai kishte ndjekur një agjendë precize fetare e politike dhe ishte në mënyrë të qartë pjesë e një plani shumë më të madh. Sigurisht që nuk duhet reaguar jashtë çdo mase, nëse kjo do të thotë që të mos biem pre e islamofobisë së verbër – por duhet ta analizojmë fort këtë model.
Ajo çka është shumë më e nevojshme se demonizimi i terroristëve si fanatikë heroikë vetëvrasës është një diskreditim i këtij miti demonik. Shumë kohë më parë Friedrich Nietzsche-ja e pat kuptuar se si qytetërimi perëndimor po shkonte në drejtim të Njeriut të Fundit, një krijese apatike pa pasion a angazhim të madh. I paaftë për të ëndërruar, i lodhur nga jeta, ai nuk ndërmerr rreziqe, duke kërkuar vetëm rehati dhe siguri, si shprehje e tolerancës ndaj njëri-tjetrit: “Pak helm herë pas herë i bën ëndrrat e këndshme. Dhe shumë helm në fund e bën vdekjen të këndshme. Ata kanë kënaqësitë e tyre të vogla gjatë ditës dhe kënaqësitë e vogla gjatë natës, por kanë kujdes për shëndetin. “E kemi zbuluar lumturinë,” – thonë Njerëzit e Fundit, dhe i kapsitin sytë.”
Mund të duket se ndarja ndërmjet Botës së Parë tolerante-hedoniste dhe reaksionit fundamentalist zhvillohet gjithnjë e më shumë përgjatë vijave të kundështisë midis një jete të gjatë dhe të kënaqshme plot me begati materiale e kulturore dhe përkushtimit të jetës ndaj një Kauze transhendente. A s’është ky antagonizmi midis atyre që Nietzsche-ja i quan nihilizëm “pasiv” dhe “aktiv”?! Ne në Perëndim jemi Njerëzit e Fundit niçeanë, të zhytur në kënaqësi të përditshme idiotike, ndërsa radikalët myslimanë janë të gatshëm të rrezikojnë çdo gjë, të angazhuar në luftë deri në vetëshkatërrimin e tyre. “Ardhja e Dytë” e William Butler Yeats-it duket se e kap në mënyrë të përkryer situatën tonë aktuale: “Më të mirëve u mungon çdo bindje, ndërsa më të këqijtë janë plot intensitet pasionant.” Ky është një përshkrim i shkëlqyer i ndarjes së sotme ndërmjet liberalëve anemikë dhe fundamentalistëve pasionantë. “Më të mirët” nuk janë më në gjendje të angazhohen me tërë qenien e tyre, ndërsa “më të këqijtë” angazhohen në fanatizma raciste, fetare, seksiste.
Mirëpo a është i saktë një përshkrim i tillë i fundamentalistëve terroristë? Atyre u mungon një tipar lehtësisht i dallueshëm te të gjithë fundamentalistët autentikë, nga budistët e Tibetit tek amishët në SHBA: mungesa e hidhërimit dhe smirës, indiferenca e thellë ndaj mënyrës së jetesës së jobesimtarëve. Nëse të ashtuquajturit fundamentalistë të sotëm besojnë vërtet se kanë gjetur rrugën e tyre për tek e Vërteta, pse duhet të ndihen të kërcënuar nga jobesimtarët, pse duhet të kenë zili ndaj tyre?! Kur një budist takon një hedonist perëndimor, ai nuk e shikon me sy akuzues. Vetëm sa vëren se kërkimi i lumturisë nga hedonisti është i kotë. Për dallim nga fundamentalistët e vërtetë, pseudofundamentalistët terroristë janë thellësisht të shqetësuar, kureshtarë, të mahnitur me jetën mëkatare të jobesimtarëve. Duket sikur duke luftuar mëkatarin ata janë duke luftuar vetë tundimin e tyre.
Diagnoza e Yeats-it nuk arrin ta përshkruajë krejt situatën aktuale: intensiteti pasionant i terroristëve dëshmon për një mungesë të bindjes së vërtetë. Kushedi sa i brishtë duhet të jetë besimi i një myslimani në qoftë se ai ndihet i kërcënuar nga një karikaturë budallaqe në një gazetë satirike javore! Terrori fundamentalist islamik nuk bazohet në bindjen e terroristëve për superioritetin e tyre dhe në dëshirën e tyre për të ruajtur identitetin e tyre kulturor-fetar nga sulmi i qytetërimit botëror konsumerist. Problemi me fundamentalistët nuk është se ne i konsiderojmë ata inferiorë ndaj nesh, por, për më tepër, se ata vetë fshehurazi e konsiderojnë veten inferiorë. Prandaj deklaratat tona politikisht korrekte se ne nuk ndiejmë asnjë epërsi ndaj tyre vetëm sa i bëjnë më të zemëruar dhe ushqen pakënaqësinë e tyre. Problemi nuk është dallimi kulturor (përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin e tyre), por fakti i kundërt që fundamentalistët janë tashmë si ne; se, fshehurazi, ata kanë përvetësuar tashmë standardet tona dhe e matin veten me to. Në mënyrë paradoksale, ajo çka u mungon vërtet fundamentalistëve është pikërisht një dozë e asaj bindjeje të vërtetë “’raciste” të superioritetit të tyre.
Ngjarjet e fundit të fundamentalizmit mysliman konfirmojnë tezën e vjetër të Walter Beniamin-it se “çdo ngritje e fashizmit dëshmon për një revolucion të dështuar”: Rritja e fashizmit është dështim i së majtës, por në të njëjtën kohë është provë se ka pasur një potencial revolucionar dhe pakënaqësi të cilën e Majta nuk ka mundur ta mobilizonte. A nuk vlen e njëjta gjë sot për të ashtuquajturin “islamo-fashizëm”?! A nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë rritja e islamizmit radikal me zhdukjen e së majtës laike në vendet myslimane?! Kur në pranverë të 2009-ës talebanët morën luginën Suat në Pakistan, New York Times-i raportonte se ata kishin organizuar “një revoltë që shfrytëzonte ndarjet e thella ndërmjet një grupi të vogël pronarësh të pasur dhe qiramarrësve të tyre pa tokë”. Nëse “duke përfituar” nga gjendja e vështirë e fermerëve talebanët janë “duke ngritur alarmin për rreziqet që i kanosen Pakistanit, i cili mbetet kryesisht feudal”, çfarë i pengon liberal-demokratët në Pakistan, si dhe në SHBA, që në mënyrë të ngjashme “të përfitojnë” nga kjo gjendje e vështirë dhe të përpiqen t’u dalin në ndihmë fermerëve pa tokë?! Implikimi trishtues nga ky fakt është se forcat feudale në Pakistan janë “aleat i natyrshëm” i demokracisë liberale…
Po mirë, po vlerat themelore të liberalizmit: liria, barazia etj? Paradoksi është se vetë liberalizmi nuk është i fuqishëm sa duhet për t’i shpëtuar ato nga fundamentalistët. Fundamentalizmi është reaksion – një aksion i rremë, i hutuar, natyrisht – kundër një të mete të vërtetë të liberalizmit, dhe kjo është arsyeja se pse ai prodhohet në mënyrë të përsëritur nga liberalizmi. Nëse liberalizmi lihet të veprojë vetëm si zakonisht, ngadalë do të shkatërrojë veten – e vetmja gjë që mund t’i shpëtojë vlerat e tij themelore është një e Majtë e përtëritur. Për ta shpëtuar këtë trashëgimi të rëndësishme, liberalizmi ka nevojë për ndihmën vëllazërore të së majtës radikale. KJO është e vetmja mënyrë për të mposhtur fundamentalizmin, për t’i dërrmuar themelet e tij.
Të mendosh rreth vrasjeve të Parisit do të thotë të heqësh dorë nga vetëkënaqësia arrogante e liberalit tolerant-hedonist dhe të pranosh se konflikti ndërmjet tolerancës-hedonizmit liberal dhe fundamentalizmit është në fund të fundit një konflikt i rremë – një cikël vicioz i dy poleve që prodhojnë dhe presupozojnë njëri-tjetrin. Ajo që ka thënë Max Horkheimer-i për fashizmin dhe kapitalizmin qysh në vitet e 30-ta të shekullit XX – ata që nuk duan të flasin në mënyrë kritike për kapitalizmin duhet të mbyllin gojën edhe për fashizmin – duhet të aplikohet edhe për fundamentalizmin e sotshëm: ata që nuk duan të flasin në mënyrë kritike për demokracinë liberale duhet të mbyllin gojën edhe për fundamentalizmin fetar.
E përktheu Arlind Boshnjaku