A ka gjasa të sulmojë Moska?

Duket e pamendueshme që, 24 vite pas rifitimit të pavarësisë nga BRSS, Letonia, Estonia dhe Lituania të përfundojnë në një konflikt të armatosur me Rusinë. Por duhet thënë se po kështu mendohej edhe për Ukrainën 15 vjet më parë; por dallimi thelbësor mes fqinjëve veriorë të Rusisë dhe fqinjit të saj shumë më të varfër në jug (të ardhurat mesatare në shtetet balltike janë 21 mijë dollarë; në Ukrainë janë 7400) është se ata janë të integruar fort në rendin politik europiano perëndimor. Që nga viti 2004, të tre janë bërë anëtarë të NE dhe NATO-s. “Të thuash që ne na pret i njëjti fat si i Ukrainës, është njësoj si të thuash se jemi përballë Luftës së Tretë Botërore”, thotë Ivars Zarins, deputet i Harmony, një prej partive proruse të Letonisë.

Çfarë kërkon Rusia tani?

“Jemi në një situatë ku presim çdo lloj gjëje”, tha për FT ministri i jashtëm Linas Linkevicius. Vitin që kaloi pati një seri incidentesh që kishin për qëllim të testonin vendosmërinë e shteteve balltike, që nga rrëmbimi i një polici në kufirin rus (më vonë atë e parakaluan në Moskë si spiun) deri në bllokimin e anijeve lituaneze të peshkimit në ujëra ndërkombëtarë. Viti që kaloi, anije ushtarake ruse u gjendën më shumë se 50 herë në ujërat letoneze, ndërkohë që avionët e NATO-s janë ngritur në fluturim 200 herë për të dëbuar avionët rusë nga hapësira ajrore letoneze. Moska ka gjithashtu kanale në gjuhën ruse, me përmbajtje antiperëndimore në rajon, të cilët u kushtohen veçanërisht rusëve etnikë.

Sa është numri i tyre?

Në Estoni dhe Letoni ata janë afro një e katërta e popullsisë. Moska është fokusuar pa pushim tek të drejtat e këtyre pakicave, duke financuar parti politike proruse si dhe duke vënë theksin tek mosmarrëveshjet – shumë prej tyre një trashëgimi i pushtimit. Në tetor të vitit që kaloi, Vladimir Putini përmendi “manifestime të hapur të neonazizmit” në Letoni dhe në po të njëjtin muaj, Harmony fitoi numrin më të madhe të votave në zgjedhjet parlamentare. “Kur shohim atë që ndodhi në Krime dhe Ukrainë”, deklaroi udhëheqësi i saj, Nils Usakovs, “mendoj se është një shans unik për të ndryshuar disa gjëra që i kemi bërë gabim në dekadat e fundit”. Në Lituani, ku rusët përbëjnë 6% të popullsisë, enklava e Kaliningradit – një pjesë e izoluar territori rus në brigjet e Balltikut – ka përqëndrim më të lartë tensioni. Në vitin 2013, Rusia dhe Bjellorusia organizuan aty stërvitjet ushtarake “Zapad”, në të cilat simuluan pushtimin e një shteti të NATO-s.

Çfarë po bën NATO?

Ka hartuar plane emergjence në rast të një pushtimi nga Rusia, dhe në verë të vitit që kaloi organizoi stërvitjen e vet “Saber Strike” në tre shtete, me 4700 trupa nga dhjetë shtete. Por një zëdhënës i NATO-s deklaroi vitin që kaloi se ka një “mospërputhje serioze mes detyrimeve të NATO-s dhe burimeve të saj”. Ndërkohë që rifreskimi që Rusia po u bën forcave të armatosura ka një kosto 300 miliardë dollarë, vetëm 9 nga anëtarët e NATO-s i plotësojnë detyrimet e tyre financiare. Mes tyre, Britania, Gjermania, Italia dhe Kanadaja do të shpenzojnë 6.7 miliardë dollarë më pak për ushtritë e tyre këtë vit, krahasuar me vitin që kaloi. Por edhe nëse do i kish burimet, NATO pengohet prej Nenit 5 të statutit të saj, që NATO angazhohet vetëm në rast të një sulmi ndaj një prej anëtarëve.

Përse ky është problem?

Sepse shfrytëzimi me aftësi nga Rusia i luftës hibride është një nivel më poshtë se sa ai që qeveritë e shteteve anëtarë do ta përshkruanin si “sulm”. As Letonia, as Lituania dhe as Estonia nuk kanë raportuar në NATO ndonjë nga aksionet e Rusisë, dhe disa ekspertë ushtarakë shqetësohen se çfarë do të ndodhte nëse do ta raportonin. A do të ishte e gatshme SHBA të riskonte një sulm ushtarak në një tjetër Krime, apo në qytetin kufitar estonez të Narvas, ku katër të pestat janë rusë? Andrew Michta, i Qendrës për Studime Ndërkombëtare Strategjike në Uashington, thotë se mund të jetë pjesë e planit të Putinit provokimi i një prej shteteve balltike, që këta të kërkojnë ndihmë. Më pas, “NATO do të nisë një debat brenda saj nëse kjo është vërtetë situatë ku duhet përmendur Neni 5”, paralajmëron ai, “dhe menjëherë, në mesin e zhurmës së debatit, e gjithë besueshmëria e Aleancës do të avullojë”.

THE WEEK (bota.al)

 

SHKARKO APP