A ka përgjegjës padrejtësia shoqërore?
Nga Entela Binjaku
Në fillimin e vitit 2015 njoftimi nga ana e qeveritarëve se me mijëra qytetarë të punësuar në sektorin shtetëror, përgjatë 8 viteve të fundit të qeverisjes së shkuar, kanë punuar sikur të kenë qenë në “të zezë”, ishte një tronditje e re për mbarë shoqërinë. Në kushtet kur papunësia në kohën që ndërroi qeverisja ishte rreth 1 milionë, të mësoje një vit e gjysmë më vonë, se edhe ndër ata “fatlumët” që ishin të punësuar “në të bekuarin” shtet, me mijëra paskan qenë të pasiguruar, tregoi se situata paska qënë edhe më keq sesa dihej e shumë më keq sesa mund të imagjinohej. Por nëse këto ditë shoqëria u informua për këtë gjendje dramatike, ajo ende nuk ka parë askënd të jetë përgjegjës për këtë. Siç nuk ka parë shumë përgjegjës të tjerë për çështje të tjera…Edhe kur me shpresë mendohet se Shqipëria sociale mund “të jetësohet” si koncept, sërish shpresat janë të vakta kur nuk mëson edhe për autorët e gjithë kësaj gjendjeje.
Në një shtet të parametrave bashkëkohorë mund të flitet për politika shoqërore kur ai vetë është i ndërgjegjshëm për funksionin e tij shoqërore dhe kur paralelisht me të, edhe qytetarët janë mjaftueshëm të ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre shoqërore. Në Shqipërinë e vitit 2015 pak mund të flitet për ndërgjegjësim të qytetarëve mbi të drejtat shoqërore. Qytetarët janë pak të ndërgjegjësuar për rolin e shtetit për të ndërmarrë ato masa e kryer ato programe që kanë për qëllim së paku përmbushjen e disa nevojave -pak a shumë elementare- njerëzore. Herë për shkak se problemet me të cilat janë përballur qytetarët shqiptarë kanë qënë të atilla sa ju është dashur të mbijetojnë pa menduar për drejtësi, herë për shkak se edhe kur kanë menduar drejtësinë, askund nuk kanë parë zgjidhje, herë sepse në përpëlitjet e vetmuara kanë qenë në kushtet e një ngritjeje kulturore të pamjaftueshme e të kufizuar për të kryer presion qytetar, situata sot është kjo që të gjithë e jetojnë. Në rastin e fundit të mospagesave të sigurimeve shoqërore, natyrshëm duhej të lindte pyetja; “Çfarë është bërë për mbrojtjen shoqërore kur qytetarët mësojnë se qeverisësit e tyre për 8 vite rresht i paskan mashtruar? Çfarë duhet të bëjë shoqëria tashmë që mësoi për këtë? Po çfarë ka bërë shteti për edukimin e shqiptarëve kur Banka Botërore në vitin 2013 raportonte se mbi 57 % e të rinjve të sotëm, në kohën kur ishin 15 vjeç atë që lexonin nuk e kuptonin? Ku janë përgjegjësit për këtë gjendje të këtij analfabetizmi të këtij brezi? Cilët janë përgjegjësit për këta qytetarë që vdesin të pastrehë? A ka përgjegjës për mungesën e gjatë të strehimit të tyre? Papunësia e lartë dhe investimet e pakta të huaja gjatë këtyre viteve a kanë përgjegjës për dukuritë që prodhuan apo të mirat që nuk i prodhuan? Rritja e mirëqenies shoqërore nëpërmjet rishpërndarjes së burimeve të tilla si: para, shërbime, kohë etj, do të lehtësonte shumë këtë depresion shoqëror për të cilin askush nuk sheh të ketë përgjegjës të ndëshkuar ligjërisht. Në krye të 25 viteve të para të pluralizmit, Shqipëria duhet të dëshmojë e të krijojë besimin tek qytetarët se shteti, mirëqënien shoqërore e ka në qendër të aktivitetit të tij. Për këtë do të ishte e udhës që shoqëria, sëbashku me analizat e mjedisit politik, ekonomik dhe shoqërore të cilat nuk mungojnë, të shihte të vepronte edhe parimi i ndëshkueshmërisë për ata që shkaktuan kaq shumë dukuri në kurriz të shoqërisë. “Shqipëria sociale” nënkupton politika të atilla, që bëhen të aplikueshme çdoherë kur drejtësia shoqërore mungon, pra kur shteti është treguar i paaftë të gjejë zgjidhje dhe strategji për t’i vënë ato në jetë. Parimet e drejtësisë shoqërore natyrisht do t’’ i kërkojmë tek ata mendimtarë që vijnë nga shtete më përvoja të tilla. John Rawls pohon se “mund të flasësh për drejtësi shoqërore në një shoqëri kur ajo për të gjithë pjesëtarët e saj respekton liritë themelore, barazinë e mundësive dhe ofron ndihmën për më të dobëtit”. Në shoqërinë tonë ku shumë qytetarë janë në “luftë” të përditshme për mbijetesë, vështirë të flasësh për të drejtat e njeriut siç ato janë të shprehura në dokumentin themeltar të shtetit, në Kushtetutën e vendit, apo siç shprehen në dokumentet e rëndësishëm ndërkombëtare, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Por ndërkohë që për botën e qytetëruar, drejtësia shoqërore është një koncept që daton që nga gjysma e shekullit XIX, në shoqërinë shqiptare ky koncept ende nuk është mpiksur në psikën sociale në atë shkallë saqë shoqëria të rrisë presionin e saj për të kërkuar përgjegjësit e këtyre padrejtësive.
Megjithatë siç koha ka treguar ndryshimet në cilëndo shoqëri nisin atëherë kur shtetasit janë të pakënaqur, kur individët dhe grupet shoqërore privohen nga mjetet apo shërbimet e domosdoshme për jetesë apo kur nuk përftojnë as nga programet e mbrojtjes shoqërore. Siç përvoja ka treguar, ndryshimet ndodhin kur shoqëria ndërgjegjësohet se institucionet nuk kanë kapacitetet e duhura për të përballuar problemet shoqërore, ose më keq akoma, kur ato vetë bëhen shkaktarë për lindjen e problemeve të tjera. Ndryshimet ndodhin kur shoqëria reagon sepse ajo sheh se dhunohen të drejtat bazë të shoqërisë si drejtësia sociale, solidariteti etj. Siç ndodh në shoqëritë e qytetëruara janë opozitarët ata që shtrojnë nevojën e ndryshimeve të politikave ekzistuese për të qenë një qendër e fortë e përçimit të zërit të qytetarëve që ndjehen të papërfaqësuar dhe që kërkojnë drejtësi shoqërore. Përditshmëria e qytetarëve shqiptarë kërkon ndërhyrje emergjente për ndjekjen e shumë problemeve shoqërore, si dhuna në familje, gjakmarrja, përdorimi i drogave, mosmarrëveshjet kronike midis qytetarëve etj. Në kushtet në të cilat gjendemi sot, nevojitet një qëndrim i ri ndaj padrejtësive shoqërore. Për këtë është e nevojshme që shoqëria paralelisht me kërkesën për drejtësi shoqërore, të ngrejë në kult ato ndjenja njerëzore që janë të vlefshme për mbarë shoqërinë si p.sh. vullnetarizmi dhe solidariteti, aktivitetet kolektive në shërbim të pastrimit, grumbullimet e prodhimeve nëpër tregje (në fshatra), organizimet e njerëzve në përballimin e situatave emergjente, etj. Sot, në Shqipëri të mësosh se situata është edhe më e rëndë sesa njihej, nënkupton se pakënaqësia shoqërore e krijuar qenka edhe më e e lartë sesa dihej. Ndaj është e nevojshme të këmbëngulet në konceptet e drejtësisë shoqërore, e cila duhet të nisë me nxjerrjen e përgjegjësve para ligjit, me çmontimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, që ka karakterizuar thuajse të gjithë këtë çerekshekulli të parë të regjimit pluralist shqiptar.