A ka shpresë për Çamërinë?
Nga Gëzim Zilja
Javën e kaluar u festua 24 vjetori i krijimit të “Shoqatës Atdhetare Çamëria”. Festa nuk u dallua për ndonjë entuziazëm të madh që zakonisht nuk mungon në festime për çështje madhore, pavarësisht temperaturave të ftohta të ambienteve ku u zhvillua aktiviteti. U nxorën stendat me fotot që tashmë janë gati çdo përvjetor, u mbajt fjalimi i rastit me fjalë të dëgjuara dhe si të thuash, nuk pati asgjë të re. Gjithë preokupimi i pjesëmarrësve ishte të mund të kapnin ndonjë deputet për ndonjë hall, si vend pune, çështje prone, privatizimi, ndërtimi me ose pa leje etj. Edhe pasqyrimi në median e shkruar dhe atë vizive ishte shumë i vakët: nja dy gjithsej. Duhet thënë se që në themelim “Shoqata Atdhetare Çamëria” me përfaqësuesit e saj bëri një punë të madhe lidhur me popullarizimin e problemit çam brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë. Në këtë kuadër pati botime të reja librash artistikë e historikë, dokumentesh, fotosh, dhe përkthime interesante nga autorë të huaj për historinë e Çamërisë në vite. Këngët, vallet, kostumet e mrekullueshme çame filluan të shfaqen kudo e të fitojnë një popullaritet të ri. Ishte një punë e madhe kjo për një shoqatë me baza vullnetare. Gjërat ndryshuan pas themelimit të parti(ve)së çame dhe futjes së deputetëve të saj në parlament. Vetvetiu roli i Shoqatës u zbeh, duke menduar se përfaqësimi tashmë i çamëve në parlament do të merrte përmasa të reja, duke e ndërkombëtarizuar atë dhe përparësi të tjera që jep përfaqësimi në parlament. Vetë Shoqata është mjaftuar me disa veprimtari kulturore që gjithsesi mbajnë gjallë shpirtin e pamposhtur çam.
Në fjalën e tij kryetari i Shoqatës, zoti Tana theksoi midis të tjerash: “ … Më në fund ka një qëndrueshmëri të unifikuar të politikës shqiptare të të gjitha krahëve në raport me çështjen çame…”. Po të ishte kështu në këtë përvjetor nuk do të mungonin përfaqësues të partive politike ose shoqatave simotra anë e mbanë Shqipërisë, në diasporë por edhe më gjerë. Ata duhet të ndodheshin dhe të shprehnin mbështetjen e tyre për “Shoqatën Atdhetare Çamëria”. Por kjo nuk ndodhi. Gjithsesi ajo që pamë e lexuam ishin prononcimet e deputetëve çamë në lidhje me Çështjen. Ndoshta duhet të flisnin veteranët e shoqatës “Çamëria”, ata që e themeluan dhe që i dhanë jetë e frymë problemit pas 45 vitesh heshtjeje, por si kudo dalin deputetët e hazërtë, me letër ose pa letër dhe flasin qesim, gjëra të thëna e të stërthëna. Të flasësh në TV për një çështje të tillë se të venë një kamerë para, është mungesë përgjegjësie. Sigurisht që duhet përgatitur më parë, që me fjalët e tua të mund të japësh mesazhe të fuqishme aq sa lejon koha e kronometruar, gjë që nuk u pa në prononcimet e deputetëve çam. Ndryshe fjalët shkruhen në rërë dhe dalja në ekran bën efektin e kundërt të asaj që kërkon të thuash.
Deputeti Tahir Muhedini, president nderi i PDIU-së midis të tjerash u shpreh: “Bëmë të mundur futjen e rezolutës çame në parlament dhe ne si deputetë duhet të këmbëngulim që shteti shqiptar…..”. Në fjalët e mësipërme deputeti Muhedini, i thotë vetes dhe shokëve çamë deputetë, që duhet të këmbëngulin që shteti shqiptar t’i dëgjojë e tu verë veshin…etj, etj. Po pse kush i ka penguar të mos këmbëngulin, të mos bërtasin, të mos bllokojnë parlamentin, të mos protestojnë në Shqipëri dhe pranë kancelarive Evropiane? Sa për rezolutën çame që pretendohet se është miratuar në vitin 2004 dhe futjen e saj në parlament kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka pse e shtrydhin më atë letër inegzistente se nuk del asnjë pikëz uji prej saj. Mjafton të shikosh shtypin e kohës ose librin “Çështja çame mision i (pa)mundur 1990-2014”, faqe 137, ku vërtetohet plotësisht që ajo rezolutë nuk është aprovuar. Është mëkat të spekulohet me probleme të tilla.
Një deputet tjetër përmendi si arritje, se në sajë të PDIU-së do të krijohet Bashkia e Konispolit në ndarjen e re administrative, se na u përbëka vetëm nga çamë. Është quajtur madje nën zë pas aprovimit nga parlamenti, “Çamëria e Vogël”. Po qe kështu jemi në rregull vetëm se kjo Çamëri, që u aprovua nga mazhoranca është në anën shqiptare të kufirit dhe ka qenë atje që kur zoti i krijoi shqiptarët. Po mund të jetë dhe fitore se ndonjë deputet çam mund të vendosë mikun e tij për kandidat bashkie atje, nëse merren vesh midis tyre. Sa për atë Çamërinë tjetër matanë kufirit gjerat janë në vend numëro. Ndoshta prononcimi i deputetit Tahiri se “… ne jemi në oponencë me çdo qeveri…” përbën një risi apo paraqet interes. Por nuk dihet nëse ky është një vendim i PDIU-së dhe në këtë rast duhet përshëndetur, apo një mendim vetiak i deputetit Tahiri, thënë atë ditë përvjetori. Deri tani historiku dhe veprimet e PDIU-së flasin për një “qasje’’ shembullore pas qeverisë së Berishës dhe tani pas asaj të Ramës. Në më shumë se dy raste votat e deputetëve çamë kanë shkuar në favor të mazhorancës, gjë që tregon se nuk janë në oponencë me qeverinë Rama. Gjithsesi mbetet për tu parë nëse kjo thënie e deputetit Tahiri është një program i ri i partisë çame apo fishekzjarri i radhës. Në një shkrim të kohëve të fundit publicisti çam Hiqmet Zane, ngrinte një pyetje që të drithëron e të ve në mendime: “A ka shpresë për çështjen çame”? Shpresa vdes e fundit ose sa ka jetë ka edhe shpresë, janë dy “fjalë të urta”. Gjithsesi u bën 24 vjet që çamët as midis vedi nuk po munden të jenë as të qartë e as të sinqertë. Ky 24 vjetor i themelimit të “Shoqatës Atdhetare Çamëria” sipas meje nuk solli shpresë. Po shpresë mendoj që ka….