A mund të bëhet shteti veç me gjoba e rritje taksash ..?
Në fund të vitit që shkoi pata rastin të marr pjesë në një forum biznesi që kishte organizuar Qeveria,i titulluar: „bleta e artë“.U kushtohej bizneseve më të suksesëshme në vënd.Kishte lezet ta dëgjoje Kryeministrin Rama tek fliste në atë podium për hallet e biznesit.Se nga larg të krijohet ideja se Qeveria nuk di gjë seç heq biznesi i shkretë për t’i ngritur ato sipërmarrje e për të prodhuar ato taksa për shtetin.Por kur dëgjoje Kryeministrin,ta thoshte mëndja se ai është njëri prej nesh,që nuk ka hall e telash tonin që nuk di.Dhe kur e di Kryeministri,normalisht,çdo kush mendon se këto i di gjithë Qeveria e tij. U gëzuam të gjithë që qeverisja e Berishës mori rrokullimën dhe besuam se këtij vëndi do fillonte t’i vinte era shtet.Kur dëgjojmë Kryesocialistin Rama tek flet për shtetbërjen,për Rilindjen,për reformat antikorrupsion etj.,nuk se si të mos i besosh e të mos i jepësh votën.Kështu shqiptarët e degdisën para tri vitesh Berishën e ngujuar tek Kryeministria,me gjithë taborre.Me ardhjen e socialistëve,ringritja e shtetit u duk se filloi vrullshëm.Por dhe kundërshtitë e dhunëshme,bllokimet opozitare,veprimtaria kriminale dhe tritoli u shtuan.Megjithatë mposhtja e Kështjellës së drogës në Lazarat,ndalimi i vjedhjeve të energjisë,i shkollavë që shisnin diploma e të tjera,qenë suksese të dukshme.Por,më duket, se pas këtyre sukseseve të para,filluan gabimet dhe pas tyre ngërçi e tkurrja në ekonomi.Që në start rritja e tatim fitimit nga 20 në 30% ua këputi gjunjët tatimpaguesve të rregullt dhe kapitalit të huaj.Ndalimi total i punës në ndërtim i shkaktoi vëndit humbje të mëdha në buxhet dhe ekonomi.Kjo i dërgoi Mërkëllit dhe Europës afro 70 mijë punëtorë shqiptar të mbetur pa punë në kantieret tona.U bënë gabime të rënda me biznesin,sepse u goditën njësoj me gjoba të çmendura bizneset korrekte dhe evazuesit.Ngado sheh e dëgjon sot nëpër Shqipëri, e kupton lehtë se biznesit i ka hyrë tartakuti në bark,pasi ushtria e gjobvënësve nuk le biznes pa sulmuar dhe nuk ke ku ankohesh.Administrata e Ramës duket krejt tjetër gjë nga ato që thotë Kryeministri nëpër fushata,nëpër podiume e media.Kontrollorët e Qeverisë flasin, sillën e veprojnë krejt ndryshe nga ç’bën Rama nëpër media e podiume.Në një hotel në verë kam numëruar vetë 7 kontrolle brënda një dite.Bizneset e bregdetit punojnë vetëm dy muaj në vit.Por,kur i dëgjoje pas gjobave marramendase,që thonin se u vjen t‘i venë flakën pronës së tyre dhe të ikin nga ky vënd,mendoja me vete:çfarë shteti vallë po ndërtojmë,sepse ky nuk i ngjanë atij shtetit që na thoshte Rama gjatë fushatës.!? Afër fundit të vitit që iku ,edhe në dhjetra biznese të mëdha e fabrika plasën gjobat qindra milionëshe.Të gjithë e kuptuan se viheshin për të mbushur gropën e Canit në buxhet.Loja me garancitë bankare,të cilat i kërkoi me forcë biznesi që të mos abuzohej me gjobëmarrjen,nuk funksionon.Ajo është kthyer në një nastradinizëm tipik të administratës publike,kundër biznesit.Fletëgarancitë që lëshojnë bankat,nuk i pranon administrata tatimore e doganore dhe kështu biznesi,me të drejtë apo pa të drejtë,duhet prap të paguajë më parë paratë e gjobvënieve për të mbushur buxhetin e Canëve,dhe pastaj të ketë të drejtë të ankohet.Statistikat tregojnë se 70% e gjobvënieve janë abuzive dhe askush nuk mban përgjegjësi për to.Po kështu dhe kush ka për të rikuperuar akcizat apo tvsh-në nga shteti ynë,e di shumë mirë se duhet akoma dhe sot të lërë gati gjysmën e parave labirintheve të zyrave të administratës tatimore e doganore.Ka fabrika që janë detyruar të ndërrojnë impiantet, që të mos kenë punë me akcizat,sepse nuk duronin dot këtë çmenduri burrokracishë e korrupsioni.Le që dhe ato pak akciza që janë dhënë,për të ndihmuar prodhimin vëndas,shteti i Berishës kishte planifikuar ti ulë çdo vit deri në heqje totale,çka po e zbatojnë me zell edhe socialistët.Tani filloi edhe aksioni i bashkive me rritjen e taksave.E nisi Velia dhe po e pasojnë në kor të gjitha bashkitë e tjera.Të gjithë po tentojnë për të dyfishuar taksat e truallit të ndërtesave,për të shtuar me disa herë taksat për tabelat,për të dyfishuar ato të pastrimit,për të dhjetëfishuar ato për zënie hapsire publike etj.U janë lënë kopetenca absurde këshillave bashkiakë qw të rrjepin e zhvasin këdo si të duan ata..! Nga ana tjetër propagandohet me hipokrizi se janë bërë 0 taksat për biznesin e vogël..! Shtet pa taksa nuk ka,dëgjon të thuhet rëndomë ngado.Kjo është e vërtetë,sepse pa para asgjë nuk bëhet.Po nga ana tjetër,a bëhet shteti vetëm duke ngritur taksat nga pësë e dhjetë fish.!? Sepse tek ne nuk bëhet fjalë për rritje të arësyeshmë 2%,5% ,siç ndodh kudo në Europë.Këtu i rrisim me disa herë..! Nuk shkohet në Europë pa taksa,thonë ca tjë tjerë.Në fakt kush punon në Europë, si unë,e di shumë mirë se rritja e taksave atje kalon përmes debateve të mëdha politike në parlament dhe matën mirë qeveritë e bashkitë,kur ndërmarrin hapa të tillë.Në Republikën Çeke p.sh. ka 15 vjet që qeveritë bëjnë „luftë“ me parlamentin për vëndosjen e kasave fiskale.Por shumica janë dhe sot kundër Babishit dhe akoma nuk i kanë vënë ato.Kështu është dhe në shumë shtete të tjera.Ne duam t‘i ngjajmë se s’bën Italisë,Greqisë,Kroacisë që janë shëmbujt më të këqinj në Europë të funksionimit të shtetit fiskal.Shtetet më të forta e më të mira nuk janë ato që rrjepin bizneset e njerëzit,por ato që janë më bashkëpunuës e më tolerantë ndaj biznesit,më humanë ndaj të vetëpunësuarve dhe më njerëzor me të punësuarit.
ZEF SHTJEFNI
KOHA JONË SONDAZH

