A po e prish interneti gjuhën shqipe?
Nga Prof. dr. Rahmi Memushaj-Me futjen në përdorim të kompjuterit dhe krijimin e rrjeteve kompjuterike është shtuar pesha e asaj që zakonisht quhet “gjuhë e internetit”. Në të vërtetë, me gjuhë të internetit duhet kuptuar ligjërimi elektronik, një lloj i ri i shfaqjes së gjuhës, krahas ligjërimit të zakonshëm. Ashtu si ligjërimi i zakonshëm mund të jetë i folur ose i shkruar, edhe ligjërimi elektronik është i folur dhe i shkruar, po me rend të përmbysur për nga shpeshtësia e përdorimit, pasi tekstet elektronike mbizotërojnë ndaj atyre zanore. Ngjashmëria midis këtyre dy formave të ligjërimit shkon edhe më tej, pasi edhe ligjërimi elektronik mund të jetë gjithashtu stilesh të ndryshme. Elektronikisht sot publikohen gjithnjë e më shumë vepra shkencore, letrare, publicistike, fetare, fjalorë, herë krahas botimeve në letër e herë vetëm. Ligjërimi elektronik ka marrë një shtrirje të gjerë, duke u përdorur për komunikimin midis individësh, në formën e imejlit, të sms-ve në telefonat celularë, të blogjeve sociale, si fejsbuku, twitter-i, linkedin-i etj., të komenteve për artikuj gazetash etj. Madje, shpesh, me “gjuhë të internetit” kuptohen mu këto forma të komunikimit midis individësh a të individëve me grupe më të gjera sociale.
Duke qenë se në këto tekste ligjërimi i individit nuk kalon në filtrin e korrektimit e të redaktimit, në to vërehen shmangie të shumta nga normat e gjuhës, gjë që ka bërë të lindë shqetësimi se interneti po na prish gjuhën. Por mendimi ynë është se nuk mund të akuzohet interneti për prishjen e gjuhës, ndonëse nuk mund të mohohet që shkrimet elektronike me gabime kanë njëfarë ndikimi negativ në shprehitë e të shkruarit. Për të qenë më bindës në parashtrimin e mendimit tonë për këtë çështje, kemi marrë në shqyrtim 100 komente për 5 artikuj të varianteve elektronike të gazetave “Tema” dhe “Dita”. (Mund të merrnim edhe imejle apo sms, por kjo nuk do të sillte ndonjë ndryshim, pasi problematika është e njëjtë.)
Gjëja e parë që të bie në sy në komentet, është mungesa e etikës së komunikimit, përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese jo vetëm të komentuesve për njëri-tjetrin, po edhe për persona publikë e politikë, deri edhe për presidentin e kryeministrin. Sigurisht, kjo ka të bëjë me nivelin e ulët kulturor të komentuesve, që është rrjedhojë e edukimit të mangët të tyre nga familja, shkolla e shoqëria. Po njerëz që në ligjërimin e tyre përdorin fjalë e shprehje fyese, do të ketë gjithmonë, kështu që ajo që mund të bëhej për të penguar gjuhën fyese në faqet e internetit, do të ishte pengimi i komenteve me fjalë të tilla nga moderatori i faqes së internetit. Kjo gjë mund të bëhej më mirë duke e automatizuar kontrollin e komenteve me anë programesh të posaçme kompjuterike të ndjeshme ndaj fjalorit me fjalë fyese.
Një dukuri tjetër negative përbën mospërdorimi në këto lloje shkrimesh i shkronjave ë dhe ç, të cilat mungojnë në tastierat e kompjuterëve dhe të laptopëve që tregtohen në Shqipëri. Nga 100 komente që kemi kontrolluar, na del se vetëm pesë prej tyre i kanë këto shkronja, që do të thotë se vetëm 5% e komentuesve i përdorin ë-në dhe ç-në. Kjo gjë vërehet jo vetëm në komentet, po edhe në blogjet sociale, në faqet e internetit të individëve e të shoqatave etj. Deri edhe kryeministri e politikanë të tjerë në twitter a fejsbuk shkruajnë pa këto shkronja. Kjo dukuri është e përhapur edhe përtej faqeve që përmendëm. Hasen plot vendime e akte nënligjore, kontrata e dokumente juridike, shpallje në buletinin e prokurimeve, artikuj gazetash etj. të shkruara në të njëjtën mënyrë.
Çdo komb i ruan me fanatizëm shenjat e identitetit të vet dhe të tilla duhen konsideruar edhe shkronjat tipike për një gjuhë. P.sh., tastierat e frëngjishtes kanë taste të veçanta për shkronjatç, è, é, à e ù; ato të italishtes për shkronjat ç, è, é, à e ò; të gjermanishtes për shkronjat ß, ä, öe ü. Shkronja të ndryshme nga ato të anglishtes kanë shumë nga gjuhët që përdorin alfabetin latin. Edhe alfabeti i gjuhës sonë të tilla ka shkronjat ç dhe ë, që shënojnë dy tinguj të veçantë të shqipes. Këto dy shkronja dëshmojnë jo vetëm origjinalitetin e alfabetit tonë, po edhe lidhjen me tradita të caktuara kulturore. Shkronjën ë, të quajtur shkronjë “flamur”, e kemi trashëguar nga tradita arbëreshe e fillimit të shekullit të 18-të; kurse ç-në e kemi nga alfabeti i Shoqërisë së Stambollit, me autor Samiun. Pra, duke shkruar ë-në dhe ç-në, respektojmë traditën tonë kulturore, po edhe vendimin e njëzëshëm të Kongresit të Manastirit. Po, përveç anës emocionale, shkrimi i këtyre dy shkronjave ka rëndësi edhe për të mënjanuar gabimet në leximin dhe kuptimin e përmbajtjes së një teksti të shkruar. Nuk janë të pakta çiftet e fjalëve që, po të shkruhen me e në vend të ë-së apo me c në vend të ç-së, marrin kuptim tjetër. Sa për shembull, çull bëhet cull, çap behët cap, çik behet cik, çok bëhet cok etj.; ose në behet ne,nën bëhet nen, nëna bëhet nena, ndër bëhet nder, bëj behet bej etj., etj.
Duke qenë se këto shkronja mungojnë në tastierat e kompjuterëve, laptopëve dhe të celularëve, janë propozuar zgjidhje të ndryshme, si shkrimi i ë-së me dy e dhe i ç-së me dy c, të tjerë për ë-në përdorin shkronjën w dhe për ç-në ndonjë shenjë tjetër, të cilat pastaj i zëvendësojnë me komandën “Zëvendëso” (Replace). Por kjo mund të shpjerë në gabime të tjera në rastet kur në tekst ka fjalë të huaja me w, si Wilson, që bëhet Ëilson etj. Për t’u prerë rrugën këtyre praktikave të të shkruarit, rruga më e thjeshtë është që të përdoren tastiera për gjuhën shqipe. Kjo do të thotë që duhet ndaluar tregtimi i tastierave për gjuhë të tjera, si dhe i laptopëve e celularëve që nuk kanë tastierën e shqipes dhe të zëvendësohen tastierat që përdoren deri sot në kompjuterët e institucioneve shtetërore dhe të atyre private në shërbim të publikut me tastiera për shqipen. Pra, kërkohet ndërhyrja e shtetit, ashtu si për shumë çështje të tjera të gjuhës shqipe. Po, ndërkohë, nga figurat publike e politike kërkohet një kujdes më i madh kur shkruajnë në blogjet sociale.
Më në fund, një problematikë tjetër që del kur sheh këto komente, blogjet sociale, imejlet, sms-të etj., është niveli shumë i ulët i zotërimit të drejtshkrimit dhe të normave të tjera të gjuhës. Kështu, në njëqind komentet që kemi parë për këtë qëllim, vetëm 34 syresh janë shkruar pa gabime, dmth. vetëm një e treta e komentuesve shkruajnë si duhet. Në këtë rast, mendojmë se faji nuk mund t’i hidhet internetit, ndonëse nuk mund të mohohet që modelet e këqia të të shkruarit pa dyshim që ndikojnë për keq te lexuesi. Po më shumë interneti na tregon nivelin e ulët të zotërimit të normave të gjuhës standarde në shkollë dhe pikërisht ky fakt duhet të shërbejë si nxitje për Ministrinë e Arsimit që të forcojë kontrollin në shkolla dhe masat për rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe.
Pra, “gjuha e internetit” nuk është përgjegjëse për prishjen e gjuhës. Ajo vetëm se zbulon disa problematika që duan përgjigje adekuate dhe të shpejta nga institucionet shtetërore të arsimit e të shkencës, përfshirë këtu shkencat kompjuterike, të cilat duhet t’i kthejnë sytë edhe nga gjuha, në mënyrë që arritjet në fushën e informatikës të shfrytëzohen për të rritur shkallën e përvetësimit të gjuhës shqipe nga folësit e saj.
DITA