A po zhduket produkti “Made in Albania”?!

Kanë mbetur fare pak produkte sot në Shqipëri, të cilat mund të marrin ende certifikatën e produktit “Made in Albania”, pasi shumë produkte artizanale prodhohen me material të blerë jashtë. Kështu, që prej 20 vjetësh po zhduket mëndafshi shqiptar, dikur shumë i famshëm në botë dhe në kufi të zhdukjes është edhe prodhimi i shajakut…Ndaj, pesha e agjencisë publike “Nxitja e biznesit Social, NBS” duket si titanike për t’i identifikuar dhe rivitalizuar…

Nga Ben Andoni*

Një emision humoristik në Beograd të gjithë batutën për shqiptarët e ndërton me formën e përqeshjes ndaj qeleshes ose plisit të Kosovës. Kuptohet se nëse na vjen keq për momentin, do vijë një kohë, që do të na kthehet si makth. Jo prej humorit bashkëkohor që shpesh është banal dhe i lodhur, por nga paradoksi i madh se këtë objekt të dukshëm identiteti, ne po vazhduam kështu nuk do e prodhojmë më dot në vendin tonë.

Situata e artizanatit shqiptar është tragjike, pasi prej 20 vjetësh janë zhdukur disa elementë. Më së pari mëndafshi, dikur shumë i famshëm për markën e tij në botë. Por, nëse kjo mund të tolerohet, mund të quhet paradoks që filli i pambukut për prodhimin e tekstilit vjen tani nga eksporti. Studiuesit shtojnë edhe faktin se radha po i vjen shajakut, materialit që ka veshur gjenerata të tëra të shqiptarëve, paçka se lënda e parë (leshi) nuk mungon. E, a e dini paradoksin? Mungojnë tani pikërisht ata mjeshtrat, të cilët e trashëgojnë traditën e prodhimit të shajakut. Por, kjo sërish është më e pakta gjë, pasi të tjera materiale dhe zanate po japin shpirt një e nga një. Ajo, për të cilën, mund të arsyetohet është se: nëse nuk ndërtohen edhe zbatohen politika të qëndrueshme për zhvillimin e artizanatit, si degë e ekonomisë, atëherë rrezikojmë të humbasim gradualisht edhe plot zeje të tjera. Në vend të tyre, prodhimet tona t’sotme i ngjajnë muzikës tallava, mbushur me materiale alternative dhe pa fare logjikë. E kur kujton se po zhduket edhe tradita e punimit të sixhadeve me nyje persiane apo veshjeve popullore, atëherë alarmi është gati akut.

A ka shpresë?

Një strukturë, e cila varet nga Ministria e Punës, është duke punuar ndryshe. Agjencia publike “Nxitja e Biznesit Social NBS”, prej tre vitesh, po punon  për identifikimin dhe mbështetjen e sipërmarrjeve sociale të fokusuara në fushën e artizanatit. NBS gjatë kësaj periudhe në bashkëpunimin me donatorë ka mundësuar formimin profesional të të rinjve në fushën e artizanatit duke i mbështetur në vazhdim për ngritjen e bizneseve të qëndrueshme sociale. Drejtoresha e NBS-së, Ardita Bonati është optimiste për vazhdimin e kësaj mbështetje dhe kthimin në traditë të organizimit të panaireve të Artizanatit, brenda dhe jashtë vendit, ku ndër të tjera promovohen vlerat  dhe traditat më të mira të trevave shqiptare. Deri tani agjencia ka organizuar panaire kombëtare në Gjirokastër, Berat, Kukës, Shkodër, Tiranë etj. Risi në vitin e fundit ishte organizim i Ankandit me produkte artizanale unike dhe afrimi i trevave shqiptare.

E megjithatë, nuk mund të thuhet se organizimi i Panaireve të Artizanatit është diçka që do ndryshojë gjithçka, pasi nuk mund të jetë vetëm ajo që të mund të sjellë ndryshimin e pritur…

Panairet

Në këtë logjikë, për të dytin vit me radhë, në prag të festave të fund-vitit organizohet Panairi i Artizanatit, Tirana ‘00 – PAT. Artizanë nga e gjithë Shqipëria mblidhen për pak ditë dhe kryeqytetasit kanë mundësi të shikojnë të fundmit e zanatçinjve, që përcjellin live punët e tyre në kryeqytet. Ti has nga fare afër punuesit e gurit me ata të drurit, që qëndrojnë afër punës me tezgjah, qëndisjeve etj. Verilindorët përcjellin sixhadet e famshme me motive të Lumës, ashtu si mbërrijnë artizanët e Shkodrës me punimin e drurit dhe pëlhurave të tyre të njohura në tezgjah, Tirana që ende krenohet me veshjet popullore, apo artizanët e Gjirokastrës dhe Beratit që ende krenohen me gdhendjet ne dru, sarandiotët me punimet e dorës, janë pak më tutje por formojnë një bashkësi. Kuptohet se nuk mund të vijnë të gjithë dhe në edicionin e fundit PAT, mbërritën 40 artizanë nga e gjithë Shqipëria, që përcillnin edhe punët e 200 artizanëve të tjerë.

 

Sprova

E megjithë optimizmin apo edhe pse artizanati është provuar si një nga fushat e zhvillimit ekonomik me potencial të madh,  prej vitesh ai lëngon në kufijtë e ekzistencës, thonë specialistët e punëve sociale. Pak produkte sot mund të marrin certifikaten e produktit “Made in Albania”, sipas specialistëve të NBS, pasi lënda me të cilën bëhen shumë produkte artizanale prodhohet me material të blerë jashtë apo që tregtohet në tregun vendas dhe vjen nga importi. Por sikur të mos mjaftojë kjo, sot, tek brezat e rinj konsiderohet si shumë e vjetruar zejtaria. Kjo e bën të vështirë punën e brezave për të përcjellë aftësinë e tyre tek të afërmit, tek pinjollët dhe ca më shumë drejt brezave të rinj. Prodhimet e shumta në masë nga vendet aziatike kanë bërë që të humbi krejt interesi për shumë e shumë nga zanatet, të cilave u shtohet dhe humbja e lëndës së parë. Panairet dhe agjencia, që po ideon ato është një sensibizim por edhe krijimi i një ndërgjegjësimi kombëtar, që në rastin duket se nuk mund të bëhet vetëm nga kjo njësi, e cila duhet lavdëruar krejt për përpjekjen e saj. Të mos harrojmë se gjatë viteve 1946 – 1990, punimet artistike kanë vazhduar në qendra të tëra të organizuara si fabrika dhe punishte artistike, të cilat ishin të destinuara kryesisht për eksport jashtë vendit, por ishin ato që në një farë mënyre ruajtën dhe traditën kombëtare. Kohët e fundit vërehet një përpjekje për të rigjallëruar traditën, e kjo ndodh për disa arsye: -së pari, blegtoria që shërben për prodhimin e lëndës së parë (leshit) është e zhvilluar në çdo familje fshatare. Ndaj, jo më kot, edhe duke qenë një traditë, kërkesat e tregut të brendshëm e të jashtëm kane filluar të rriten. Po ashtu, është rritur prirja e njerëzve për produkte bio edhe në veshmbathje dhe orendi, shpjegon Bonati.

Kthim pas

Artizanati shqiptar i ka rrënjët e veta që në kohët e lashta (qytetërimi Ilir). Dokumentet mesjetare tregojnë për disa lloje zejtarie, si dhe mënyrën e tregtimit të produkteve zejtare. Një zhvillim të veçantë, zejtaria mori pas shekullit XVI e në vazhdim, kur filloi dhe përqendrimi i popullsisë në qytete por krahas kësaj filloi dhe mëkëmbja e ekonomisë fshatare. Kjo solli dhe shkëmbimin e mallrave fshat –qytet e anasjelltas, pra lindi tregtia krahas qytetit e fshatit edhe në mes të qyteteve  e po kështu edhe me qytetet jashtë vendit. Në fillim të shekullit XVIII deri nga mesi i shekullit të XIX u krijuan dhe shtresa shoqërore me dallime me pasuri, që u shoqërua edhe me kërkesa për gjëra luksi, që solli dhe pretendime për cilësi të veçanta artistike. Kjo ndikoi në përsosmëri në punime, njëkohësisht edhe në lindjen e mjeshtrive të reja dhe me karakteristika të veçanta nga pikpamja artistike.

Tradicionalisht, mjeshtritë trashëgoheshin në familje e ato përsoseshin vazhdimisht duke krijuar dhe dallimet mes qyteteve dhe krahinave te ndryshme. Qendra të njohura për produktet dhe pazaret e artizanatit ishin Shkodra, Prizreni, Berati, Korça, Elbasani etj. Këto dukuri të zejtarisë shqiptare i ka vënë në dukje edhe gazetari anglez A. Mejhju, i  cili shkruan: “Shqiptarët nuk janë vetëm punëtorë dhe të aftë për punime të ndryshme dore, por vendi ka disa prodhime të radha, të cilat nuk qëndrojne prapa prodhimeve artistike të kryeqyteteve tona perëndimore”.

Në këtë veprimtari të gjerë prodhuese, shpjegojnë specialistët, një rol shumë të rëndësishëm luante gruaja. Përveç punëve të shtëpisë,  gruaja shqiptare merrej edhe me larjen e leshit, endte pëlhurat e trasha, qepte tesha për vete dhe për familjen e saj, ngjyroste dhe merrej edhe me kulturën e mëndafshit. Tezgjahu, gjilpëra etj., ishin veglat më të nderuara të punës së gruas, e cila ndihmonte për ta zbukuruar e gjallëruar e zhvilluar më tej jetën e ekonominë familjare.

Një prodhim të bollshëm kishte edhe në punimin e qilimave prej leshi që realizohej  përveç në punishte edhe në mjediset shtëpiake . Shtuar me punimet e dorës  prej leshi që janë trashëguar brez pas brezi dhe brenda families, ato tregonin diferencat e vazhdueshme qoftë nga pikëpamja teknike, modeleve pra edhe në shije estetike dhe artistike.

Një traditë e tërë, e cila synon të rikthehet dhe që synon të angazhojë njerëz por edhe të krijojë një kulturë të re, që do jetë ndihmëse për turizmin e të ardhmes.

*JAVA

SHKARKO APP