Abuzonin me ndihmën ekonomike, padi punonjësve të komunave

Policia e Shkodrës filloi procedimin penal për dy punonjës të Shërbimit Social të Komunës Rrethinë dhe Postribë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Nën hetim nga uniformat blu janë vënë Lumturije Smakaj, 46 vjeçe, banuese në Dobrac të Shkodrës, përgjegjëse e Shërbimit Social në Komunën Rrthinë. Në Komunën Postribë të Shkodrës është nën procedim penal Dashamir Shabaj, 43 vjeç, banues në fshatin Boks Komuna Postribë, përgjegjës në Shërbimin Social të Postribës për shpërdorim detyre. Sakaq,  procedimi penal ka filluar edhe ndaj shtetasve me inicialet A.L, 42 vjeç, banues ne Fshatin Shtoj të Ri, si dhe ndaj shtetasit me iniciale, B.R, 43 vjeç, banues në fshatin Zues. Këta shtetas akuzohen  për veprën penale të mashtrimit. Mësohet se shtetasit e mësipërm të komunës Rrethinë janë trajtuar me ndihmë ekonomike nga kjo komunë, por rezultojnë jashtë vendit. Në Komunën Postribë të Shkodrës për veprën e mashtrimit po procedohen shtetasit me iniciale, B.H, 32 vjeç, si dhe N.B, 48 vjeç, banues në fshatin Myselim, dhe shtetasi me iniciale, B.B, 30 vjeç, banues në fshatin Mes, të cilët  rezultojnë se jetojnë jashtë vendit kur njëkohësisht trajtohen me ndihmë ekonomike.  Kësisoj skema e përfitimit të ndihmës ekonomike është e tillë, ata që jetojnë jashtë vendit i ndajnë paratë me punonjësit e komunës që bëjnë vlerësimet, pavarësisht se jetojnë jashtë vendit apo nuk kanë nevojë, ndërsa ata që janë në nevojë mbeten pa përkrahje sociale, fenomen ky që ndodh kudo në Shqipëri.    

SHKARKO APP