Administrata, kontroll 4 herë në ditë punonjësve për prezencën

Ministrat e Partisë Demokratike, të asistuar në prapaskenë nga strukturat e kësaj partie, vijojnë kontrollin mbi administratën publike. Pas urdhrave për ndërprerjen e lejeve vjetore dhe vizitat jashtë vendit, ministrat ‘teknikë’ mësohet se kanë përgatitur një ‘listë të zezë’, me të gjithë punonjësit e administratës në sektorët përkatës, të cilët sipas tyre, kanë shkelur rregullat e diktuara po nga ministrat e rinj.

Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga juristi i PD, Gazmend Bardhi, ka njoftuar se ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit.

Ndërkaq, për monitorimin e punonjësve dhe raportimin e lëvizjeve të tyre, janë angazhuar militantët dhe strukturat e Partisë Demokratike. Angazhimi konsiston në vëzhgimin e lëvizjeve pas orarit të punës, konkretisht të takimeve private, të pjesëmarrjes në tubime, monitorimit të rrjeteve sociale, mesazheve propagandistike etj.

Në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrja Xhulieta Kërtusha, ka ngritur një minikomision, i cili merret vetëm me kontrollin e prezencës së punonjësve në ministri dhe në degët e saj. Punonjësit e kësaj ministrie i nënshtrohen apelit katër herë në ditë për të konfirmuar prezencën në punë. Apeli bëhet në mëngjes, në drekë, rreth orës 14:00 dhe pak para përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Ministri  i Shëndetësisë Beqiri ka nxjerrë dje një urdhër sipas së cilit, nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e ministrisë si dhe të institucioneve të varësisë që përfitojnë pushime vjetore të paguara, për sigurimin e vijueshmërisë së punës, u ndërpritet leja vjetore për periudhën 01 Qershor 2017 deri me 25 qershor 2017, që përkon me periudhën e fushatës zgjedhore.

Sipas këtij urdhri të gjithë punonjësit që janë duke kryer lejet vjetore, do të njoftohen për paraqitjen në detyrë dhe për mbushjen e lejes vjetore pas datës 26 Qershor 2017.

SHKARKO APP