Administrativja, “lumë” ankesash nga biznesi për tatimet
Rastet që kanë si objekt padie ankimimet ndaj vendimeve të administratës së tatimeve janë ato që kryesojnë proceset gjyqësore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj gjykate në total për vitin 2015 këto çështje u llogaritën në 611, nga të cilat 534 Tatimet janë paditur nga biznesi, ndërsa vetëm në 67 raste ky institucion ka qenë në rolin e paditësit. Natyra e çështjeve ka të bëjë kryesisht me gjobat e vëna nga administrata tatimore ( moslëshim kupona tatimore, mos pajisje me kasë fiskale, evazion etj) për të cilat biznesi pas apelimit i është drejtuar për vendim togave të zeza.
Më të pakta në numër kanë qene rastet e mbërritur në këtë shkallë nga/dhe për Doganat. Në total për vitin 2015 janë arkivuar 120 raste, nga të cilat 180 biznesi ka paditur doganat dhe vetëm 2 raste këta të fundit kanë qenë paditës.
Për vitin e kaluar shifër të lartë ankesash janë regjistruar edhe për vendimet e Inspektoriateve të ndryshme që veprojnë në vend, kryesisht për atë Qendror Teknik, etj. Në total kjo shifër u llogarit në 243 çështje, ku vetëm në një inspektoriatet ishin në rolin e paditësit.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë edhe ndaj Komisionit të Prokurimeve Publike janë arkivuar raste ankimimi dhe për vitin 2015 ishin 105 të tilla. Po gjatë kësaj periudhe nuk u regjistrua asnjë me palë paditëse këtë institucion.
Në fillim të muajit mars ishte Këshilli i Investimeve që raportonte se gjykatat administrative e kanë të pamundur shqyrtimin e çështjeve brenda afateve ligjore.
Për vitin 2016 në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje, që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë.