Administratorët e pallateve, tarifat dhe kuotat e pjesëmarrjes sipas zonave

Figura e administratorit ekziston vetëm në një pjesë të pallateve të reja, ndërtuar pas ‘90-s, ku vetë banorët me konsensus kanë zgjedhur përfaqësuesin për administrimin e punëve kolektive, si pastrimi i shkallëve, ndriçimi, ashensori, shërbim që kushton nga 500 deri në dy mijë lekë të reja në muaj.

Sipas Bashkisë së Tiranës për çdo 20 administratorë pallatesh do të ketë një ndërlidhës, i cili do të jetë ura e komunikimit mes Bashkisë dhe qytetarëve.

Administratorët do të zgjidhen nga asambletë e banorëve të pallateve, të cilët do të trajnohen paraprakisht nga Bashkia dhe më pas do të marrin licencën për këtë detyrë.

Administratorët e afër 5000 pallateve që ka Tirana do të duhet që sipas ligjit të raportojnë për problematikat në njësitë vendore.

Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar do të përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive në përputhje me numrin e kateve dhe për masën e përdorimit të objekteve të veçanta. Nga një vlerësim paraprak fatura mujore për familje që do t’i shkojë administratorit vlerësohet të jetë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë të rinj në varësi të pallatit dhe të zonës së banimit.

Në ligjin e miratuar në 2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, sanksionohet se, në rast se një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar, për çdo muaj vonesë, ai do të paguajë një kamatë 10 % të tarifës, ndërsa për banorët që refuzojnë pagesën 3 muaj rresht ndërhyn gjykata dhe përmbarimi.

SHKARKO APP