Adriatik Lapaj thirrje publike Berishës: Duhet një komitet për qeveri teknike
Adriatik Lapaj është rikthyer para Kryeministrisë aty ku më herët u mbajt Foltorja e PD. Ai i bën thirrje opozitarëve që të dalin përtej logove të partive dhe të dalin në shesh për të protestuar si qytetarë.
“Kjo nuk është një protestë e partisë “Shqipëria Bëhet”. Unë kam dalë si individ, si qytetar dhe qytetarët po bashkohen. Nëse çdo demokrat shkon përtej logos së partisë dhe mendon se Shqipëria në këtë moment ka nevojë për një dalje përtej partive, për t’u bërë të gjithë bashkë kundër regjimit të Edi Ramës, jam dakord. Secili të vijë në shesh dhe nuk ka vend për qejfmbetje. Zoti Lela, mos u mërzit me mua. Nuk e kam parë mesazhin”, tha Lapaj.
Sipas tij, Rama me paratë e vjedhura të shqiptarëve blen çdo gjë dhe shtoi se nuk e konkurron dot si parti politike. ”E vetmja gjë që mund të bëhet është dalja në shesh përtej logove dhe në këtë pikë, PD-ja duhet ta lërë logon në seli. Askush nuk fton kënd. Nuk mund të ketë mbivendosje logosh sepse pastaj ndahen qytetarët dhe kjo i shërben Ramës. Duhet bashkim dhe bashkimi të prodhojë një qeveri tranzitore, një komitet në shesh për zgjedhjet e parakohshme dhe pastaj të garojnë partitë”.
KOHA JONË SONDAZH

