Afat deri më 30 dhjetor për licensat e reja të linjave ndërqytetëse

Të gjithë operatorët e transportit ndërqytetës, të cilët disponojnë një liçensë të vlefshme dhe janë aktive në operim në këtë sektor, duhet të aplikojnë pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për t’u pajisur me liçensë të re për linjat përkatëse. MTI ka ngritur një grup pune për shqyrtimin e të gjitha kërkesave që do të vijnë.

Licensat e reja për transportin ndërqytetës të udhëtarëve (linjat kryesore dhe ushqyese) janë me afat pesë vjet dhe, nga data 1 janar 2017, licensat do të lëshohen në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Afati i vlefshmërisë së çertifikatave për autobusët e shërbimit ndërqytetës është nga një deri në pesë vjet.

Për një periudhë nga 3 deri në 9 muaj, MTI, në bashkëpunim me organet e kontrollit, do të monitorojë zbatimin dhe funksionimin e rrjetit të linjave ndërqytetëse, si dhe të subjekteve të pajisura me licensë, me qëllim vlerësimin e operimit të tyre në përputhje me kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor.

Liçensat për transportin ndërqytetës dhe çertifikatat e mjeteve, që janë lëshuar në bazë të licensave (lëshuar nga bashkitë) dhe liçensat e transportit rrethqytetës (lëshuar nga bashkitë ose ish-komunat), para hyrjes në fuqi të Udhëzimit të nxjerrë së fundmi nga ana e dikasterit, do të konsiderohen si të vlefshme deri në datën 1 janar 2017.
Dorëzimi i dokumentacionit përkatës mund të kryhet çdo ditë deri në datën 30 dhjetor, pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, nga ora 10.00-12.00, njofton ministria në fjalë.

SHKARKO APP