Afresket e Onufrit qëllimisht drejt shkatërrimit
Nga Hyqmet Zane
Buja e madhe që u bë në mediat shqiptare për dëmtimin e afreskeve në kishën e Valëshit në Gjinar të Elbasanit, para ca kohësh, ishte një realitet që na dha shumë mesazhe. Bëhej fjalë për një kishë të vjetër, të vogël në zemër të Shpatit në të cilën banoi dhe pikturoi afresket e tij, Onufri i madh, ky piktor i niveleve të rilindjes europiane. Gjithkush u shqetësua se e kujt ishte ajo dorë që dëmtoi këto afreske të vjetra gati 500 vjeçare, me ngjyra origjinale që i japin kësaj kishe modelin e vërtetë shqiptar të fesë ortodokse, pa asnjë lidhje me ortodoksinë greko-serbe. Shumë debate u bënë, shumë lajme u dhanë, filmime të mediave të ndryshme pasqyruan një të vërtetë që në këtë kishë, që tashmë quhet e Onufrit, ishte vënë dorë. U quajt një tendencë për të vjedhur. Askush nuk u kap, askush nuk u dënua me gjithë bujën që mori mediatikisht. Personalisht vetë e kam shkelur në kohë truallin ku është ndërtuar kjo kishë për shkak të punës si mësues në atë zonë. Injoranca e kohës e kishte kthyer në depo drithi me një sabotim të madh që vinte edhe nga mosmirëmbajtja. Po nuk kishte sesi të mos të tërhiqte vëmendjen piktura, ngjyra, bukuria, mjeshtëria e Onufrit. Ishte tentuar që të vihej dorë për ndonjë restaurime, por ai ishte bërë nallbançe. Është rasti të sjell në vëmendje një histori të kohës që më ka rrëfyer një mësues i anglishtes, Mustafa Xhepa, nga Elabsani që sot jeton në Washington dhe që ka qenë konsull në ambasadën shqiptare në SHBA.
“Isha ulur mbi një gur, – fillon te tregoje Muçi, – dhe në oborrin e shkollës, (në Valsh) për rreth shoh gurë të ngulur në tokë, disa të thyer e të tjerë në pozicione të pjerrëta. Pyes një koleg vendas. I ndrojtur ai më thotë se ka qenë varrezë. Ja atje tej është kisha, dhe bën me dorë. “Kisha e Shën e Premtes”. Sa shumë pata dëgjuar për Onufrin nga miqtë e mi piktorë. Kureshtja e mbyti frikën. A mund ta shikoj e pyes? ‘Nuk ke çfarë sheh se e kanë kthyer në magazinë, por meqë ke dëshirë, shkojmë nesër pas mësimit, – më thotë kolegu.
Ashtu bëmë. Hymë brenda dhe i mahnitur shikoj për herë të parë afresket, Shën Spiridhonin dhe Shën Mërinë. Onufri i madh, piktori i shekullit XVI, Onufrin nga Elbasani, ikonografi nga qyteti ynë kishte zbukuruar muret e kishës se vogël me ngjarje ungjillore. Plot talent e shije ai kishte pikturuar portret e shenjtëve me tiparet e malësorëve të Shpatit, njerëzve me të cilët kishte jetuar. Ato janë plot jetë. Afresket janë kombinim i disa ngjyrave bazë që pasurojnë koloritin duke e bërë të butë e të ëmbëlt. Arti i mjeshtrit të madh, rilindasit tonë të parë i përmasave europiane, është po aq i madh sa dhe ai i përtej Adriatikut. Por, ndërsa andej veprat e artit ruhen me fanatizëm dhe shikohen prej vizitorësh nga të katër anët e botës, këtu antinjerëzit, diktatura e proletariatit i ka lënë të rrënohen me qëllim, duke e kthyer kishën, shtëpinë e Zotit, në magazinë. (?!) Dhe krahasoje me këta malësorë fisnike e trima të Shpatit që e kanë ndërtuar dhe mbrojtur këtë kishë në periudhën më të egër të sundimit Osman, kur hordhitë aziatike po shfarosnin kombin e Gjergj Kastriotit, Ilirët autoktonë. Kjo kishë 500 vjeçare (daton rreth vitit 1554- 55) është një monument kulturor që ndonëse me përmasa të vogla ka vlerë shumë të madhe. Është një nga të paktat kisha që i ka mbijetuar edhe periudhës Otomane, por si duket nuk do t’i mbijetojë pushtimit komuniste. Disa nga afresket kanë pësuar përkeqësim nga mosmirëmbajtja dhe me kalimin e kohës do të humbin vlerat që kanë”.
Me gjithë keqtrajtimin e kohës së diktaturës, përsëri kjo kishë i rezistoi tendencave të ateizmit komunist. Vetë populli i kësaj zone e ruajti si shenjë të atdhetarizmit dhe mirënjohjes për figurën e madhe të Onufrit. Unë e pashë me sytë e mi se një dorë e keqe kishte goditur pikërisht ato afreske që janë të papërsëritshme për modelin e dorës së mjeshtrit që i ka bërë ato. Pyetja që lind në këto raste është përse? Përgjigjen do ta jap më poshtë se njëherazi më duhet të bëj edhe një konstatim tjetër, të një kishe tjetër, gjithashtu të vjetër, ku përsëri reflektohet dora e mjeshtrit të pikturës Onufri. Bëhet fjalë për kishën e Shelcanit, po aq e vjetër sa ajo e Valshit. Një kishë në zemër të Shpatit si dëshmi e besimit autokton dhe autoqefal të një pjesë të popullsisë së kësaj zone për të cilën mjeshtri i madh Onufri la të skalitura me bojërat e tij, portretet e shenjtorëve dhe afresket e mrekullueshme brenda këtyre kishave. Bile në këtë kishë ka pasur edhe një kambanë shumë të vjetër e cila u zëvendësua pa dijeninë e askujt, pa mirëkuptimin e askujt nga një kambanë tjetër duke zhdukur një dëshmi të një kohe të parikthyeshme.
Kishën e Shelcanit e kam fotografuar dhe filmuar i shoqëruar edhe nga përfaqësuesja e OSBE në Elbasan, Karolin Milou, në vitin 2001, një grua gjermane që shprehte interes për këto arkitektura fetare me vlera europiane. Arsyeja e vizitës ishte dëmtimi që kishte filluar ti bëhej mureve të kësaj kishe duke dëmtuar njëherazi edhe afresket. Një tjetër kishë, gjithnjë shumë e vjetër, në zemër të kalasë së Elbasanit është kisha “Shën Maria”. Ikonostaset e kësaj kishe të punuara nga mjeshtërit dibranë të drurit, janë të papërsëritshme në llojin e tyre, ashtu si e gjithë arkitektura e kësaj kishe të vjetër sa nuk mbahet mend. Së bashku me katakombet dhe të gjithë strukturën ndërtimore të saj, kjo kishë mund të thuhet se është nga më të vjetrat në Shqipëri, po të kemi parasysh se, edhe kur u ndërtua Elbasani si qytet nga turqit, kjo kishë ekzistonte, nuk u prish. Duke paraqitur këto tre realitete ndërtimesh të kishave të veçanta në llojin e tyre, nuk e kam fjalën tek pjesa e regjistrimit numerik, por tek dëshmia historike e një realiteti religjioz që i rezistuan kohërave përkrah religjioneve të tjera. Dëmtimet që ju bënë këtyre veprave arkitekturore nga sistemi diktatorial ishin të mëdha. Por me ardhjen e demokracisë u krijuan të gjitha hapësirat për restaurimin e tyre, duke patur parasysh se ato u futën në fondin e artë të monumenteve të kulturës, si të veçanta në llojin e tyre dhe me karakteristika punimesh të afreskeve që i përkasin modelit të rilindjes europiane. Fati desh që ato ti rezistonin kohërave deri në ditët e sotme. Në Shqipëri janë ndërtuar me dhjetëra e dhjetëra kisha të tjera, ashtu si edhe në Elbasan. Për mendimin tim është një mosdëshirë e qëllimshme për ti lënë në mëshirë të fatit dhe drejt shkatërrimit vlerat e religjionit ortodoks, autokton shqiptar.
Unë kam mendimin se lënia në mëshirë të fatit, drejt shkatërrimit, pa asnjë restaurim special dhe profesional të këtyre kishave, sidomos asaj të Valëshit edhe të Shelcanit, janë një “vrasje” në kohë dhe në hapësirë e vlerave kombëtare që i kanë shërbyer këtij populli. Përgjegjësia që ka njëkohësisht dhe në çdo kohë instituti i monumenteve të kulturës që besoj se i ka harruar që janë në listën e vlerave monumentale, është përsëri një qëndrim që meriton ndëshkim. Ku është buja që i dhanë atij lajmi se na u prishën afresket e një kishe të vjetër si ajo e Valshit ku ka punuar Onufri? Mirëmbajtja dhe restaurimi i këtyre kishave nuk është thjesht detyrim i kryepeshkopit, apo vetëm i institutit të monumenteve të kulturës, por është detyrim shtetëror nëse flasim se jetojmë në një shtet me emrin shqiptar. Nuk besoj se do të duhet ndërhyrja e kreut të qeverisë apo të shtetit për të na sjellë në vëmendje vlerat e këtyre veprave të papërsëritshme në llojin e tyre, jo vetëm religjioze, por edhe turistike, po aq sa edhe historike dhe trashëgimore, që flasin shqip dhe qëndrojnë në këmbë si dëshmi e autoktonisë shqiptare.