Afrim Krasniqi: “Marrëdhëniet me Serbinë janë larg normalitetit”

 kurse në Shqipëri rotacioni vijon të shihet bardh e zi, si e drejtë e fituesit të sundojë dhe e drejtë e humbësit të rezistojë, të dyja palët pa respektuar pjesën që ka votuar kundër tyre. Po ashtu, në këtë intervistë ai flet edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis mazhorancës dhe Presidentit, si edhe për vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd.

 

Kemi një qeverisje të re të vendit prej një viti, por debatet politike janë sërish të vjetra; bojkoti, mungesa e konsensusit, zbatimet e vendimeve të gjykatave dhe thirrje për protesta nga ana e opozitës. Përse klasa politike, edhe pse ndryshon emrat e drejtuesve, priret të përsërisë një krizat politike?

Është çështje kulture politike. Të gjitha palët në vend kanë tipare të njëjta të nivelit kulturor politik. Në demokraci rotacioni politik është vlerë, shans ndryshimi dhe produkt i nevojës për përmirësimin e qeverisjes, kurse në Shqipëri rotacioni vijon të shihet bardh e zi, si e drejtë e fituesit të sundojë dhe e drejtë e humbësit të rezistojë, të dyja palët pa respektuar pjesën që ka votuar kundër tyre. Të njëjtat praktika negative pamë pas zgjedhjeve 2009 dhe të njëjtat po shohim tani, megjithëse Shqipëria do të duhej të ishte tjetër, shumë më e matur, më cilësore, më e përgjegjshme, më e prirur drejt alternativave, më vizionare dhe më me shumë integritet. Të gjitha këto cilësi, fatkeqësisht, i mungojnë sot klasës politike.

Incidentet gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë rikthyen në Ballkan një retorikë nacionaliste. Si do e vlerësonit reagimin e institucioneve tona? A ishte dinjitoz qëndrimi i Tiranës shqiptare?

Në aspektin e partneritetit dhe besueshmërisë ndërkombëtare Shqipëria pati reagim të matur, kurse në aspektin institucional përsëri mekanizmi kushtetues nuk funksionoi. Do duhej të kishte koordinim më të madh midis institucioneve, më shumë konsultime brendashqiptare, më shumë lobing ndërkombëtar dhe projekte konkrete reagimi afatgjatë. Gjithsesi, më shumë se tek politika, notat kritike i duhen adresuar paaftësisë së dukshme me të cilën FSHF menaxhoi dhe reagoi ndaj ngjarjes. Ajo ishte tërësisht jashtë funksionit, dëshmoi mungesë profesionalizmi në reagim dhe dëshmoi krizën e thellë të përfaqësimit në sportin shqiptar, krizë që vijon të jetë e tillë prej vitesh.

Duke mbetur tek marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Për herë të parë u vu re një reagim masiv i opinionit publik dhe qytetarëve ndaj Serbisë. A rrezikohet shoqëria shqiptare nga nacionalizimi ekstrem?

Jo, shqiptarët kanë pasur rast gjatë viteve e dekadave dhe nuk kanë dëshmuar ndonjë ndjenjë ose reagim masiv nacionalizmi ekstrem. Nacionalizmi shqiptar është paksa folklorik, por gjithsesi mbetet normal, brenda arsyes, shfaqet me mjete demokratike dhe pranon sugjerimet institucionale. Në Shqipëri, ndryshe nga Serbia, nuk ka asnjë parti politike me program nacionalist ekstrem, nuk ka pasur asnjë qeveri me platformë të tillë dhe se projekti integrues euroatlantik mbetet i vetmi projekt, pa konkurrues. Në Beograd vijon të ndodhë e kundërta. Fatkeqësisht.

Këmbëngulja e kryeministrit Rama për të vizituar Beogradin, në kohën që nga zyrtarët serbë u shfaq një dëshirë thuajse e hapur për të mos e pritur, a nuk na bën inferiorë?

Jo, marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare nuk janë gjithnjë marrëdhënie preferenciale midis individësh apo zhvillimesh ditore politike. Sidomos në Ballkan janë shumë më tepër sesa kaq. Shqipëria e ka meritë të njohur rolin e saj permanent në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal dhe nuk ka arsye të heqë dorë nga kjo pozitë e vlerësuar dukshëm nga SHBA-të dhe BE-ja. Shqipëria nuk refuzon dialogun dhe as partneritetin, këshillën perëndimore dhe as projektin e zhvillimit që mori jetë në Samitin e Berlinit, ndaj nuk mund të ishte refuzuese as ndaj nevojës për komunikim e bashkëpunim konkret rajonal, përfshirë me Serbinë, një shtet problematik në të shkuarën, dhe siç shihet, edhe në të sotmen e rajonit. Vizita e realizuar nga z.Rama mund të ishte shumë më e dobishme dhe produktive nëse do të bëhej në rrethana normaliteti, por në rrethanat e fundit dhe në kushtet e zhvillimit, ajo me gjithë suksesin diplomatik protokollar, nuk mund të sjellë përparime domethënëse në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale. Është fillimi, një shenjë pozitive, por ende larg etiketimeve “historike”. Sepse mbi të gjitha vlen produkti dhe ajo që vjen më pas. Ende raportet tona ndodhen larg normalitetit dhe nivelit të kërkuar. Do duhet më shumë kohë për t’i kapërcyer këto rrethana dhe Tirana, më shumë se për qëndrime nacionaliste, në fakt duhet kritikuar nga brenda, se për shkak të nevojës për t’u dukur sa më evropianë, janë lënë në hije shpesh edhe interesa me rëndësi kombëtare.

Si do e vlerësonit fjalimin e kryeministrit Rama në Beograd. A mund të cilësohet provokim përmendja e Pavarësisë se Kosovës?

Mendoj se e bëri shumë mirë detyrën e kryeministrit të Shqipërisë. Ai përsëriti qartë dhe me argument pozicionin zyrtar të shtetit shqiptar mbi Kosovën. Nuk pati asgjë më shumë sesa dhënia e këtij pozicioni dhe se deklarimi i pikëpamjeve të Shqipërisë është detyrë, përgjegjësi dhe pritshmëri normale për çdo shtetar shqiptar. Këtë herë deklarata e kryeministrit tonë mori shumë më tepër vlerë dhe doli në kontrast të dukshëm kryesisht për shkak të reagimit pa takt, pa sens dhe pa etikë zyrtare e mikpritësit serb. Nuk është hera e parë që zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar bëjnë deklarata për Pavarësinë e Kosovës në Beograd. Unë kam pasur rastin të jem pjesë e delegacionit presidencial me Presidentin Moisiu dhe ai ka bërë të njëjtën gjë, rreth 8 vjet më parë, në prani të medias, të presidentit e qeverisë serbe dhe të homologëve të rajonit. E veçanta këtë herë lidhet vetëm me situatën e ndjeshme ku u organizua vizita, zhvillimet që u pasuan nga ndeshja e futbollit midis dy ekipeve kombëtare, si dhe e përsëris, reagimi dukshëm jo etik i palës serbe. As 8 vjet më parë Tadiç dhe as tani Vuçiç nuk e kanë ndryshuar pozicionin serb ndaj Kosovës, por midis dy periudhave dhe dy personave ka diferencë në mënyrën sesi trajtohet kjo tematikë, në mënyrën sesi dëgjohet fjala e tjetrit dhe në mënyrën sesi zyrtarët sillen në postet e tyre të larta. Aktualisht, pala serbe po bashkëjeton me një valë nacionaliste populiste dhe siç duket, edhe reagimi i saj i adresohet këtyre votave dhe këtij auditori.

 

Shqipëria po përpiqet që të ketë një rol gjithnjë e më të madh në rajon. Sa efektive mund të jenë këto synime për gjeopolitikën e rajonit, kur klasa politike në Shqipëri, zbatimi i ligjit dhe probleme të tjera me funksionimin e drejtësisë dhe sistemit nuk janë në nivelet e duhura?

Ka një rregull në shoqëritë e sotme demokratike, mund të jesh vend i vogël, por nëse je një model demokratik, mund të kesh një zë domethënës dhe rol me rëndësi në politikat rajonale e globale. Shqipëria është aktor rajonal, por nuk mund të jetë aktori i vetëm, edhe për shkak se potencialet demokratike janë ende të brishta. Në dallim nga shumë shtete në rajon të gjitha krizat politike në Shqipëri kanë ardhur për faje të brendshme, kryesisht në luftën e ashpër për pushtet dhe modele abuzimi me pushtetin. Një luks me pasoja të mëdha për një vend të vogël, të varfër dhe me histori të gjatë izolimi, siç është Shqipëria. Imagjinoni nëse Shqipëria, Kosova dhe faktori rajonal me potencial shqiptar të kishte një platformë konkrete dhe afatgjatë bashkëpunimi, zhvillimi dhe qëndrimi? Rezultati do kishte qenë dobiprurës për të gjithë, por midis shteteve tona ka më shumë retorika elektorale dhe patriotike sesa projekte konkrete bashkëpunimi. Nga ana tjetër, vetëm një shtet funksional, me akte konkrete institucionale kundër korrupsionit dhe formave të abuzimit me pushtetin, një shtet që matet jo me standardet minimale por maksimale të demokracisë, do të ishte një kontribut për forcimin e rolit dhe ndikimit shqiptar në rajon. Një devizë që politikanët tanë shpesh e harrojnë.

Marrëdhëniet mes mazhorancës dhe Presidentit janë shoqëruar me përplasje që lidhen që nga emërimet e ambasadorëve dhe emrave të veçantë zyrtarësh, e deri tek Kushtetuta dhe reformat në drejtësi. Si ish-këshilltar i institucionit të Presidentit, mendoni se ka ardhur koha për një rishikim të kompetencave të kreut të shtetit?

Po, ka ardhur koha për një ligj themelor mbi funksionimin e institucionit të Presidentit dhe për sqarim kushtetues të disa specifikave në kompetenca. Por në asnjë rast, këto nuk duhet të shkojnë drejt kufizimit të kompetencave presidenciale, përkundrazi. Unë mbështes projektin e zgjedhjes së Presidentit direkt nga qytetarët, jo nga mazhorancat e thjeshta parlamentare. Kjo do të krijonte një institucion më përfaqësues dhe më garantues, sidomos në rastet e krizave politike dhe institucionale. Praktika ku kreu i shtetit matet me kutin e teserave të partisë, ose ai pranon të identifikohet me një parti politike të caktuar, duhet të marrë fund. Ashtu siç duhet të marrin fund praktikat e baltosjes dhe denigrimit ndaj Presidentit, cilido qoftë emri në funksion, ashtu si edhe e replikave politike që burojnë nga Presidenca, ndaj cilësdo qeveri e mazhorancë qoftë ajo. Fakti që palët po i adresohen gjithnjë e më shumë Gjykatës Kushtetuese dhe respektojnë në tërësi vendimet e saj, është pozitiv dhe ngushëllues. Një praktikë që tregon se nuk ka një palë, por dy palë që kanë gabuar dhe nuk ka vend për reflektim vetëm të një pale, por të dy ose më shumë palëve njëherësh.

SHKARKO APP