Afrim Salla, 30-vjeçari i gjymtuar nga plumbat greke (FOTO)

Nga Hyqmet Zane

Familja Salla nga fshati Plangaricë e komunës Gracen të Elbasanit, është njëra nga ato që vuan pasojat e emigrimi klandestin të djalit të vet që sot lëngon në shtrat, pasi është i paralizuar. Plumbat greke që e goditën i prekën boshtin e kurrizit dhe e kanë lënë për 15 vjet të paralizuar. Tashmë 30 vjeçari Afrim Salla, ka të vrarë të gjitha ëndrrat e një djali shqiptar për një jetë më të mirë dhe koha që po kalojnë të gjithë shqiptarët e kanë rënduar së tepërmi gjendjen e një familjeje që vuan shumëfish, jo vetëm paralizimin e djalit të tyre, por edhe për shkatërrimin e shpresave të jetës dhe pa asnjë penalitet për ata që janë shkaktarët e kësaj ngjarjeje. Ndoshta nuk është i vetmi, por fukarallëku që ka mbytur jetën e këtij 30-vjeçari të paralizuar dhe në pikë të hallit, janë një protestë që buron nga shpirti njerëzor në sytë e shoqërisë shqiptare. Janë plumbat e atyre që jo në emër të ruajtjes së kufirit qëllonin ndonjë armik, por në emër të ndjesisë së armiqësisë së fqinjit shqiptar që ushqehet nga segmentet greke.

Historia

Një ditë pranvere të vitit 2000, një plumb mes shumë të tjerëve qëlluan trupin e brishtë të një 15-vjeçari shqiptar. Pas kësaj, gjithçka flet me gjuhën e dhembjes që ndjen dhe përjeton një bir shqiptari nga bëmat greke ndaj emigrantëve të një vendi fqinj si Shqipëria. Një ditë pranvere para 15 vjetësh, një grup emigrantësh kishin marrë rrugën për të gjetur pak më shumë para, duke punuar në Greqinë fqinje. Ata ishin të rinj nga i njëjti fshat i Shqipërisë së Mesme, që kishin me vete vetëm një trastë me bukë për të mbajtur shpirtin gjallë dhe mallin e familjes të cilën e kishin lënë në pikëllim për fatin e tyre deri sa të dëgjonin një zë përmes telefonit. Por më parë se të merrnin vesh lajmin e mirë, se kishin arritur në vendin e duhur dhe se ishin sistemuar diku, lajmi i keq çau më shpejt se plumbi që ra mbi trupin e një adoleshenti 15 vjeçar. Plumbi që çau trupin e një djaloshi, ishte më shumë se një plumb, se ai vrau zemrën e një adoleshenti dhe që vuri në pikëllim një nënë dhe familjen e tij. Në atë kohë babai i tij Nezir Salla dhe vëllai i tij në Greqi bënë të gjitha përpjekjet që të shpëtonin nga kthetrat e vdekjes njeriun e tyre të shtrenjtë. Selaniku u bë vendi që i dha viston e largimit nga spitali të djaloshit që nuk e dinte se çfarë do ta priste në vitet që do të pasonin, se si trupi i tij që kishte nisur të rritej do të mbetej ulok dhe i paralizuar në një karrocë me rrota. Dhe e gjithë kjo nga një plumb që doli nga arma e një polici të pabesë. Vëllai nisi gjyqet për të gjetur drejtësi në vendin ku vetëm drejtësia mungon për shqiptarët. Këtë e kanë provuar me mijëra shqiptarë, por u desh ta provonte edhe familja Salla nga Plangarica e Gracenit në Elbasan. Babait të Afrimit nuk i jepnin vizë për të marrë pjesë në gjyq, nuk i jepnin një vizë për të parë vendin se ku ishte plagosur i biri i tij. Në të kundërt një vendim i një gjykate bëri që ti jepej pafajësia policit grek me argumentin se absurd “djali duhej t’i dredhonte plumbit që të mos e kapte atë”. Përkundër kësaj, vëllait të Afrimit ia hoqën “vizën e kuqe” në dokumente, që të mos kishte të drejtën të shkonte më në Greqi për të kërkuar drejtësi. Por një odise tjetër 1-vjeçare ka rënë mbi familjen Salla të Plangaricës së Gracenit në Elbasan. Nuk mbahet mend numri i letrave dhe kërkesave të bëra qeveritarëve që nga Fatos Nano e deri më sot, për t’i dhënë pak ndihmë për të shpëtuar jetën e një 30-vjeçari që tashmë kishte mbetur i paralizuar brenda një shtëpie, larg zonave të banuara dhe atyre spitalore që do të mund t’i jepnin ndihmë një shqiptari të pafajshëm dhe të vrarë pabesisht nga një plumb grek. Asnjë përgjigje, veç dashamirësisë së një pushtetari vendor që vuri në dispozicion makinën e shtetit për të transportuar trupin e këtij djaloshi në kirurgjinë e Elbasanit dhe kaq. Mungesa e një rruge. Largësia nga Elbasani dhe rruga nacionale e shtëpisë së kësaj familjeje, ka sjellë një tjetër fatkeqësi për mundimet që heq një familje e tërë për veten e saj, por veçanërisht për njeriun e tyre të familjes të mbetur në derën e paralizimit. Janë plot 35 km nga Plangarica që i duhet të bëjë përmes malesh dhe rrugë pa rrugë që të sjellë tashmë 30-vjeçarin e rritur për mjekime private në Elbasan ose në Tiranë. Braktisja që ka ndjerë ky njeri është e barabartë dhe ndoshta më e madhe se vrasja që iu bë në 4 majit e vitit 2000. Të 6 fëmijët e kësaj familjeje dhe prindërit kanë të vetmin preokupim për të qenë sa më pranë Afrimit të mbetur në një gjendje fatkeqësie të pamerituar dhe të pandëshkuar. Zemra e këtij 30-vjeçari që nuk i gëzohet jetës si gjithë bashkëmoshatarët e tij ndjen dhembje, por edhe apelon në ndërgjegjen e një shteti për të dhënë dorën e ndihmës së merituar si shqiptari për shqiptarin për të gjetur rrugën e rehabilitimit të mundshëm aty ku specialitetet e mjekësisë kanë bërë mrekullia me jetët e njerëzve. Nuk është e lehtë të rrisësh një fëmijë, thonë shpesh psikologët, por ama të kesh një fëmijë me probleme të tilla, është fatkeqësi prej robit dhe jo prej Zotit, siç thuhet shpesh fjala. Ai nuk lyp mëshirë, ai kërkon vetëm të drejtën që ia ka dhuruar Zoti, por që pabesia e një polici grek e gjymtoi për jetë. A ka të drejtën të jetojë edhe ky njeri si gjithë të tjerët? Kjo është pyetja më e thjeshtë, por që bëhet e vështirë para një realiteti që familja dhe vetë protagonistët e këtij shkrimi e përjetojnë me dhembje dhe pikëllim të madh për fatin e zi që nuk meritonte të kishte ky njeri. Por edhe shpresa vdes e fundit, thuhet gjithashtu. Ndoshta për babanë e 30 vjeçarit, Afrim Salla, ka një shpresë, ka një qeverisje që premton dhe që mund të vërë dorë në jetën e një njeriu që vuan gjithçka në këtë jetë prej 15 vitesh, kur një plumb i zi goditi trupin e një adoleshenti të pafajshëm dhe një shqiptari të ri. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë atë që i duhet dhënë një njeriu në nevojë dhe në hall që pret e pret një përgjigje nga letrat e shumta që i ka dërguar autoriteteve shtetërore për të gjetur pak shpëtim. Një ditë pranvere të bukur një 15 vjeçar nga fshati Plangaricë i Gracenit të Elbasanit u godit nga një plumb i pabesë i një polici grek, tamam ashtu siç nuk goditen edhe kafshët e egra. Ajo ditë u nxiros për këtë njeri që vuan në shtrat dhe mbi një karrocë pasojat e një udhëtimi emigrantësh në Greqi dhe në vend të pak mirëqenieje, mori si “shpërblim” një plumb pabesie dhe një paralizim për jetë. Ky është realiteti që kanë përjetuar shqiptarët në shtetin fqinj. E kush nuk i përjetoi bëmat greke mbi kurrizin e tij dhe nuk u zhgënjye.

Epilog

Shpesh dëgjojmë takime bilaterale shtetërore, dëgjojmë traktate miqësie dhe dashurie, por asnjëherë kandari i drejtësisë nuk ka favorizuar shqiptarët nga fqinji ynë i padenjë. Vrasës në kohë dhe i pandëshkuar për krimet ndaj shqiptarëve.

SHKARKO APP