Agjitacion – propaganda moderne quhet transparencë

 

Nga Ilva Tare.

Transparenca është një fjalë e rëndësishme në demokracitë e zhvilluara. Kur thuhet se vendimmarrjet e institucioneve publike për interesa të qytetarëve janë transparente, nënkuptohet se ato janë të kontrullueshme dhe të verifikueshme. Sa më delikate të jenë vendimet apo qëndrimet, zgjedhjet apo heshtjet aq më shumë transparencë kërkohet për mënyrën sesi merren ato. Në emër të transparencës ngrihen apo rrëzohen figura publike dhe politike, të cilat ndëshkohen kur nuk tregojnë të vërtetën deri në dhënien fund të karrierës siç ka qenë rasti i Presidentit amerikan Nikson.

Në vendin tonë fjala transparenca është keqpërdorur veçanërisht nga ata që bënin të kundërtën e saj. Falë një shfrytëzimi të mospasjes së një vetëdije të zhvilluar të opinionit publik, politika është pasuruar dhe inkriminuar duke mbajtur në gojë fjalën transparencë. Në dijeninë time pak ose aspak raste kanë ndodhur kur vendimet kanë qenë aq transparente sa të kalonin në skanerin e së vërtetës dhe në fund të rezultonin si të tilla.

Interpretimi më i fundit i qeverisë Rama për transparencën, i ngjan një modeli jo të panjohur nga shqiptarët. Ashtu si në vitet e diktaturës edhe në dy dekadat e demokracisë propaganda ka qenë një zëvendësues i llogaridhënies në mënyrë transparente. Publikut i janë servirur shifra dhe të dhëna të pakuptueshme për të justifikuar gjysma të vërtetash dhe për të dëmtuar atë për të cilën shqiptarët kanë pasur nevojë të informohen; për të vërtetën e tyre.

Një portal i dedikuar për akuzat e opozitës dhe një pjese të medias që nuk furnizohet vetëm me ushqim mediatik nga qeveria ka për qëllim të ç’montojë të pavërtetat dhe të publikojë faktet e palës së vënë nën akuzë. Nëse realisht qëllimi i krijimit të një portali me emrin e madh të transparencës ka qenë nxjerrja e dokumenteve post-factum për të bindur kundërshtarët se qeveritarët nuk janë përfshirë në përfitime të dyshimta, atëherë është zgjedhur mënyra e gabuar dhe më e paragjykuara.

Mjafton që këto prova dhe fakte të viheshin në dispozicion të medias përpara artikulimit të akuzave, që kur dalin nga foltoret politike rrezikojnë të përfundojnë sa jetëgjatësia e një formati letër A4, që kthehet në hedhurinë me mbarimin e ditës.

Mjafton që kompanitë private të sotme dhe të djeshme të ministrave të mos fitojnë pothuajse çdo tender ku garojnë.

Mjafton që drejtuesit e ministrive të japing informacion për cdo tender kur pyeten nga gazetarët në bazë të ligjit për informimin.

Mjafton që vendimet e qeverisë të publikohen të plota dhe publiku të informohet përpara se ato të hyjnë në fuqi në Fletoren Zyrtare.

Mjafton që informacioni publik të shkojë tek publiku pa kaluar në filtrat e censurës dhe kontrollit të çdo dokumenti apo drejtuesi të administratës që duhet të marrë leje përpara se të flasë me median, sipas një sistemi të centralizuar dhe të mirëkontrolluar.

Mjafton të ketë vullnet të sinqertë për transparencë dhe jo për agjitacion e propagandë që vazhdon të ushtrohet përpara syve të shqiptarëve, pavarësisht metodave bashkëkohore me të cilat aplikohet në Whatsapp, Instagram apo Twitter. (Java)

SHKARKO APP