Agron Duka, i tremb apo i përfaqëson të gjithë në Durrës?
Nga Zef Shtjefni
Duket se Partia Republikane do të ketë për së dyti herë fat me Agron Dukën. Herën e parë, fati i erdhi në derë me zgjedhjet parlamentare, kur Duka mbeti si i tradhtuar nga socialistët, për të cilët kishte punuar e kontribuar për vite me radhë, deri në postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Nano. Më pas, Ai bëri ç’mundi që ta afronte Nanon me socialistët e ri dhe sidomos me Ramën, por nuk ia arriti. Kjo, më shumë mbase për tangarllëk e kokëfortësi të ish-kryetarit Nano. Por Duka, edhe pas këtyre përpjekjeve dashamirëse, ndoshta vijoi të shihej si nanoist në PS, apo mbase nuk u vlerësua mjaftueshëm nga Rama e këshilltarët e tij të rinj. Duhet shtuar dhe fakti se për LSI-në, kunati i tij Lefter Koka, ishte në krye të listës së Durrësit. Edhe kjo mbase ndikoi që Duka të lihet në fund të listës së socialistëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por kjo qe për Dukën një goditje e papritur, pasi nuk është se ua kishte kërkuar Ai kandidimin socialistëve, por e kundërta. Kështu që sedra dhe dinjiteti iu lënduan, gjë që e ngacmoi të provonte veten pa Partinë në qytetin e tij. Mediu dhe PR-ja e zunë rrugës dhe qenë vërtetë me fat që iu bashkuan Dukës dhe Duka PR-së, sepse morën mbi 12 mijë vota së bashku.
Agron Duka është një nga biznesmenët më të njohur në vend për sipërmarrjet e tij të shumta private, që kanë punësuar qindra njerëz. Ai është i njohur edhe si Ministër i Bujqësisë dhe si Prefekt i Durrësit. Kushdo që e njeh e kujton atë si njeri të dashur, gojëmbël e gjithnjëplot batuta të këndshme. Është i thjeshtë, tolerant e zemërmirë Agroni, të thonë të gjithë. Nuk është nga ata biznesmenët që kapardisën rrugëve e mejhaneve më rroba të shtrenjta. As nga ata zyrtarë që mezi u flitet me gojë. Goni, siç e thërrasin durrsakët, si me lekë, si pa lekë, si me pushtet, si pa pushtet, Gon mbeti. Një nëpunës i tij më tregonte, para ca kohësh, se kur Agroni mori detyrën e Prefektit, në vitet e para të demokracisë, nuk ia kishim as haberin detyrës, por as kishim më të voglën mundësi për të ndihmuar ndokënd. Kështu që, kur vinte orari i pritjes së popullit, Ai ulej në një kolltuk të vjetër aty në qoshe të zyrës dhe dëgjonte kokëulur hallet e pafund të njerëzve. Në fund të bisedave me ta, më drejtohej mua: “Si ta ndihmoj unë këtë..? Si t’ia bëj me atë..? Dhe ngaqë nuk kishte mundësi tjetër, hiqte herë 50 mijë e herë 100 mijë lek nga xhepi i vet dhe ua jepte të shkretëve hallexhinj”.
Ka mbetur në kujtesë edhe zënka e Dukës me Berishën në Parlament. Berisha akuzonte e shpifte për këdo që i dilte para, siç bën edhe sot pa pushim. Pat shpikur atëherë klanin e Zemunit. Por Agroni nuk e duroi dhe një ditë iu afrua e deshi ta godiste me atë dorën e madhe, prej ish-volejbollisti. U bë një rrëmujë e madhe dhe Salës i iku gjuha në fyt, kur pa gjithë atë burrë përballë. Nuk u dëgjua më për të. Tani e ka aleat dhe nuk di se si t’ia bëjë. Është në dilemë nëse duhet të vazhdojë të heshtë, apo të fillojë ta lavdërojë..! Berisha nuk e ka për gjë të pështyjë e të lëpijë sipas interesit, por problemin e ka se Agron Dukës, Sala nuk i hy në sy është apo nuk është aty. Ai nuk i përket as kulturës, as mentalitetit e as intrigave të Berishës. Kështu që nuk po kuptohet akoma, nëse kësaj radhe u ka mbetur dopiogjashta në dorë demokratëve, apo u erdhi edhe atyre fati në derë me Agron Dukën në Durrës. Të mos e pranojnë, kanë frikë se mund të humbin përsëri Durrësin, pasi Duka është i rreshtuar politikisht djathtas sot. Duke e mbështetur, sigurisht kanë të gjitha shanset që të fitojnë. Por gjithë problemin e kanë, se nuk do të mund ta komandojnë apo të luajnë me të dhe firmën e tij, siç do të dëshironin Luli e Berisha. Me sa e njoh unë Dukën, ai do të bëj çmos që para së gjithash ta mbajë mirë me durrsakët. Megjithatë, më të humburit me Dukën, me sa shihet, po dalin prapë socialistët. Herën e parë, Rama nuk ia njihte ose nuk ia besonte forcën. Ndërsa tani e di mirë, por nuk ka se çfarë bën. Nga ana tjetër, socialistët në Durrës kanë dhe një disavantazh, sepse e kanë administruar këtë qytet prej shumë vitesh. E filluan me Kokën, i cili i bëri qytetit ndryshime të mëdha, me mbështetjen e Nanos. Por sot ai edhe pse është me LSI-në, nuk guxon dot as të dalë e as të punojë kundër Dukës, pasi janë edhe shokë edhe kunetër. Me Dakon socialistët nuk është se kanë ndonjë gjë të madhe për t’u mburrur. Plazhi i Durrësit ka marrë fund dhe është e vështirë të sillet në terezi për t’u bërë atraktiv për turizmin. Por dhe rikostruksioni në qendër të qytetit nuk mbulon dot konsumin e pushtetit të shumë viteve. Kështu që nuk u mbetet rrugë tjetër socialistëve në Durrës, veç të gjejnë një kandidaturë shumë të fortë përballë Dukës. Por janë koshientë se duke pasur dhe konsumin e gjatë politik në pushtet në Durrës, do ta kenë shumë të vështirë fitoren.
Pra, Agron Duka nga njëra anë i tremb, por nga ana tjetër duket se i dhe përfaqëson të gjitha palët në zgjedhjet e ardhshme lokale në Durrës. Përfaqëson të djathtët, sepse me ta sot është rreshtuar politikisht. Përfaqëson edhe të majtët, pasi me ta ka punuar e jetuar deri dje. Por edhe me të LSI-së janë shokë e miq shtëpie. Ndaj, për këtë arsye pyesim, nëse Agron Duka i tremb, apo i përfaqëson të gjitha palët në Durrës në zgjedhjet e kësaj radhe…?