Ahmetaj: Ballkani, tërheqës për investimet europiane
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjëes, Arben Ahmetaj, në panelin e dytë ekonomik me temë “Bridging the gap betwen the EU and the region, innovative strategies to attract FDI through connectivity”, në Forumin Ekonomik të Vjenës, që zhvillon punimet sot në Tiranë, vlerësoi se bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjidhë problematikat e së kaluarës dhe ta kthejë rajonin si pjesë integrale e Bashkimit Europian.
Duke iu referuar historisë kur rajoni konsiderohej problematik dhe BE me aleatët diskutonin zgjidhjen e tyre, ai theksoi se “sot ndryshimi është shumë i madh pasi diskutojmë për vendimet si ta cojmë rajonin si pjesë integrale në Bashkimin Europian”.
Ministri Ahmetaj cmoi procesin e nisur në Berlin “sepse na ka bërë bashkë dhe na ka sjellë këtu që të diskutojmë projekte konkrete”. Sipas tij, lidhja e inerkonjeksioneve nuk është vetëm një proces ekonomik. “Kemi bërë përpjekje të përbashkëta me Beogradin dhe me vendet e tjera për të paraqitur projektet tona dhe duam të besojmë se vetëm duke qënë bashkë, mund të galvanizojmë mbështetjen nga Brukseli dhe vendet anëtare për zhvillimin e tyre”.
Ahmetaj duke e quajtur rajonin e Ballkanit, “një vlerë e shtuar për shoqëritë, tregjet europiane”, theksoi se Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar dhe vendet anëtare të tij kryesoret për investimet e huaja. “Problemi lidhet me faktin se si të bëhemi më tërheqës për investimet europiane. Ne duhet të bashkërendojmë politikat tona fiskale, nevojat e ndryshme që kemi për të financuar ekonomitë tona, që nga bujqësia, tek industria, sepse këto do ta bëjnë rajonin një treg jo vetëm virtualisht, por realisht të unifikuar”, tha Ahmetaj.
Sipas tij, unifikimi i sistemit fiskal mes vendeve në rajon mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për zhvillimin e ekonomive të cdo vendi dhe iu referua disa elementëve, të cilët krijojnë barriera të padukshme të tregtisë, sikurse certifikatat e cilësisë. “Ne kemi nisur në këtë drejtim një proces serioz me Prishtinën dhe për tre muaj do të kemi m rezultatet konkrete”, tha Ahmetaj, duke sygjeruar bashkëpunimin mes vendeve të tjera në rajon.
Ministri Ahmetaj konsideroi turizmin si fushë e mundshme e bashkëpunimit, ku krijimi i një unaze të madhe, nga Kroacia, kalon nëpër Malin e Zi, Shqipëri, deri në Greqi, mund të shfrytëzohet gjithë vija bregdetare. Ahmetaj nuk la mënjanë vlerat e mëdha që ka turizmi malor në vendet e tjera. “Kemi bukuri të përbashkëta dhe rajoni po kthehet në destinacion turistik. Shqipëria ka detin, ushqimet BIO, po kështu Sërbia, Mali i Zi, Bosnja dhe të tjerët, ndaj një bashkëpunim rajonal e mbyll unazën turistike nga një vend, në tjetrin”, tha ai.
Mbi të gjitha, ministri Ahmetaj cmoi se gjithë kjo përpjekje nuk është thjeshtë ndërtim infrastrukture, por dhe mënyrë që bashkon njerëzit. Lidhur me projektin për ndërtimin e autostradës Adriatik-Jon, që e quajti “projekt europan”, Ahmetaj tha mes të tjerave, se vendet e rajonit duhet të mëndojnë gjetjen e mundësive, që palët të bëhen bashkë për të shtytur vendet e Bashkimit Europian që t’a financojnë projektin, i cili nuk ka vetëm aspektin infrastukturor.
"Ne si pjesë e Ballkanit Perëndimor nuk ndryshojmë vendin, por mënyrën se si të jetojmë duke u integruar me njeri-tjetrin dhe në Europë”, tha ministri i MZHETTS-së, Arben Ahmetaj.