Ahmetaj: Gjithë bizneset te Blloku, do quhen të mëdhenj
Pas prezantimit publik të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka nisur takimet me Drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave për zbatimin e planit operacional.
Ministria e Finanacve bën të ditur se ai i zhvilloi takimet e para në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe Doganës në Tiranë, ku kërkoi angazhimin maksimal të administratës fiskale për zbatimin e planit operacional dhe veçanërisht komunikimin dhe shërbimin me profesionalizëm ndaj tatimpaguesve.
“Ka filluar faza e dytë e anti-informalitetit, fazë që kërkon jashtëzakonisht shumë vëmendje edhe jashtëzakonisht shumë fokus në ato çështje që ne i kemi parashtruar në planin operacional”, -tha Ahmetaj.
Ministri kërkoi gjithashtu nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës të zhvillojë vizita fiskale në bizneset e zonës së ish-bllokut, të cilat sistemi i riskut në tatime i ka klasifikuar me risk të mesëm dhe të lartë.
“Nesër Blloku nuk njeh biznes të vogël, janë të gjithë biznes i madh sepse e vërtëta kjo është, dhe unë në fund të javës, dua t’i tregoj publikut shqiptarë që ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh”, -tha ministri.
“Është e domosdoshme që gjatë gjithë periudhës së planit, të reflektoni modesti dhe dua që t’i porosisni të gjithë punonjësit tuaj që të kenë një sjellje shembull me tatimpaguesit, pra shumë këmbëngulës, shumë profesional, por shumë modest”, theksoi gjithashtu ministri.
Ndërsa shtoi se “sot kemi dalë nga kriza dhe ne jemi përgjegjës që t’u kthejmë shqiptarëve atë që përjetuan në dy vite, ku ne bëmë reformat. Pra, ky do të jetë një vit ku Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të mbahet mend si Drejtoria më e mirë e shtetit shqiptar”.
Një tjetër çështje e diskutuar në takim, ishte modeli i riskut në tatime, përmes të cilit administrata tatimore do të mund të analizojë, kontrollojë dhe komunikojë me sipërmarrjen, nga zyra.
“Kampionet e biznesit të vogël, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të monitorohen nga zyra. Është shumë e rëndësishme që të komunikohet me biznesin e madh dhe atë të vogël , është shumë e rëndësishme që nëpërmjte sistemit të komunikojmë vazhdimisht mesazhe për të mëdhenjtë dhe të për vegjlit. Mesazhe të cilat tregojnë se ne po ju monitorojmë, që ne dimë se çfarë janë duke bërë, që ne i ndjekim në ndryshimin e përgjegjësisë së tyre tatimore, që ne i kërkojmë të korrigjojnë përgjegjësinë e tyre tatimore dhe nuk kemi si qëllim të vendosim gjoba”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa në takimin me Drejtorinë e Doganave të Tiranës, ministri tha se sfida për të standardizuar në dogana është po aq e madhe sa edhe në tatime. Lidhur me sistemin e riskut ai kërkoiqë të bëhet furnizimi i të gjithë kategorizimit të sistemit të riskut, pra furnizimim me informacion të sistemit me të cilin është aktualisht e pajisur dogana.
“Unë do të doja që një herë në javë të bëhej një konkluzion, mekëtë informacion, në mënyrë që ta krijojmë si traditë dhe të shohim se çfarë kategorish na lëvizin, pra të riskut. Kemi folure dhe me Drejtorin e Hetimit Financiar dhe Drejtorin e Anti-kontrabandës që puna të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti midis riskut, pra në rastin konkret midis specialistit të riskut këtu dhe furnizimit me informacion, në bazë të rezultateteve të sistemit të riskut, qoftë të kontrabandës, qoftë të hetimit”, apeloi ai.
Po kështu, ministri kërkoi që kalimi i mallrave kinezë dhe turke të përqendrohet vetëm në Doganën e Tiranës.
“Duke ditur se çfarë bëhet me mallrat turke dhe kineze, nuk do të bëhet më as në Durrës, as në Fier, askund tjetër. Të gjitha do të vijnë këtu. Dhe kini parasysh, se ju e dini shumë më mirë se unë se këtu bëhet problematika kryesore, tek mallrat turke dhe kineze, po flas në referencë të vlerës, dhe mos harroni se monitorimin do ta keni jashtëzakonisht shumë të madh”, -tha Ahmetaj.
Së fundi, ministri i Financave bëri të ditur se për qëllime të rritjes së efikasitetit të kontrollit, hetimi financiar dhe policia doganore do të dalin jashtë territorit të doganës.
“Hetimi dhe policia doganore do të jenë jashtë territorit doganor, në mënyrë që “check and balance” pra kontrolli, të jenë në rradhë: është dogana, është antikontrabanda me hetimin, dhe në një moment, me kërkesë të drejpërdrejtë të kryetarit të doganës apo të kujdo nga doganierët që ka nevojë, hyn edhe anti- krimi ekonomik”, -deklaroi ministri Ahmetaj.
Gjatë javës së ardhshme, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të vijojnë takimet me Drejtoritë rajonale për prezantimin e planit operacional dhe përmirësimin e cilësisë së komunikimit dhe shërbimit me tatimpaguesit.