Ahmetaj: Investimet e huaja në rritje

Duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj u është përgjigjur akuzave të opozitës për korrupsion me konçesionet dhe për vendimmarrje që sipas saj kanë dëmtuar ekonominë.

“Raporti i fundit i Bankës Qendrore për 9-mujorin, tregon që ka një rritje të tregtisë me pakicë me 7.6 % dhe një rritje të konsumit gati 2%. Është një tremujor i cili konfirmon rritjen ekonomike dhe trendin e rritjes ekonomike. Pra, janë shifra që askush nuk mund t’i manipulojë dot përtej nesh këtu apo dhe përtej nesh jashtë këtyre mureve, sado të dojë të promovojë një qeveri, apo sado cinik të jetë ndaj një qeverie dhe ndaj rritjes ekonomike”, ka thënë Ahmetaj.

“Shifra 3 për qind është e konfirmuar zyrtarisht nga Banka Qendrore në tremujorin e tretë dhe në tremujorin e dytë. Rritja ka trendin që në fund të vitit 2015 të jetë 2.75 %, gjë që konfirmon trendin rritës, konsolidimin e ekonomisë dhe të shumë sektorëve. Ka sektorë të cilët kanë lënguar me vite siç është sektori i ndërtimit që për herë të parë po njeh rritje në vitin 2015”, ka shtuar ministri.

Ai u është përgjigjur edhe akuzave për rënien e investimeve të huaja si pasojë e keqqeverisjes. “Investimet e huaja do të kalojnë mbi 450 milionë euro. Pavarësisht manipulimeve të qëllimshme dhe sulmeve ndaj investitorëve të huaj, shifrat flasin ndryshe”, ka thënë Ahmetaj.

“Shqiptarët kanë besim tek ekonomia shqiptare dhe tek monedha e vendit dhe rritja e ekonomisë konsumatore është 5.2 për qind”, ka shtuar ministri i Ekonomisë.

SHKARKO APP