Ahmetaj letër BE-së: Të hiqet taksa e transportuesve shqiptarë në Itali
Konkretisht, në këtë letër, ministri Ahmetaj u ka kërkuar ambasadorëve mundësimin e mbështetjes së industrisë për eliminimin e taksës fikse për transportuesit rrugorë shqiptarë në territorin e Italisë.
“Transportuesit rrugorë shqiptarë në territorin italian janë subjekt i pagesës së taksës fikse në përputhje me ligjin italian me numër 1146 datë 28/12/1956. I njëjti ligj gjithashtu parashikon që në kushte të caktuara, (reciprociteti në trajtimin tatimor apo nevojave të trafikut), mund të bëhen përjashtime nga kjo taksë, me dekret të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në marrëveshje me atë të Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës Italiane. Në takimet dypalëshe të niveleve të larta, çështja është parashtruar vazhdimisht për zgjidhje urgjente dhe përfundimtare, duke theksuar nevojën e shmangies së trajtimit diskriminues të transportuesve shqiptarë. Për këtë çështje do të kërkonim mbështetje nga ana juaj, për eliminimin e pagesës së taksës fikse për transportuesit rrugor shqiptarë në territorin italian”, – thuhet në letrën e ministrit Ahmetaj, lidhur me këtë çështje.