Ahmetaj: Nafta e lirë në Maqedoni? Po taksat e makinave atje i dini?!
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se rritja ekonomike e vendit është përshpejtuar, pavarësisht ambientit të pafavorshëm dhe situatës së vështirë në vendet fqinje.
“Kjo ekonomi po rritet edhe në mungesë të kreditimit. Arsyet janë të shumta, por unë numëroj tre. Së pari besimi; indekset e besimit të sipërmarrjes dhe të konsumatorit janë rritur, së dyti, është aktivizuar prodhimi i vendit dhe së treti, kemi mundur të krijojmë besim tek investitorët e huaj. Vetëm në 3-mujorin e parë të vitit 2015 arritëm të vendosim një rekord të tërheqjes së investimeve të huaja; 268 milionë euro”, deklaroi Ahmetaj. Në një intervistë për Top Channel, kreu i Ekonomisë ka folur edhe mbi një çështje, e cila prej muajsh ka shkaktuar debate të forta jo vetëm politike, që është ajo e çmimit të naftës. Sipas tij, Shqipëria nuk i takson më fort se vendet e tjera karburantet, por diferencat në çmime shkaktohen nga taksa e qarkullimit, të cilën vendet e tjera e paguajnë mbi automjetet.