Ahmetaj: Pse nuk e ndryshojmë ligjin për turizmin?
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj shpjegoi sot në Kuvend arszet përse qeveria nuk e ndrzshon ligjin për turizmin, kthyer nga Presidenti Nishani dhe si duhet të përballoj Shqipëria konkuirencën me vendet fqinje.
“Turizmi shqiptar përballet me një konkurrencë jashtëzakonisht shumë të avantazhuar të fqinjëve. Jemi në garë me Malin e Zi, me Kroacinë, me Greqinë apo Turqinë në rajon dhe gara nuk është e thjeshtë për hir të së vërtetës dhe pengohet edhe nga problemi i pronësisë. Nuk është e vërtetë që ne i marrim pronën individëve, duhet të jemi shumë korrekt. Ligji flet për negociatë me pronarët dhe i harmonizuar me ligjin e investimeve strategjike, flet për shpronësim pasi ligji i investimeve strategjike e ka konsideruar turizmin si prioritet. Pra, kemi bërë një ligj të investimeve strategjike, i cili është një përpjekje e drejtpërdrejtë për t’i lehtësuar investitorët e huaj. Të njëjtën gjë bën ligji i turizmit, 99 vjet me 1 euro, pronë publike me tender ndërkombëtar, siç bëmë me zonën ekonomike të Spitallës. Janë gjëra të provuara që kanë dhënë efekt.
Ne nuk e ndryshojmë ligjin sepse jemi brenda të njëjtës logjikë që kaluam në Korrik, dhe pa u treguar cinik, dua t’ju them që Komisioni juaj e kaloi ligjin pa bërë asnjë ndryshim. Sigurisht që turizmi është dinamik dhe ligji nuk është i gdhendur në gur. Nuk është kjo logjika e këtij ligji. Por kur flasim për ligjin e turizmit dhe ligjet organike, nuk ia vlen t’i politizojmë. Ju keni këndvështrimin tuaj, ne kemi këndvështrimin tonë. Besojmë që me këtë ligj kemi korrigjuar gabime të së kaluarës, besojmë që kemi marrë nga e kaluara elementët e mirë dhe i kemi përforcuar dhe besojmë që ligji ka për të qenë një instrument shumë i mirë në dorë të qeverisë dhe ën dorë të qeverive, për të zhvilluar turizmin. Të gjitha kontributet që janë dhënë në komisione, janë shënuar dhe jam i bindur që sërish do të ulemi për të gjykuar dinamikën dhe nëse do të ketë nevojë, edhe për ta përmirësuar ligjin për problemet që do të na dalin gjatë rrugës” – përfundoi Ministri Ahmetaj.