Ahmetaj ricikluesve: Ligji i ri i mbetjeve sipas nevojave tuaja

Në një fabrikë riciklimi që punon vetëm 2 ditë në javë për shkak të mungesës së lëndës së parë ishte sot Ministri i Financave, Arben Ahmetaj për të sqaruar opinionin publik për ndryshimet e reja ligjore.
“Ligji që ne kaluam para disa ditësh ka ndryshime thelbësore nga ajo që ne frenuam në 2013. Pra, jo depozitim, jo djegie, por lëndë e parë dhe import i kufizuar për ata që prodhojnë, i lidhur me kapacitetet prodhuese. Kemi lidhur importin me nevojat tuaja. Pra jo çdokush mund të importojë. Konsiderohet lëndë e parë për procesin e riciklimit. Do të importojnë vetëm ata që kanë instalacione apo fabrika si kjo të përputhura me kuotat në bazë të kartës teknologjike, pra në bazë të kapacitetit. Në qoftë se të duhen vetëm 30 ton ti nuk mund të importosh dot më shumë se 30 ton”, tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj lajmëroi edhe një vendim qeverie që po përgatitet, i cili i shërben sipas tij, transparencës në dobi të informimit të publikut.
 “Ne e kemi kufizuar edhe hyrjen e mbetjeve në tre pikat doganore, ku realisht shumë shpejt do të kalojmë dhe në një vendim qeverie në përputhje me ligjin ku grupe ambientalistësh, apo njësi ambientalistësh, siç ndodh në të gjithë botën mund të vijnë të certifikojnë importin vetë”, shtoi Ahmetaj.

SHKARKO APP