Ahmetaj: Rritja e investimeve të huaja, element kyc për rritjen ekonomike
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi se në këtë fazë të rritjes ekonomike një element i rëndësishëm janë rritja e investimeve të huaja dhe vendase.
Ahmetaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ligjin “Për investimet strategjike”.
Sipas ministrit Ahmetaj, sektorët kryesorë ku do të zbatohet ligji “Për investimet strategjike” janë sektori minerar, transporti, turizmi dhe bujqësia. Ligji do të rrisë investimet dhe punësimin në zona të ndryshme të vendit. Ky ligj sjell lehtësi proceduriale për investitorët dhe garanci juridike për shpronësimet e tokave.
“Në këtë fazë të rritjes ekonomike një element i rëndësishëm janë rritja e investimeve të huaja por dhe vendase”, u shpreh Ahmetaj.
Në 2014 investimet e huaja arritën në 1 miliard dollarë, ndërkohë që dhanë një kontribut 20.9% të PBB”.
Ai theksoi dhe se AIDA nuk ka kapacitet për të implementuar këtë ligj duke patur nevojë për ristrukturim. Ajo duhet të dalë nga administrimi i shërbimit civil.
Nëpërmjet këtij projektligji përcaktohen procedurat dhe rregullat administrative, lehtësuese apo përshpejtuese për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve publike, private, vendase dhe të huaja, në sektorët të identifikuar si strategjikë nëpërmjet lehtësimit të barrierave penguese të deritanishme, si burokracia e tepërt, mungesa e transparencës apo kompleksiteti i legjislacionit, të cilat kanë frenuar dhe vonuar investimet në vend.
P/ligji parashikon ngritjen e Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), si një organ kolegjial pranë Këshillit të Ministrave. Ky Komitet merr vendime për dhënien e statusit të asistuar apo të veçantë të investimeve strategjike që propozohen nga investitorët vendas ose të huaj dhe ministri i linjës sipas sektorit, nëpërmjet AIDA-s