Ai që s’i duhet gjë as dreqit…
Nga Alfred Lela
Kryeministri Rama gjatë prezantimit të kandidatit të Rilindjes për bashkinë e Tepelenës ka lëshuar edhe thagmën e radhës. ‘Mos votoni për kandidatët e Partisë Demokratike sepse ata nuk i duhen gjë as dreqit’, ka thënë shefi i qeverisë.
Pa i hyrë asaj se a i shkon njërit prej zyrtarëve më të lartë të shtetit një leksik i tillë cinik, paragjykues dhe provokues, duhet filluar me kontekstin ku Rama e lëshoi batutën e vet anti-opozitare. E tha në krah të kandidatit të vet me emër të çuditshëm, Tërmet Peçi. Në mbështetje të atij që pat thënë para pak javësh, në përpjekje për të përshkruar triumfin e vet në zgjedhjet e 21 qershorit, ‘një fitore publicitare’. Duke patur ndërmend ‘një fitore plebishitare’, pra një të tillë që sigurohet nëpërmjet votës së shumicës dërrmuese të popullatës.
Rrëshqitjes semantike të kandidatit të tij, z. Rama u mundua t’i hidhte përsipër qyrkun e vet të fjalëve, duke e quajtur ‘publicitare’ ngritjen e Tërmetit në kuptimin se do të ishte e tillë sa ta merrte vesh gjithë Shqipëria. (Pse thuhet atëherë ‘ra tërmet’ dhe jo ‘u ngrit tërmet’?!)
Sidoqë të jetë e ngado shkoftë rezultati i 21 qershorit, Edi Rama duhet ta dijë: të mjafton guximi artistik i një të marri që, në krah të Tërmet Peçit, të shpallësh se kandidatët e krahut tjetër nuk i duhen gjë as dreqit.
E njohur është ajo parabola e vjetër: kur jeton në shtëpi prej qelqi mos u gjuaj me gurë të tjerëve.
Me dreqin në shpinë më shumë se përballë, kryeministri Rama po e viziton Shqipërinë duke e vizatuar atë sipas midesë së vet.
Herë-herë Shqipëria e bën krenar atë, dhe kjo lidhet me punët e Rilindjes. Vende-vende e çmerit dhe këtë ua hedh barrë mospunëve të Saliut dhe Lulit.
Për të parë mospërputhjen e këtyre dy logjikave, ndoshta duhet një ngulmim i thjeshtë hulumtues. Një përimtim (skaner) i punëve dhe projekteve në të gjitha ato komuna e bashki ku pushtetin e kanë kryetarë socialistë, që janë pra në linjë me pushtetin qendror të Rilindjes prej tashmë dy vitesh.
Cilat kanë qenë ato projekte, investime dhe punë? Ku janë përqendruar ato? Sa dhe si e kanë ndryshuar jetën e banorëve?
Kjo ide mund t’i shërbejë Ramës vetë. Ta marrë në dorë këtë listë dhe t’ua tregojë gjithë atyre që u kërkon të mos votojnë ata ‘që s’i duhen gjë as dreqit’.
Me një kusht: palmat, kumbullat beronja, selvitë, shtyllat dhe të gjitha pemët apo objektet që nuk u japin as fruta e as bukë (le të hanë kek?!) shqiptarëve, nuk quhen.
Përndryshe, ai që nuk i duhet gjë as dreqit, është dreqi vetë.
MAPO