AIDA lançon fondet për biznesin, kriteret që një subjekt të aplikojë në një nga 5 skemat e financimit

Shqipëria konsiderohet si një nga vendet me numrin më të ulët të SME-ve për frymë, por duket se ka një plan për të ndryshuar këtë raport. Mes shumë linjave kredituese me institucione ndërkombëtare financiare, edhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve po mban këtë trend. Janë të paktën 5 skema që financohen nga buxheti i shtetit dhe administrohen nga AIDA për mbështetjen e bizneseve.

Në një intervistë për “News 24” përgjegjësja e sektorit të SME-ve në AIDA, Albana Zykaj, jep detaje mbi këto skema.

“AIDA nëpërmjet buxhetit të shtetit ka 5 skema financiare si: fondi i konkurrueshmërisë, fondi i “start up”, fondi ekonomia kreative, fondi i inovacionit, fondi i sipërmarrjes turistike. Gjithsej qeveria ka akorduar 72 mln lekë të reja duke i ndarë në fondin e konkurrueshmërisë 28 mln, të artizanatit 10 mln, të “start up” 10 mln, të inovacionit gjithashtu 10 mln, dhe në atë të sipërmarrjes turistike 10 mln”, tha Albana Zykaj, përgjegjëse e sektorit SME-ve në AIDA.

Por cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një biznes për të përfituar këto fonde?

“Kriteret kryesore biznesi të jetë i regjistruar në QKR të ketë një bilanc pozitiv. Gjithashtu të ketë selinë dhe të prodhojë produktet brenda territorit të Shqipërisë. Në fillim bëhet aplikimi. Pastaj pasi bëhen 5 aplikime, bëhet thirrja e komisionit të aprovimit të grantit. Aty shikohet nëse janë plotësuar kriteret apo jo, dhe direkt pas 5 ditësh bëhet firmosja e marrëveshjes midis AIDA-s dhe kompanisë përfituese”, tha Albana Zykaj, përgjegjëse e sektorit SME-ve në AIDA.

Për vitin 2016 kanë aplikuar pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), 123 kompani nga të cilat 86 kompani kanë përfituar nga 4 skemat financuese.

SHKARKO APP