Ajdin Sejdiu, “Bab Tereza” i Shqiptarisë, nuk mund të ndyhet një emër i pastër…
Ky irritim është personal. Po, po personal, sepse vjen nga sajesat dhe dallaveret e montazheve të turpshme që krijohen qëllimisht përreth imazhit të njeriut më korrekt që njoh. E ky imazh është Ajdin Sejdiu!
Në emrin tim, të tim biri dhe të familjes sime jam e detyruar të shkruaj këtë artikull për bashkëshortin tim, i cili që kur ka filluar rrugën e biznesit e deri më sot ka qenë njeriu më korrekt me njerëzit, punonjësit e tij dhe shtetin. Marr spunto nga kronika e pak ditëve më parë në ABC News, në të cilën nuk ka asnjë të vërtetë në ato që shikohen dhe thuhen. Janë vetëm montazhe të sajuara që krijohen nga gazetarë delirantë. Nuk është aspak e drejtë që im bir të preket moralisht dhe të thyhet emocionalisht nga fjalë të paqëna dhe të paekzistuara që thuhen lart e poshtë nëpër gazeta për të atin, vetëm e vetëm pse ju teket disa sharlatanëve të palarë të shkruajnë për interesat e tyre. Ky quhet dëmtim i imazhit publik, pa asnjë lloj të drejte dhe pa pikën informacioni të saktë.
Asnjëherë legjendat, apo përrallat që janë shkruar nëpër gazeta për Ajdin Sejdiun nuk kanë qenë të vërteta, kanë qenë dufe dhe shëmtim nga armiq, që nuk i arrijnë dot aftësitë e një bizesmeni mendjehapur dhe me sukses internacional, por edhe me shpirtin e një Bab’ Tereze. Ajdin Sejdiu ka qenë njeriu që ka ndihmuar shqiptarët anë e mbanë botës, të sëmurëve me sëmundje të pashërueshme u ka rikthyer shpresën e jetën me kontributet e pafundme të tij, duke mos pasur pikën e interesit. “Baba Terezë”, Ajdin Sejdiu ka kontribuar në sektorin e artit pafund dhe vazhdon ta bëjë akoma me shumicë, prapë pa pikën e interesit. Me pak fjalë, xhelozia, maçokllëqet e armiqve që menduan që e dëbuan, atëherë kur Ajdini u hapi kokordhokët e syve Shqipërisë mendojnë që sa herë Ajdini të jetë në majë, ato do fusin kasetën e tyre të prishur dhe çdo gjë do dëgjohet siç ata duan. Kjo kasetë merr fund këtu për shpifësit, sepse nuk do të lejoj që imazhi i tim shoq dhe i fëmijës sim të preket dhe të dëmtohet nga milingonat e dheut, që në fakt edhe dheu mezi i mban. Prandaj, STOP intrigave në këtë vend që ishte gropë thithëse. Madje edhe tani që vazhdon të jetë po grope, mos kujtoni se duke i hedhur hi syve popullit do të mund ta fitoni atë gropë duke menduar që mund t'ia bëni jetën tjetrit gropë. Gropa qëndron tek i zoti dhe lopatat do të vazhdojnë të hedhin baltë, derisa dheu i familjes sonë do i mbulojë gjer në themele.
Ajdin Sejdiu, popull i dashur nuk ka akoma as edhe një pasaportë shqiptare. Ka dhjetë vjet martesë me gruan e tij shqiptare dhe një djalë 9 vjeçar. Mospërkrahjet, xhelozia, intrigat e kanë çuar këtë imazh të shenjtë shqiptar që të përdoret në këtë lojë të ndyrë hajdutësh, që vetëm për të arritur objektivat e tyre merren me pastrim fjalësh të pista! Vihet re dukshëm që Ajdinit më në fund ju hapen dyert dhe u pranuan aftësitë e tij për bashkëpunim dhe prandaj ndodhi menjëherë montazhi i “teatrit të kukullave”. Ky popull nuk ha bar dhe nuk pi qumështin e gotave bosh. Janë goxha të rritur për të kuptuar fare mirë se ku fle lepuri. Mjaft më me akuza të paqëna dhe me shpifje. Jepini bekimin që meriton ky fenomen biznesi, që t’ju çojë përpara dhe t’ju mësojë pak se si mund të ecet përpara duke shikuar edhe mbrapa. E shkuara e Ajdin Sejdisë do dylbi për ta afruar që të mësosh dhe paterica për të ecur që ta mbërrish.
Unë si bashkëshorte e tij, si pedagoge në Universitetin e Arteve, por edhe si nënë njëkohësisht nuk mund të hesht më dhe nuk do resht as edhe njëherë për të qenë në gatishmëri që të mbroj dinjitetin, djersën dhe imazhin e bashkëshortit tim pa asnjë lloj të vërtete brenda. Këto kronika të shëmtuara, nuk janë asgjë tjetër, veçse përralla që as foshnjet në djep nuk do t’i preferonin t’i dëgjonin!
Me konsideratë, Dr.Riselda Sejdija!